Valentina Peri është kuratore dhe autore e pavarur franceze e fokusuar në artin italian me qendër në Paris. Merret me rolin e teknologjisë në kulturën bashkëkohore, me fokus dashurinë dhe intimitetin në epokën dixhitale dhe historitë e medias.
Ajo ka kuruar ekspozita, ka botuar shkrime dhe ka dhënë leksione në një gamë të gjerë temash në këto fusha.
Një nga ekspozitat e saj më të sukseshme është “Data Dating”, me fokus rreth dashurisë në epokën e internetit dhe është prezantuar në Francë dhe Izrael.
Së fundmi, Valentina ka filluar një kërkim në Gana të Afrikës, në lidhje me fenomenin e mashtrimeve që ndodh përmes platformave online të njohjeve dhe botoi librin "Instruktori i mashtruesit të ri të romancës". Në të autorja ka përmbledhur një koleksion të mesazheve origjinale të mashtruesve të këtyre historive, të fokusuara kryesisht në Ganë.
Valentina Peri (Burimi Personal)
Valentina Peri ka ardhur në Shqipëri për të çelur ekspozitën “Matter, Non-Matter, Anti-Matter”. Qëllimi i saj është të njohë rrënjet e gjyshit të saj gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri në Luftën e Dytë Botërore, por mbi të gjitha të zbulojë fotot, letrat dhe detajet e dashurisë së tij.
CMG: A mund të njihemi me angazhimet tuaja të momentit?
Valentina Peri: Aktualisht kemi një projekt ku në fokus është trashëgimia kulturore e shfaqur në Tirana Art Lab (Shqipëri). Aty po merremi me një eksopozitë që quhet “I dashuri i saj u kthye nga lufta dhe ata nuk folën më për të”, shfaqur në Tulla Center në Tiranë.
Përpara se të punoja si kuratore e pavarur, isha drejtore e asociuar në Galerie Charlot Paris/Tel Aviv, një galeri arti bashkëkohor e specializuar në artin e mediave të reja me bazë në Paris, të Francës dhe Tel Aviv në Izrael.
Jam një nga bashkëthemelueset e SALOON Paris, një rrjet ndërkombëtar dhe i larmishëm i grave që identifikojnë profesionistët e artit, në Paris dhe shumë qytete të tjera.
CMG: Çfarë është arti për ju dhe pse njerëzit duhet të fokusohen në të?
Valentina Peri : Arti për mua është një urë për të krijuar lidhje mes njerëzve. Është produkt i subjektivitetit të personit krijues, që ndahet me të gjithë.
Është një mjet për të treguar histori dhe për të nxitur imagjinatën . Në këtë kontekst edhe vepra më abstrakte mund të tregojë një histori.
Arti mund të jetë aq i fuqishëm sa të krijojë botë dhe të hapë mundësi të reja.
Ka shumë forma të artit. Asnjë nuk është më i mirë se tjetri. Janë thjesht kanale për të përcjellë një ide, një mendim, një koncept apo një histori.
Arti ekziston falë komunitetit që mbështet artistët dhe punën e tyre. Në një kontekst tjetër arti është një biznes dhe bëhen investime të mëdha për të zgjeruar sistemin. Si artist duhet të dish të përballesh me këto realitete në mënyrë që të qëndrosh koherent,por edhe të mbijetosh.
Arti nuk duhet të jetë privilegj, as për ata që e bëjnë dhe as për ata që e përjetojnë. Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme të fokusohemi në art , pasi artistët kanë nevojë për mbështetje në atë që bëjnë, për shikueshmëri përmes hapësirave të artit dhe ambienteve të artit. Çdo shoqëri dhe komunitet duhet të përjetojë artin dhe të jetë në kontakt me mendimet dhe realizimet krijuese në mënyrë që jetë i shëndetshëm.
