Helena, Ismaili dhe une - Credit Bukinist

Helena, Ismaili dhe une - Credit Bukinist

“Helena, Ismaili dhe unë” është libër i natyrës së memuarëve, i fundit të autores tashmë të ndjerë Meri Lalaj, i botuar vetëm pak ditë para se ajo të ndërronte jetë. Prandaj është e udhës që ky libër të shihet si një amanet, si porosia e fundit e Meri Lalajt, për lexuesin dhe kulturën shqiptare. Ky libër duhet lexuar qoftë në respekt të punës me vlerë dhe të vazhdueshme të përkthyeses dhe shkrimtares Meri Lalaj në dobi të kulturës shqiptare, por edhe si kontribut biografik ndaj jetës dhe kontributit të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, jetës së të cilit ky libër i referohet.

Meri Lalaj, dikur një mësuese letërsie dhe njëkohësisht krijuese, pati fatin të kalojë momente të bukura me personalitete të shquara të kulturës dhe letërsisë shqipe gjatë shekullit të XX. Përmes librit të saj të fundit, ajo na lë dëshminë e saj për njohjet që pati me çiftin Kadare dhe këtë gjë e bën përmes këtij libri, i cili shkoi në duar të lexueve vetëm pak ditë, para se ajo të largohej nga jeta.

“Helena, Ismaili dhe unë”, është një libër mjaft i vlefshëm, i mbushur me plot të dhëna biografike, kulturore dhe shoqërore, jo vetëm për tre personazhet kryesore të kësaj vepre: Ismaili, Helena dhe ajo vetë, Meri, por edhe për një periudhë të ndjeshme të historisë së Shqipërisë. Pavarësisht se ka qenë vetë dëshmitare e shumicës së ngjarjeve që përshkruhen, meqë Meri ishte mikeshë e hershme me Helena Kadarenë, libri bazohet edhe mbi disa shënime, që autorja i kishte nënvizuar fort në kujtesën e saj, e më pas në letër. Një pjesë të këtyre copëza shënimesh, ia kishte dhënë vetë mikja e saj, Helena Kadare.

Meri Lalaj, Ismail dhe Helena Kadare - Credit Voal

Meri Lalaj, Ismail dhe Helena Kadare - Credit Voal

Sipas atyre që vetë autorja ka deklaruar, kujtimet kishte kohë që kishin zënë vend në bllokun e shënimeve, por në vitin 1997 ajo vendosi që t’i bënte gati për botim, ato që kishte shkruar me dorë.

“E vendosa tryezën mbështetur pas murit të trashë ndarës të kuzhinës, - kështu do ta përshkruante autorja aktin e shkrimit të këtij romani gjatë vitit 1997. U ula pranë makinës së shkrimit. Numërova fletët e bardha ku do të shkruaja – ishin pak dhe mendova që të shkruaja me radhë të shtrënguara, sepse në atë katrahurë nuk mund të gjeja fletë të tjera. Të gjithë pa përjashtim ishin çmendur dhe unë po e shprehja marrëzinë time ndryshe nga të tjerët, duke i shtypur këto shënime me rreshta të ngjeshur në dy kopje, njërën për time bijë, tjetrën për vete, nëse do të mbetesha gjallë pas rrëmujës”. Kështu e kujtonte Meri Lalaj, rrugën sesi nisi ky libër.

Në këtë libër autorja na shpalos gjëra që i dinte veç ajo dhe po të mos i publikonte, me shumë gjasa, do të ngeleshin të panjohura sot e kësaj dite. Stili i të shkruarit është shumë i veçantë, sa disa herë të duket sikur po lexon një roman e jo një libër memuarësh. Pra kemi të bëjmë me një stil të bukur shkrimi dhe me një autore të kultivuar dhe mjaft mjeshtërore.

Një peshë të veçantë në libër luajnë edhe fotografitë e publikuara, të cilat janë të një vlere dokumentare shumë të madhe.

Për shumë vite ky libër ndjenji në sirtar në pritje të momentit kur do të dilte para lexuesit. Ndërkohë autorja, kurrë nuk reshti së shkruari, së përkthyeri dhe së punuari. Në aktivitet të ndryshme të artit e të kulturës, në promovime librash apo ekspozitash, premierash në teatër apo mbrëmje poetike, gjithkund do të ishte edhe ajo e pranishme, një grua me trup të imët, por një shpirt të pasur dhe dashuri të pafund për njerëzit. Shtëpia e saj, një hyrje e vogël në pallatet Agimi, nga dritarja e së cilës mund të shihje Lanën, ishte streha e artistëve, gazetarëve, shkrimtarëve të rinj, gjithkush që kishte lidhje me artin mund të shkonte aty, për një copë kek apo një gotë verë.

Meri Lalaj- Credit Politiko

Meri Lalaj- Credit Politiko

Meri Lalaj ishte grua e rrallë, Shkruante bukur. Fliste bukur. Jetonte si një personazh romanesh. Ajo lexonte shumë, përkthente mjeshtërisht dhe ftohej në çdo aktivitet të letrave, ekspozitave apo koncerteve. Kjo grua kaq mendjehapur dhe dashamirëse njëkohësisht, ndërsa arriti të mbaronte librin e saj të fundit, nuk arriti të bënte një ceremi promovuese për të, pasi vdekja erdhi që ta ndajë nga ne.

Meri Lalaj u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare, pas problemeve të shkaktuara nga koronavirusi. Po kush ishte Meri Lalaj?

Lalaj lindi në Pogradec në vitin 1943. Shkollën e mesme e kreu në vendlindje, ndërsa studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Tiranës, Dega Gjuhë-Letërsi Angleze. Për tre vite ka punuar në gjimnazin e Korçës dhe më pas sfidat e jetës, e ndanë për disa vite nga arsimi, për t’u kthyer në Pogradec ku vazhdoi punën e saj në një shkollë 8-vjeçare, deri kur doli në pension.

Gjatë viteve që punonte si mësuese, ka botuar në gazeta të ndryshme. Që nga vitet e 1990 ka botuar dhe përkthyer shumë libra, ndër të cilët mund të përmendi; “Lasgushi në Poradec” (ditar), “Qentë nuk magullijnë më” (roman), “Gjethe vjeshte” (poezi), “Esenin – një jetë” (përkthim monografi), “Betoveni dhe Revolucioni Frëng” (përkthim), “Romeo dhe Xhulieta takohen” (mbresa për Kosovën), “Dashuri e ndaluar” (roman), etj. Gjatë krijimtarisë së saj letrare, ajo është nderuar me disa çmime letrare, si: Çmimin Kombëtar për vëllimin me tregime, Çmimin për poezinë më të mirë si dhe çmime të tjera.

Neritana Kraja