Mimoza Osmani (Facebook)
Një prej poeteve premtuese të mërgatës shqiptare në Greqi është pa dyshim dhe Mimoza Osmani. Mimoza pjesën më të gjatë dhe më të frytshme të jetës së saj e ka kaluar dhe po e kalon ende në emigrim, ku në këtë jetë të vështirë dhe me sakrifica, ka gjetur muzën për veprat e saj poetike me një frymëmarrje të gjerë tematike. Emigrimi i zbuloi asaj ëndrrën e fëmijërisë, poezinë, për t’i përcjellë lexuesve krijime të bukura artistike, estetike dhe ideore nga një këndvështrim tejet origjinal në lëmin e saj. Mimoza ka përçuar aq natyrshëm tek lexuesi nëpërmjet vargjeve poetike jetën e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi. Në një intervistë për CMG ajo tregon për krijimtarinë letrare si dhe jetën në shtetin fqinj.
Mimoza Osmani ne interviste per CMG
CMG: Ju që nga viti 2019 keni botuar gjashtë vëllime me poezi brenda një kohe të shkurtër. Si ju ka ardhur ky frymëzim?
Mimoza Osmani: Është e vërtetë që kam botuar nga viti 2019 deri tani gjashtë vëllime, por ato janë dorëshkrime që në fëmijëri ku kam filluar të shkruaj dhe tani mu dha mundësia që t’i botoj. Në çdo vit pothuajse kam nxjerrë një botim dhe kemi arritur në vëllimin e gjashtë me poezi, por në dorë kam edhe një novelë që së shpejti brenda dy viteve do ta botoj.
CMG: Me artin ju keni qenë e lidhur që në moshë të vogël sepse dhe keni luajtur përkrah artistëve të njohur. Flasim për jetën tuaj artistike në ato momente që ju u dashuruat pas artit?
Mimoza Osmani: Unë që në fëmijëri kam pasur ato shkëndijat e vogla të artit sepse më jepej të thurja vargje dhe recitoja. Këtë e pa dhe mësuesja e letërsisë, e cila më futi në grupin e recitimeve. Më vonë kur isha në klasën e shtatë me zërat fëminorë është bërë një konkurim në rrethin e Vlorës dhe unë kam fituar çmimin e dytë me këngën “Ejani mblidhuni këtu” me tekst dhe muzikë të Artur Dhamos. Pastaj me kalimin e viteve, në vitin e katërt të shkollës së mesme “Halim Xhelo”, ka ardhur vetë aktori i mirënjohur Albert Vërria, i cili më zgjodhi për një rol të dytë në Teatrin e Vlorës, por që ishte më shumë rol figurant ku unë thashë disa fraza. Një vit më vonë pas atij roli kam luajtur në teatrin amator të rrethit të Vlorës në vitin 1989, në komedinë “Shokët e një dhome” të Ferdinand Hysit dhe aty kam fituar çmimin e parë si protagonistja më e mirë te amatorët. Ngaqë nuk ishin kushtet dhe koha, mua nuk ma dhanë shkollën e dramartugjisë për të cilën ëndërroja dhe bëra një shkollë tjetër në Tiranë.
Arti brenda meje rritej gjithmonë dhe gjeti momentin më të përshtatshëm kur unë isha e mbushur plot me mall dhe dhimbje në emigrim ku jetoj prej 23 vitesh. Në atë kohë u desh një fatkeqësi familjare, kur motra 50 vjeç u largua nga jeta, babai dhe disa muaj më vonë edhe mamaja u nda nga jeta. Pra mu larguan nga jeta tre njerëz njëri mbas tjetrit, dhe unë i kisha akumuluar të gjitha ato që në fëmijëri. Gjithashtu mllefi që kisha që nuk më lanë të vazhdoja rrugën time, shpërthyen duke u bërë poezi me dhimbje, me mall, emigrim dhe dashuri. Ndaj ishin njëri pas tjetrit vëllimet, sepse ishin kohë të akumuluara.
Mimoza Osmani, (Facebook)
CMG: Ju ka mbetur peng që nuk keni nisur shkollën e aktrimit, duke ditur se keni pasur talent që e vogël?
Mimoza Osmani: Më ka ngelur merak që nuk bëra shkollën e aktrimit, por nuk ka gjë sepse u bëra poete dhe fillova të shkruaja. Gjithashtu vajza ime luan teatër në Greqi dhe ajo ka qenë edhe këngëtare në X-Factor dhe nuk e ka mohuar asnjëherë që është shqiptare. Ajo gjithashtu e tha edhe gjatë spketaklit X-Factor që është shqiptare dhe tani ka firmosur një kontratë me një studio muzikore për të publikuar albume muzikore.
Mimoza Osmani.(Facebook)
CMG: Keni mbi dy dekada që jetoni në Greqi bashkë me familjen. Si jeni integruar me jetën atje, qoftë dhe me jetën artistike, sepse në Greqi jetojnë shumë shqiptarë?