Tulla Center Ekspozita “Matter, Non-Matter, Anti-Matter (Burimi personal)
CMG: Si ka qënë jeta juaj në fëmijëri, jeni produkt i punës apo ëndrrave që keni ndërtuar kur keni qënë e vogël?
Valentina Peri : Unë kam lindur në Itali, në një qytet të vogël të quajtur Calvisano në provincën e Breshias, në veri të Italisë, në një shtëpi të madhe të ndërtuar nga prindërit e mi. Jetoja me vëllain tim dhe shumë kafshë. Shtëpia ndodhet afër asaj të gjyshërve të mi nga babai, me të cilët kam ndarë shumë përjetime dhe kjo është një pikë e rëndësishme për të kuptuar origjinën e projektit që prezantoj në Tiranë.
Aty kam kaluar gjithë fëmijërinë dhe adoleshencën time. Mendoj se kam pasur një fëmijëri shumë të lumtur, e rrethuar nga familja, kushërinjtë, fqinjët dhe shumë miq. Babai kultivonte fruta dhe perime në kohën e lirë dhe nëna ime është një kuzhiniere shumë e mirë, e cila më përcolli dashurinë për artin.
Në moshën 19-vjeçare u largova nga Breshia për të studiuar antropologjinë kulturore në Universitetin e Bolonjës, më pas u transferova në Siena për t'u specializuar në Antropologjinë e Artit. Në moshën 24-vjeçare u largova nga Italia për t'u transferuar në Paris. Mbërrita falë një shkëmbimi universitar Erasmus dhe shpejt fillova të punoj në sektorin e artit bashkëkohor, për muzetë dhe galeritë, ku vazhdoj të evoluoj edhe sot. Unë jam ende në Paris dhe kam marrë nënshtetësinë franceze, por kohët e fundit kam qenë shumë në lëvizje pasi projektet e mia zhvillohen dhe prezantohen ndërkombëtarisht.
CMG: Çfarë ju shtyu të vinit në Shqipëri dhe të zbuloni historinë e dashurisë të gjyshit tuaj?
Valentina Peri: E nisa këtë projekt në vitin 2018 pa një ide të qartë për destinacionin final. Më shtynë pyetjet dhe kurioziteti për të hedhur dritë mbi një lloj tabuje familjare, pikërisht atë që i ndodhi gjyshit tim nga babai gjatë kohës që ishte ushtar në Shqipëri, siç ndodh shpesh me tabutë.
Tabu për dashurinë e tij që lindi në shqipëri!
Brenda meje, pavarësisht distancës fizike, kjo histori vazhdoi të jetonte derisa gjatë festave të Krishtlindjeve në vitin 2018. I kërkova familjes të sillnin të gjithë materialin që kishin në lidhje me gjyshërit e mi dhe fillova të lexoj, rendita dhe skanova të gjitha dokumentet. Kështu rizbulova 120 fotot e bëra nga gjyshi në Shqipërinë e Jugut me një aparat fotografik Hasselblad, kartolinat e dashurisë që gjyshërit i dërguan njëri-tjetrit dhe fletoren e çmuar të shkruar me dorë, të cilat më në fund hodhën dritë mbi periudhën midis armëpushimit të '43-it dhe kthimi i gjyshit në Itali në Krishtlindjet e vitit '44, gjatë së cilës ai ishte një ushtar i fshehur. Askush nuk ishte në dijeni të kësaj fletoreje dhe historisë në të.
Ekspozita “Matter, Non-Matter, Anti-Matter (Burimi personal)
CMG: Sa kohë ju ka marrë hulumtimi?
