Kanë kaluar mbi 40 vjet që atëherë. Ata nuk janë më të rinj të hedhur, ëndërrimtarët e filmit që bëri të ëndërronte mbarë rininë shqiptare. Vitet kanë lënë gjurmën e tyre te secili, por e pandryshuar ka mbetur ndjesia e atij filmi kaq të pëlqyer nga një publik kryesisht i ri. Ishte një film, i ndryshëm, plot jetë dhe ajër, plot pasion e dashuri, një film që fokusonte jetën studentore dhe i bënte të ëndërronte të rinjtë që herët a vonë do e kishin një të tillë. Një film ku interpretonin aktorë të rinj e të bukur, plot me veprim, me dialogje, muzikë, sport, vargje…një mozaik i plotë i një suksesi të paimagjinueshëm.
Filmi “Në çdo stinë”, me regji të Viktor Gjikës dhe skenar të Bashkim Hoxhës, nisi pasi regjisori pa në skenë një dramë të skenaristit, asaj kohe, djalë i ri, Bashkim Hoxha. Ishte viti 1977. Viktorit i kishte pëlqyer shumë drama “Vërshime pranverore”, shkruar nga Bashkim Hoxha, e vënë në skenën e Teatrit Popullor dhe një ditë e takon në Kinostudio, ku ai punonte si redaktor, duke e ftuar të bashkëpunonin për një skenar filmi që do të kishte në qendër rininë. Ishte si të thuash një vështrim poetik mbi botën e të rinjve.
Të dy autorët ranë dakord që historia e dashurisë të trajtohej jashtë skemave të kohës. Intriga e filmit do të bazohej tek trekëndëshi klasik “ai, ajo dhe ai tjetri”, por duke u shtuar ndjenjave të të rinjve edhe një përplasje mes dy pasionesh që dhurojnë emocione të forta: Arti dhe Sporti. Dalëngadalë nisi të përvijohet struktura e skenarit të ardhshëm që fillimisht u titullua “Ngjyra tetori”. Për ta dhënë impaktin e muzikës dhe të sportit tek dy personazhet kryesorë, dy autorët filluan madje të ndiqnin edhe koncertet e orkestrës së studentëve të Institutit të Lartë të Arteve dhe ndeshjet e ekipit të femrave të volejbollit “Dinamo”.
Pastaj nisi puna më e vështirë e zgjedhjes së aktorëve. Roli kryesor, i Zanës, iu besua Anisa Markarian, vajzës së bukur që kishte bërë dy -tre role në kinema, por ndërkohë ishte studente e shkëlqyer e mjekësisë. Talenti, shkathtësia, e saj, mosha, sportiviteti , madje edhe zotësia për të ngarë patinat ishin të gjitha pikë plus që aktorja e re u përzgjodh në rolin e Zanës. Ndërsa për rolin e Besnikut, ndonëse kishte një konkurrencë të fortë për ta luajtur, u përzgjodh aktori i ri, studenti i arteve, Arben Imami, që vite më vonë do ta flakte kostumin e aktorit, për të veshur atë të politikanit. Imami interpreton në film, një djalë nga provinca që vjen në Tiranë me ëndrrën për t’u bërë instrumentist, ndërsa bie në dashuri me vajzën e Fakultetit të Gjeologji –minierave, që luan edhe volejboll me skuadrën Studenti.
Megjithëse studiojnë në profile të ndryshme, Bardhyli për violonçel dhe Zana per gjeologji, dashuria e pastër i bën që ta ndiejnë njëri-tjetrin të afërt dhe të zgjerojnë sferën e shqetësimeve vetjake. Eshtë diagrami i kësaj dashurie që përcakton strukturën kompozicionale të filmit. Me mjeshtëri zbulohen ëndërrat, dëshirat, prirjet dhe detyrat që i presin në jetë. Dashuria e tyre është edhe një goditje ndaj koncepteve të vjetëruara shoqërore.
Filmi është një mozaik ndjenjash, vargjesh, notash dhe situatash. Në realizimin e filmit ndihmuan skuadrat e volejbollit “Dinamo” dhe “Skenderbeu”. Gjithashtu në film janë përdorur vargje të poeteve: J. de Rada, D. Agolli, I. Kadare, F. Arapi, N. Lako, F. Gjata, J. Naci, Xh. Spahiu dhe vargje popullore.
Me filmin “Në çdo stinë” Anisa Markarian mori kupën e Festivalit IV të Filmit Shqiptar 1981 për rolin e Zanës, si aktorja më e mirë në rolin kryesor. Në film spikat aktrimi i saj i natyrshëm, natyra poetike, bukuria dhe hijeshia femërore, ndjenjat e holla dhe herë -herë edhe tonet dramatike.
Ndërkohë që aktori Arben Imami, në të nëjtin festival të filmit, mori medaljonin për rolin e Bardhylit.
Për këtë film është punuar me plot pasion nga të gjithë, prandaj edhe filmi la gjurmë tek njerëzit. Dialogët më të bukura të Zanës me Bardhylin janë xhiruar pothuajse të gjitha në plan portret. Filmi ka plot skena të bukura, ku të paharruara janë skenat: tek kolonat e Muzeut Arkeologjik në Durrës; biseda përgjatë rrjetës së volejbollit si dhe portretet te shkallët e Instituti Bujqësor ku Zana këndon ta-ra-ra-ri-ra-ra, ndërsa Bardhyli fishkëllen melodinë që luante me violonçel.
Por nëse ka diçka tjetër që ky film ka shënuar histori, pa dyshim që është muzika e tij e kompozuar nga Aleksandër Peçi. Një kolonë zanore origjinale, melodioze, shpërthyese dhe shpirtërore njëkohësisht. Nëse ne e shohim aktorin të interpretojë në violonçel, në fakt është i madhi Gëzim Laro, që interpreton (dublon), shoqëruar nga orkestra simfonike e RTV Shqiptar me dirigjent Mjeshtrin Eno Koço.
Ndryshe nga filmi që përjetësohet në celulozë dhe s’ndryshon më, muzika pasurohet e ripërtërihet çdo herë që luhet. Koncertistë të rinj sot e kësaj dite e marrin veprën dhe i japin një jetë të dytë, të tretë, të katërt duke e interpretuar me një frymë të re, ose duke e përshtatur për instrumente të tjerë, dnonëse ajo është krijuar për tu luajtur me violonçel. Një rrugëtim të tillë pati e vazhdon të ketë edhe muzika e filmit “Në çdo stinë”.
Të gjithë këto komponentë jo vetëm e kanë bërë filmin të pavdekshëm, por kanë ndikuar që ai të mbetet i ri dhe të pëlqehet në çdo moshë dhe në çdo stinë.
Neritana Kraja