Mimoza Osmani: Unë jam pjesë e Lidhjes së Shkrimtarëve në Greqi, jam anëtare e saj por kjo lidhje ekziston vetëm në kartën e anëtarsisë sepse nuk kam pasur ndonjë aktivitet që të organizohet. Për mua Lidhja e Shkrimtarëve nuk luan asnjë rol, ndërsa Lidhja e Gruas Shqiptare në Greqi është më e organizuar dhe jam pjesë e asamblesë. Unë mendoj se rolin e shkrimtarëve dhe artistëve po e luan Lidhja e Gruas, ku më tepër na njohin në rrjetet sociale dhe është një nga mjetet më të sofistikuara tani që mund të na njohin.
CMG: Keni organizime të ndryshme në raste festash në Greqi?
Mimoza Osmani: Lidhja e Gruas ka organizuar disa herë në Ambasadën Shqiptare në Athinë evente të ndryshme, mbrëmje poetike apo dhe evente kulturore.
Poetja Mimoza Osmani (Facebook)
CMG: Ju merr malli për vendlindjen dhe a e vizitoni shpesh Shqipërinë?
Mimoza Osmani: Unë e vizitoj shpesh Shqipërinë, dhe kam një mall të madh, prandaj kam zgjedhur dhe gjuhën shqipe për të shprehur mallin nëpërmjet poezisë dhe vargut tim i cili ka vërtetë dhe vargje erotike, por ka dhe vargje për mëmëdheun, për mallin dhe gjithëçka tjetër. Poezitë e mia kanë tematikë të larmishme pavarësisht se jam më e spikatur në erotikë, por malli dhe emigrimi janë shumë ekzistuese në të gjitha vëllimet e mia. Më merr malli dhe vij dy-tri herë në vit, ndjej një nostalgji, dhe kur largohem e kthej gjithmonë kokën prapa sepse si nëna jote dhe gjuha jote nuk ka. Unë kam zgjedhur mundësinë që të shpreh gjithçka në gjuhën shqipe dhe pse kam pasur mundësinë t’i përkthej në gjuhën greke, por kam zgjedhur të flas në gjuhën shqip sepse dhe lirika që unë bëj është një lirikë me shumë nota folklorike. Unë jam hulumtuese e folklorit dhe nuk dua që të humbasin fjalët e vjetra sepse kam dhe mamin çame, kështu që i ruaj fjalët e vjetra. Unë jam pro modernes, por nuk jam kurrë për humbjen apo asimilimin e fjalëve të vjetra. Sot ka shumë që shkruajnë poezi, por jo kushdo mund të bëhet poet. Ne jemi krijues të mirëfilltë, prandaj unë mendoj se poetët janë shumë të pakët. Më vjen mirë që më thonë poete, por nuk e di sesa jam sepse poetët janë me gishta.
CMG: Flasim për folklorin. Ju keni shkruar një tekst kënge polifonike. Si erdhi bashkëpunimi me grupin polifonik?
Mimoza Osmani: Ngaqë këngët e mia kanë një tingëllim lirik dhe lirika është si melodi shpirti dhe ka muzikën brenda. Kështu që tekstin tim e pëlqeu një këngëtar vlonjat dhe më kërkoi që ta bënte këngë. Këtë këngë, e cila titullohet “Dal te rrënja” e këndon Tarat Avduli, një nga këngëtarët më të mëdhenj të jugut, i cili ka interpretuar mjaft këngë polifonike. Gjithashtu kam bërë edhe një këngë tjetër për gjyshen me Teuta Pangon dhe kompozitori i kësaj kënge është Vladimir Kotani. Ky ishte një sukses tjetër i imi që unë të kem mundësi që një nga tekstet e mia të kompozohet këngë nga kmpozitori i mirënjohur Vladimir Kotani.
Vellimi me poezi i poetes Mimoza Osmani (Facebook)
CMG: Jeni e kënaqur deri tani me krijimtarinë tuaj letrare dhe atë artistike?
Mimoza Osmani: Arti nuk ka fund dhe nëse vetëkënaqesh, do të thotë se ke mbaruar pastaj. Unë asnjëherë nuk kënaqem, por gjithmonë kërkoj të eci akoma më përpara sepse arti nuk ka fund. Nuk jam perfekte, kam shumë për të mësuar akoma, por jam e kënaqur që kam arritur deri këtu. Unë jam modeste dhe nuk jam askushi përpara disa të mëdhenjve tanë.
Mimoza Osmani gjate promovimit te librit te saj (Facebook)
CMG: Cilat janë projektet tuaja në vazhdim në fushën e krijimtarisë?
Mimoza Osmani: Unë kam një shpirt burimor dhe nuk mendoj se mbaroj. Unë jam si ajo miniera që nxjerr gjithmonë, nuk e di mbase më vijnë vetë sepse jam e dashuruar me rimën, ndoshta kam lindur poete dhe mendoj se deri tani nuk më ka shteruar muza dhe nuk besoj të më shteroi edhe në vazhdim. Unë kam në dorë një novelë dhe mendoj ta botoj pak më vonë sepse sapo kam botuar vëllimet me poezi.
CMG: Së fundi një mesazh urimi për dëgjuesit dhe miqtë tuaj.
Mimoza Osmani: Ju falenderoj për këtë intervistë. Gjithashtu përshëndes dëgjuesit e radios tuaj dhe gjithë miqtë e dashamirësit e poezisë, lexuesit, komentuesit dhe sidomos emigrantët.
Intervistoi: Gazmend Agaj