Valentina Peri: Hulumtimi nisi në mënyrë të pavarur. Nga ekspozita zbulova se kishte një thirrje të hapur nga Tirana Art Lab, një qendër arti shqiptar që ishte pjesë e një projekti shumë interesant evropian. Kam aplikuar në 21 janar, jam përzgjedhur për një rezidencë 2 mujore në Tiranë dhe do të zhvilloj projektin. Rezidenca ime sapo ka përfunduar. Për mua ishte shumë e rëndësishme të përballesha me të vërtetat dhe të zbuloja një vend për të cilin kisha menduar që kur isha fëmijë, falë historisë së gjyshit tim. Ishte e rëndësishme të isha këtu, të kthehesha në vendet ku ka qenë gjyshi im dhe të zbuloja shumë gjëra për të dhe këtë vend. Gjithashtu, ka qenë e rëndësishme të shoqërohem nga shqiptarë që u bëmë miq, bashkëpunëtorë dhe kolegë. Ishte po aq e rëndësishme që projekti të prezantohej këtu dhe të kishte reagimet e vendasve, të ndanim histori individuale dhe kolektive. Ishte dhe është ende shumë i fuqishëm dhe emocionues i gjithë përjetimi.
CMG: Në një anë kemi materialet e arkivit dhe anën tjetër fotot e shkrepura prej teje, pse kjo zgjedhje?
Valentina Peri: Gjatë qëndrimit tim dymujor në Tiranë, përzgjodha materiale nga arkivi i gjyshit, kartolinat e korrespondencës së dashurisë mes gjyshërve dhe videot dhe fotot që bëra në gjurmët e këtij arkivi, verën e kaluar kur erdha në Shqipëri për të rindërtuar të zhdukurit si pjesë të tregimit. Vendosa të adoptoj formatin e kartolinave, i cili pasqyron atë të korrespondencës së dashurisë. Më pas zhvilluam një aplikacion që audienca ftohet ta shkarkojë në telefonin e tyre dhe nga e cila kartolina vjen në dimensionin 3D. Në një ekran shfaq fotografitë e bëra nga gjyshi im në frontin jugor shqiptar, në të cilat mund të shihen fotografi të ushtarëve italianë në aktivitetet e tyre informale, stërvitjet ushtarake, grumbullimet dhe shumë civilë lokalë, veçanërisht në fshatrat Jugut, Sotirë dhe Delvine, por edhe Lukove, Borsh e Sarandë. Ka foto shumë të bukura të dasmave dhe ceremonive fetare ortodokse. Shpresoj që me shpërndarjen e këtyre fotove të dalë një histori.
Ekspozita “Matter, Non-Matter, Anti-Matter (Burimi personal)
CMG: Çfarë na ofrojnë kartolinat?
Valentina Peri: Kartolinat e mia përshkruajnë momente vendimtare gjatë kërkimit tim, ato janë foto të gjyshit tim, ditari, skena filmash shqiptarë që zbulojnë pjesë të munguara të historisë, objekte që gjeta, si udhërrëfyesi i parë turistik në Shqipëri nga viti 1939, njerëz që takova, si pasardhës të Muharrem Sulos, personit për të cilin gjyshi punoi disa muaj ndërsa fshihej. Për çdo kartolinë kam shkruar një tekst të shkurtër që shoqëron një pjesë të historisë që tregoj. Gjithkush është i lirë të zgjedhë se çfarë të lexojë dhe ku të fillojë, sepse tregimi përbëhet nga fragmente dhe tregimi është jolinear.
CMG: Si u prit kjo ekspozitë, nga njerëz që e njohin ose jo gjyshin tuaj?
Valentina Peri: U prit shumë mirë, përtej pritshmërive të mia. Publiku u interesua shumë për historinë personale të gjyshit tim dhe timen në Shqipëri, duke kërkuar gjurmët e arkivit të tij. Aty është historia e dashurisë, arkivi i fotografive, historia ime në Shqipëri, elemente të kulturës shqiptare që i lexoj nga një kënd tjetër... çdo vizitor gjen një ose disa pika të përbashkëta që ngjallin kujtimet e tyre dhe reflektimet e reja. Pikërisht ky ishte qëllimi i punës sime dhe nga bisedat që bëra mendoj se ia dola. Shtypi shqiptar po interesohet dhe në shtator do ta prezantoj projektin në Itali dhe do të shohim si do të perceptohet atje.
