Foto:RTSH
Në 95-vjetorin e lindjes të Drita Agollit dhe 5 vite nga ndarja nga jeta, u ribotua libri i saj me kujtime “I paemri”, ku pasqyrohet jeta artistike skenike me përjetimet e përvojat e “Artistes së Merituar”. Në ceremoninë e organizuar në hollin e Universitetit të Arteve merrnin pjesë personalitete të artit e kulturës në vend, të cilët nderuan regjisoren e parë të teatrit shqiptar të diplomuar në Moskë, aktoren dhe pedagogen Drita Agollit. Ministrja e Kulturës Elva Margariti vlerësoi se ky është një libër për të treguar sfidën e grave shqiptare, një libër që ishte detyrim moral i Ministrisë së Kulturës.
Studentët e saj, kujtojnë pasionin e Dritës për teatrin, autoritetin e zërin kritik në ‘habitatin’ e mbizotëruar nga burrat artistë, e mbi të gjitha modelin e një gruaje të lirë.
“Kam qenë me fat që kam pasur një profesoreshë mendjendritur, njeriun më të emancipuar që kam takuar në jetë”, tha regjisori e aktori Mevlan Shanaj. Ndërsa për regjisorin Kujtim Çashku: “Drita Agolli mbetet në vazhdim, jo për mua si një vdekatar, por për të gjithë njerëzit që në njëfarë mënyre na jepet ky mision që ta përcjellim një kod të caktuar estetik tek të tjerët, si një vazhdimësi e këtij rrugëtimi që ne kemi me pedagogen tonë të dashur”.
Stra Tirana
Të pranishme dy vajzat e regjizores, rrëfejnë jo vetëm nënën shembullore, por edhe artisten plot pasione, edhe më pak të njohura, si dëshira e madhe për të kënduar.
Nga roli i Marielit në vitin 1951, tek vënia në skenë e “Lumit të vdekur” e “ Njeriu, virtyti, kafsha” e Pirandelos, në Teatrin Kombëtar në vitin 2000, karriera e Agollit është një shkollë më vete për brezat që vijnë.
Neritana Kraja