I kemi quajtur dikur filma multiplikativë. Ora e shfaqjes së tyre në ekranin e televizionit ishte një nga momentet më të bukura të fëmijërisë. Dikur ishin të pakët, tani ka shumë të tillë, edhe emrin e kanë ndryshuar. Nuk quhen më filma multiplikativë, por filma të animuar. Personazhet e tyre kapërcejnë kufijtë gjeografikë, kohorë apo të psikikës sonë.

Megjithatë, si gjithçka tjetër edhe ato e kanë një histori. Le të njihemi me historinë shqiptare të prodhimit të filmit të parë të animuar, ose ndryshe historinë e Zanës dhe të Mirit, që nga vizatimi në letër, u kthyen në dy personazhe të dashur dhe me vlerë arkivore.

Filmi i pare i animuar Zana dhe Miri Credit ObserverKult

Filmi i pare i animuar Zana dhe Miri Credit ObserverKult

“Zana dhe Miri”, njihet si filmi i parë i animuar në historinë e filmit shqiptar. Ky film mban si datë krijimi, vitin 1975 dhe si firmëtar, dy krijuesit: Vlash Droboniku dhe Tomi Vaso. Ky vit njihet si data e lindjes së filmit të animuar në Shqipëri.

Por asgjë nuk nisi në zbrazëti: Në vitin 1972, regjisori Mithat Fagu kishte realizuar një film të animuar me titull “Lulëkuqja”, i cili nuk u shfaq asnjëherë. Ndërsa në fillim të vitit 1975 u xhirua me konceptin e një filmi, pjesa teatrale me kukulla, “Vajza me pata”, e regjisorit Esat Musliu. Rreth vitit 1974 lindi ideja e prodhimit të filmit të animuar edhe në Shqipëri. Dhe vetëm në vitin 1975 kemi realizimin e filmit të parë të animuar në historinë tonë të filmit.

Filmi ka një përmbajtje të thjeshtë, por mjaft edukative: Filmi fillon me një varg pamjesh të qytetit, sipas fantazisë së kohës dhe ky varg ndalet në një park ku luajnë me top dy fëmijë, Zana dhe Miri. Duke luajtur, topi bie në një lule të parkut dhe e thyen lulen. Dielli skuqet nga kjo ndodhi. Fëmijët e marrin topin dhe pastaj topi bie në një shatërvan, ku me të lozin edhe peshqit dhe fëmijët nuk mund ta nxjerrin. Zana i lutet një luleje për ndihmë, mirëpo ajo ia kujton Zanës lulen që kishin thyer më parë. Pasi Zana e kupton gabimin që kishin bërë dhe i premton lules se nuk do të përsëritnin atë, lulja me ndihmën e diellit e nxjerr topin nga shatërvani i parkut. Që nga ajo ditë, Zana përkujdeset edhe ndaj luleve që ka në shtëpi. Kjo është me pak fjalë historia e rrëfyer përmes imazheve në filmin për të cilin po tregojmë.

Filmi u prodhua me teknikën e kartonave, me këtë teknikë u prodhuan të gjithë filmat e periudhës së parë. Në vizatimet e dy karaktereve, Zanës dhe Mirit, gjejmë dorën e piktorit Vlash Droboniku, i cili mbasi kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, bëri një specializim të shkurtër në studion “Animafilm”në Bukuresht (Rumani). Filmi multiplikativ ishte një domosdoshmëri e kohës për të mbushur një boshllëk të ndijshëm për filmat për fëmijë, ndonëse tematika që trajtuan ata nuk ishte vetëm për botën fëminore.

Natasha Vodica dhe Vlash Droboniku, në momente pune në Kinostudion Shqipëria e Re - fundviteve 70. Në mur dallohet pllakati i filmit vizatimor Z

Natasha Vodica dhe Vlash Droboniku, në momente pune në Kinostudion Shqipëria e Re - fundviteve 70. Në mur dallohet pllakati i filmit vizatimor Z

Zana dhe Miri, dy personazhet tona, janë dy fëmijë faqekuqë e shëndetplotë, me veshje kombëtare, të malëcisë së Veriut. Miri mban në kokë një qeleshe ndërsa Zana një shami të kuqe. Elementët tradicionalë spikasin fort në këtë realizim. Më tej i shohim dy personazhet tanë, që heqin kostumet e traditës dhe kthehen në dy fëmijë të zakonshëm, të lumtur, të çlirët, por që sikur çdo fëmijë tjetër edhe gabojnë. Filmi në fakt mbështet tek një skenar i thjeshtë, por ka muzikë origjinale, që ia rrit vlerën atij. Muzika është krijuar nga Limoz Dizdari dhe ka mbetur në kujtesën e çdo fëmije të atëherëshëm.

Duhet theksuar se kryesisht në filmat vizatimorë, sundonte lufta midis së mirës dhe të keqes që përfaqëson një nga normat bazë të moralit të përgjithshëm njerëzor sikurse u mbështetën edhe në përrallat popullore.

Duhet theksuar se në Shqipëri mungonte shkolla e filmit të animuar. Krijuesit zgjodhën rrugën e eksperimentimit si mjet për të rritur mjeshtërinë dhe pasuruar idetë me forma interesante. Kartoni u bë teknika e preferuar për regjisorët. Shumë filma, si “Pika e Ujit”, “Pipiruku”, “Dy gosti”, “Festa e pranverës”, “Kau dhe ujku”, etj u realizuan me këtë teknikë.

Më tej krijuesit e filmit të animuar futën teknika të reja, si përshembull teknika e celofanit në filmin “Shkaravinat”, apo të eksperimentonin në teknikën e kuadrove të kombinuara, si në filmin “Lufta për jetën”. Filmi me kukulla që mori të gjithë vëmendjen e krijuesve u pasua nga filmi me vizatime mbi letër apo kukullat e plastelinës.

Zana dhe Miri - Credits KultPlus

Zana dhe Miri - Credits KultPlus

Të gjitha këto teknika, kjo dashuri më filmin e animuar, bënë që një plejadë e tërë piktorësh dhe regjisorësh të suksesëshëm si Bujar Kapexhiu, Tonin Vuksani, Boris Ikonomi, Gazmend Leka, Artur Muharremi, Esperanca Konomi, Majlinda Agolli, Artur Dauti, Robert Qafëzezi, Artan Maku, etj., si dhe një ansambël i tërë piktorësh ekzekutues dhe multiplikatorësh t’i jepnin jetë personazheve me vizatime, kukulla e figura gjithëfarëllojesh.

Kjo gjë bëri që deri në vitin 1995 të ishin realizuar mbi 160 tituj filmash vizatimorë të teknikave të ndryshme. Skenarët dhe subjektet e filmit të animuar, apo bazuar në vepra të shkruara, kanë emrat më në zë të letërsisë shqiptare. Filmat e parë ishin për fëmijë, por më vonë realizuesit kërkuan të trajtoheshin edhe filma për të rritur. Tematikat përfshihin që nga temat e ditës, deri tek përrallat, fabulat e legjendat, duke përfshirë edhe temat më të përgjithshme e universale.

Pa harruar se gjithçka nisi nga Zana dhe Miri, dy personazhet e parë të filmit të animuar në Shqipëri.

Neritana Kraja