CMG: Kush ju mbështeti në këtë ekspozitë?
Valentina Peri: Ekspozita “Matter, Non-Matter, Anti-Matter” me përkushtimin tim, është një ekspozitë në grup e kuruar nga Adela Demetja, me vepra të dyshes HUNITI GOLDOX, Olson Lamaj, Valentina Peri, e krijuar gjatë qëndrimit dy mujor në Tirana Art Lab. Ekspozita përfshin gjithashtu Immaterial Display, një stacion interaktiv për të përjetuar dy ekspozitat legjendare dhe të mëdha të së shkuarës: Les Immatériaux (Centre Pompidou, 1985) dhe Iconoclash (ZKM | Qendra për Art dhe Media Karlsruhe, 2002). Ekspozita është pjesë e projektit të bashkëpunimit në shkallë të gjerë Beyond Matter, partnerët e të cilit janë Qendra Pompidou në Paris, ZKM në Gjermani, Tallin Art Hall dhe Ludëig Muzeum Budapest ndër të tjera.
Valentina Peri (Burimi Personal)
CMG: Çfarë fotosh keni zbuluar në arkiv? Ia arritët qëllimit, të cilin keni kohë që e synoni?
Valentina Peri: Fotografia ishte pika fillestare e projektit: zbulimi i arkivit fotografik të përbërë nga 120 foto bardh e zi të bëra nga gjyshi im në jug të Shqipërisë midis viteve 40 dhe 42 me një aparat fotografik Hasselblad .Duhet të dini se ky aparat nuk ka mbërritur kurrë në Itali dhe se gjyshi im nuk ka qenë fotograf profesionist. Pas asaj serie fotografish, ai nuk bëri më asnjë foto në jetën e tij.
Si kuratore, është detyra ime të përzgjedh imazhe dhe të organizoj ekspozita, të tregoj një histori ose të eksploroj një koleksion ose një koncept. Ndaj vendosa të kuroja fotot e gjyshit tim dhe të miat, të cilat i bëra me telefon teksa ngjarjet po ndodhnin këtu gjatë udhëtimit tim në Shqipëri. Prandaj, ne të dy dokumentuam të tashmen .Puna ime mund të kishte marrë forma të ndryshme: unë mund të kisha shkruar një libër, ose të redaktoja një dokumentar, të regjistroja materiale audio… Në vend të kësaj, më dukej shumë stimuluese të krahasoja fotot tona, në një mënyrë spontane dhe të pastudiuar, dhe përmes tyre të tregoja historitë tona, si një seri fragmentesh, që pasqyrojnë natyrën e kujtesës dhe procesin e kërkimit.
Edhe në këtë rast leximi bëhet me fragmente, pasi i takon audiencës të vendosë nëse dëshiron ta lexojë të gjithë historinë përmes kartolinave, apo të zgjedhë imazhet që i tërheqin, i nxisin dhe zbulojnë kuptime dhe asociacione të reja për të. leximin e tyre fillestar.
CMG: A sjell arti revolucion?
Valentina Peri: Mendoj se gjatë historisë ideja e revolucionit ka mbështetur shpesh status quo-në në vend që të çojë në ndryshim. Edhe sot flasim për revolucionin si diçka që shihet në të ardhmen, utopike dhe nuk arrin kurrë. Për më tepër, unë mendoj se sot ideja e revolucionit është përvetësuar nga inovacioni teknologjik.
Mendoj se arti që është bartës i ndryshimit ndodh çdo ditë, në mënyrë diskrete dhe të heshtur, jo aq tingëllues sa më duket koncepti i revolucionit.
Arti që sjell ndryshim mbështetet nga puna e palodhur e artistëve dhe profesionistëve të artit, të cilët shpesh janë në prag të pasigurisë, por që besojnë fort në misionin e tyre.
Intervistoi :Megi Latifi