Intervistë ekskluzive e baritonit shqiptar me fame botërore për CMG

Tragjedia e famshme "Makbeth" është kryevepra e parë Shekspiriane që kompozitori më i njohur i operës italiane dhe ndër më të njohurit në botë në historinë e operës në shekullin e XIX, Xhuzepe Verdi vendosi në muzikë, duke kompozuar një Opera me 4 Akte. Për rreth 20 vite kjo vepër e mundoi Xhuzepe Verdin, duke e sjellë me një perfeksion në versionin e fundit të vitit 1865 në Paris.

Makbeth, nuk është vënë në skenën operistike shqiptare dhe baritoni Gëzim Myshketa, konsiderohet si “Makbethi” i parë operistik shqiptar. Vetëm dy vite më parë ai e interpretoi këtë kryevepër, ndër më të vështirat e karrierës së tij artistike, në Teatrin e Cagliari-t, ndërsa në fillim të kësaj vere ai e debutoi këtë rol në një ngjarje të rëndësishme në Britaninë e Madhe, "The Grange Festival" në datat 9,11,17,25,30 Qershor, si dhe më 5 korrik në Londër.

Baritoni shqiptar me famë ndërkombëtare, Gëzim Myshketa ka dhënë një intervistë ekskluzive për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) në lidhje me këtë pjesëmarrjen e tij në "The Grange Festival" .

CMG: Përshëndetje Gëzim Myshketa! Na trego pak angazhimin tënd së fundi në "The Grange Festival".

Gëzim Myshketa: Përshëndetje dhe faleminderit për interesimin. "The Grange Festival" është një nga festivalet operistike verore më të rëndësishmet në Mbretërinë e Bashkuar, ku interpretojnë artistët më të mirë kryesisht britanik, por ka dhe të ftuar nga e gjithë bota. Për mua ishte një emocion shumë i veçantë të interpretoja një nga rolet më të rëndësishëm të repertorit operistik siç është "Makbeth", kryevepra e famshme e Shekspirit, i muzikuar nga babai i operas Xhuzepe Verdi. Është një përgjegjësi shumë e madhe, që një bariton shqiptar të shkojë në Mbretërinë e Bashkuar, pikërisht aty ku ka lindur kjo vepër dhe të interpretojë mes artistëve britanikë dhe ndërkombëtarë. Roli im pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe shtypi kryesor, gazeta “The Telegraph” bëri një kritikë të jashtëzakonshme ku e cilësoi pjesëmarrjen time si një luks për këtë festival, por luksi sinqerisht ishte i imi të isha pjesë e këtij eventi të jashtëzakonshëm dhe të rëndësishëm kulturor. Kjo është në vazhdën e projekteve, të debutimeve të mia Verdiane, pas atyre të vitit të shkuar në Francë, isha në Tokio në operan nacionale me operan "Traviata".

CMG: Cilat janë projektet tuaja në vazhdim?

Gëzim Myshketa: Do të rikthehem me operan "Traviata" në muajin shtator në "Hong-Kong", por mbi të gjitha projekti më i rëndësishëm që pres është debutimi im me dy vepra "Carmen" dhe "Turandot" në festivalin më të madh botëror të hapur, që është legjendari "Arena di Verona". Datat fillojnë që më 11 korrik me "Carmen" dhe mbaron në 2 shtator 2022. Pak a shumë kjo është eksperienca ime e fundit.

CMG: Të falenderoj për intervistën dhe vazhdo të na nderosh me pjesëmarrjet e tua në skenat ndërkombëtare!

Gëzim Myshketa: Të falenderoj për interesimin, ju përshëndes të gjithëve dhe përqafime.

Gezim Myshketa ka lindur në vitin 1982 në qytetin e Durrësit në një familje artistësh. Filloi të studiojë kanto duke rënë menjëherë në sy si një nga talentet më të mirë të brezit të tij.

Ai u diplomua me nota maksimale në Konservatorin "Arrigo Boito" në Parma, nën drejtimin e mjeshtrave Giuliano Ciannella dhe Lelio Capilupi. Vetëm 20 vjeç debutoi në rolin e Figaros në "Le Nozze di Figaro" nën dirigjimin e Antonello Allemandit dhe më vonë me fituesit e konkursit ndërkombëtar Giuseppe di Stefano Trapani. Në vitin 2008 ai fitoi Konkursin Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës " Francesco Paolo Tosti " etj. Gëzim Myshketa është një ndër të vetmit baritonë shqiptarë që ka një famë kaq të madhe e të suksesshme ndërkombëtare.

Gëzim Myshketa, i cili po vijon me sukses aktivitetin e tij operistik në skena të ndryshme botërore , kujtojmë se disa vite më parë solli operan “Carmen” në skenën e Pallatit të Kongreseve jo vetëm si interpretues, por duke realizuar vetë edhe regjinë. Me dëshirën dhe pasionin për të kontribuar në art, ai solli një vit më parë një album antologjik me disa nga këngët më të bukura shqiptare, të lidhura së bashku në një libër me 70 faqe, ideja fillestare e të cilit ishte një libret.

"Ta dish” mban titullin vepra që shënon një moment të rëndësishëm të baritonit me famë ndërkombëtare që përveç këngëve, përmban edhe historinë e secilës prej tyre.

Ai na premtoi se së shpejti do të vijë në një intervistë më të zgjeruar për CMG.

Intervistoi: Sava Lena