Intervistë me sekretarin e përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Zejeve, Koli Sinjari.
Koli Sinjari (Facebook)
10 qershori, Dita Botërore e Zejeve, e cila festohet në 99 shtete, prej disa vitesh tashmë edhe në Shqipëri është një ditë feste. Aktivitetet e Dhomës Kombëtare të Zejeve janë të shumta me identifikimin e mjeshtrave, por edhe ruajtjen më tej të vlerave kombëtare. Drejtuesi i Dhomës Kombëtare të Zejeve Koli Sinjari na flet për punën e tyre ndër vite, lidhur me ruajten e kësaj tradite të vjetër ende dhe sot.
"Jemi krenarë si Dhomë Kombëtare e Zejeve të kujtojmë këtë ditë, sepse qysh me krijimin e kësaj dhome kombëtare ne kemi punuar gjatë për t’i dhënë artizanatit një frymë të re, për ta riaktivizuar dhe rigjallëruar atë. Kemi bërë një numër të madh aktivitetesh gjatë këtyre viteve, me shpërndarjen në të gjithë trevat shqiptare, ku tashmë kemi një listë të të gjithë artizanëve aktivë dhe punojmë si shoqatë përfaqësuese e tyre", ushpreh Sinjari.
Dhoma kombëtare e zejtarisë. (Facebook)
Një nga pyetjet që bëjmë shpesh është nëse janë të identifikuar këta artizanë dhe a mundet të kemi një numër fiks të tyre?
"Artizanët janë identifikuar sipas qyteteve dhe ne kemi një listë me idenë për të krijuar në vazhdimësi listën e mjeshtrave dhe ndihmës mjeshtërave. Sot kemi mjeshtra nga e gjithë Shqipëria, Shkodra, Korça, Durrësi, Tirana, Sarandë, Gjirokastër, Vlorë dhe Berat. Ndërsa po punojmë për identifikimin e mjeshtërave, krahas kësaj ne punojmë me fondacionin ndërkombëtar "Mikelanxhelo", ku 6 artizanë shqiptarë janë bërë mjeshtëra botërorë. Herë pas here po i listojmë në librin e artë të mjeshtërve botëror. Në Shqipëri ka shumë, jo vetëm në tezgjah, por janë shumë të njohura në sektorin e metaleve, të përpunimit të drurit dhe gurit, kemi mjeshtra të estetikës, e cila ka marrë një zhvillim të madh kohëve të fundit. Kemi në furra buke, pastiçeri dhe mundohemi që krahas identifikimit të tyre t’i mbështesim ata në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe shoqatat e tyre përfaqësuese" tha Sinjari.
Tradita mundet të ruhet, por ndonjëherë ndodh të asimilohet me kulturën dhe traditën e vendeve të tjera ose në rastin më të keq edhe të zhduket. Sinjari shprehet se sot në Shqipëri tradita e artizanatit ruhet me fanatizëm dhe ka një rigjallërim të saj.
"Trashëgimia nga familjet shqiptare në fillim të viteve 90 pati një ulje të artizanatit nga shumë prej tyre. Pas vitit 2000 kemi një rritje të madhe, ku shumë prej tyre po punojnë ngushtë dhe po i kalojnë brezit të ri traditat. Gjatë periudhës para viteve ata ishin të organizuar nëpërmjet disa fabrikave dhe pati një ulje të zejtarëve, por tani ka rritje. Si profesione janë në zhdukje, por në Shqipëri ka një rigjallërim, rivitalizimi i tyre është sepse Shqipëria po kalon nga një vend turistik me pikat fuqishme ku zejtarët po shesin produktet e tyre handmade. Njerëzit duan të kenë një suvenir vendi. Krahas trashëgimisë ka edhe një mbështetje qoftë nga qeveria, por edhe nga Bashkia e Tiranës, nga organizma të ndryshme ndërkombëtare si GIZ etj. Kështu që ka rivitalizim të këtyre profesioneve që ishin në fjetje, por tani kanë marrë zhvillim", bën të dituar sekretari i përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Zejeve, Sinjari.
Dhoma kombëtare e zejtarisë (facebook)
Ka disa qytete ku artizanati ruhet më shumë, si pasojë e zhvillimit të hershëm të kësaj tradite.
"Artizanati ruhet me fanatizëm në qyete si Shkodra, Korça vende ku ka qenë i zhvilluar biznesi i vogël, kanë qenë qytete ku bëhej tregtia dhe aty artizanati ka marrë një zhvillim në qytete me histori artizanati. Berati ka histori shumë të çuditshme bashkë me Shkodrën dhe Korçën, të cilat kanë qenë vendi ku u grumbullua zhvillimi i zejtarisë. Këto qytete e ruajnë akoma traditën, por shpërndarja gjeografike është pothuajse në çdo trevë shqiptare, sepse Shqipëria është vend i vogël dhe qytetet tregtare njiheshin. Kështu që nuk mund të themi vetëm këtu, por kryesisht në qyetete të mëdha" tha Sinjari.
Në kuadër të ditës ndërkombëtare të artizanatit, Dhoma Kombëtare e Zejeve organizoi një sërë aktivitetesh për të mbajtur akoma gjallë këtë traditë të lashtë, sa edhe vetë populli ynë.
"Janë ogranizuar shumë aktivitetete gjatë 10 qershorit. Veprimtari kanë organizuar Shoqata e Zejtarëve të Shkodrës në një panair, si dhe aktivitete nga shoqata sektoriale dhe lokale. Ne si Dhoma Kombëtare e Zejeve, po zhvillojmë aktivitetete si seminare me ekspertë huaj, lidhur me strat up-et dhe digjitalizimin në sektorin e zejtarisë, gjithashtu edhe me metodologjinë për ngritjen e këtij sektori. Vendet e zhvilluara i kanë kushtuar dhe i kushtojnë vëmendje çdo ditë e më shumë zejtarisë. Ne vazhdojmë të punojmë me shoqërimin e mjeshtrave për t’i ruajtur traditat, por edhe profesionet e zejtarëve të cilët janë të kërkuar", tregon Sinjari në intervistë për CMG.