Jerida: Gëvei tingxhun nimen hao! Në emisionet e kaluara ne kemi folur për artetet marciale ose siç i thonë në kinezisht Ushu, Gunfu, që nënkuptojmë artin e ndalimit të luftës. Kemi theksuar se artet marciale kanë luajtur një rol thelbësor edhe në përpunimin e rregullave të mirësjelljes dhe moralit. Sot do të flasim për një nga format më të njohura dhe më të përdorura të arteve marciale- Tai xhi quen. Si gjithmonë me mua në studio është sinologu Iljaz Spahiu.
Iljaz Spahiu: Wushu, gongfu- Termi përbëhet nga dy karaktere ose hieroglifë Wu : 武- wǔ) që do të thotë marcial ose ushtarak, luftarak, dhe Shu: 术 (shù), që përkthehet art, teknikë ose metodë. Me këtë term njihet aktualisht edhe sporti modern i Wushu-s. Thamë që Tempulli Shaolin ka qenë baza më e rëndësishme për përhapjen e Wushu-së dhe ka një histori mbi 1500 vjeçare.
-Taijiquan (太极拳- Tàijí quán )– Një lloj boksi tradicional kinez që kombinon forcën me butësinë.
Si një ndër format më të njohura të kongfusë tradicionale kineze, me fokusin në përmirësimin e karakterit të njerëzve dhe në kalitjen e trupit, taijiquan-i u përfshi në listën e parë të trashëgimisë kulturore kombëtare të Kinës të publikuar në vitin 2006. Taijiquan-i është jo vetëm një simbol i kulturës lindore, por edhe forma më popullore e arteve luftarake në botë. Sot ka mbi 300 milionë praktikues të taijiquan-it në mbarë botën.
Pas vitit 1949, me themelimin e Kinës së Re, Taijiquan filloi të përhapet gjerësisht si gjimnastikë për kalitjen e e shëndetit, por edhe si një formë shfaqjeje dhe gare sportive.
-Taijiquan në Tiranë- Çdo të shtunë në orën 8.00 të mëngjesit tek bar “Juvenilja”, ushtrohet nën drejtimin e mësuese Tan-it. Rekomandohet pasi të ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit mendor e fizik, por për këtu duhet që të kesh durim dhe ta praktikosh në vazhdimësi.
Jerida: Mund të na thoni shkurtimisht çfarë është Taijiquan dhe nga e ka prejardhjen emri.
Iljaz Spahiu: Taijiquan-i është një stërvitje e posaçme, që mishëron teorinë e yin dhe të yang, teknikat e sulmit dhe të mbrojtjes, kultivimin e brendshëm e të jashtëm. Rri drejt me kokën lart në qendër të Tokës, ndiej pafundësinë pa cak, frymëzohu prej atmosferës së taiji-së dhe lëre energjinë e brendshme të qarkullojë lirshëm.”
Foto nga VCG
-E ka marrë emrin nga dy parime kryesore të filozofisë së lashtë kineze- “yin dhe yang” dhe “taiji”. Për të parën ne kemi folur në emisionet e mëparshme, ku kemi shpjeguar se Filozofia Yinyang në vetvete ka tre tipare bazë: unitetin, të kundërtën dhe transformimin e ndërsjellët. Yin dhe Yang – dritë-hije, e bardhë e zezë, e mirë e keqe, mashkull –femër.
-Ndërsa Taiji (太极- Tàijí) –përbëhet nga dy hieroglifë Tai dhe Ji, i pari ka kuptimin i madh, tepër i madh, i dyti ka kuptimin e fillimit ose pikës fundore, limitit. Taiji është burimi i lindjes së gjithësendeve, që në vetevete përfshin kuptimet e lartësisë superiore, kufirit superiore, absolutes, unikes.
Deri tani, taijiquan-i ka evoluar në shumë stile, por të gjithë e kanë zanafillën e tyre historike në fshatin Chen të distriktit Wenxian në provincën qendrore Henan.
Para afro 400 vjetësh, themeluesi i këtij fshati, Chen Bu, e solli familjen e vet këtu nga provinca Shanxi. Chen Wangting-u e ka kthyer praktikën e dikurshme të stërvitjes të stilit chen në një art të ri luftarak dhe e integroi atë me idetë dialektike të teorisë yin-yang në “Librin e ndryshimeve”, konfucizëm dhe taoizëm. Në dinastinë Qing (1636-1912), trashëgimtari i brezit të 6-të të kësaj familje e përhapi këtë stil të Taijiquan edhe tek banorë jashtë fshatit. Duke çuar në zhvillimin e shkollave të tjera të taijiquan-it.
-Megjithatë nuk ka një përgjigje të saktë e përfundimtare se kur është krijuar dge cili është krijuesi i Taijiquan-nit.
-Stili chen i taijiquan-it karakterizohet nga lëvizja “mbështjellja e mëndafshit”, me alternimin e shpejtësisë dhe ngadalësisë, si edhe përqëndrimin e fuqisë, për të formuar një lëvizje të rënies së lirë.
“Ka dy stile të taijiquan-it: njëri është për luftim dhe vetëmbrojtje, tjetri për kalitjen fizike dhe jetëgjatësi.
Jerida: Cilat janë disa nga karakteristikat e Taixhiquenit?
Iljaz Spahiu: Tre janë karakteristikat kryesore e Taijiquan-nit
-Taijiquan duke qenë një sport boksi, nuk është thjeshtë gjimnastikë apo vallëzim, pra megjithëse nuk është për ndeshje, rrit aftësinë sulmuese dhe përsos teknikën e goditjes. Në vetvete siç e thamë më sipër veprimet e Taijiquan në vetvete janë veprime mbrojtëse, është një “ndeshje e kulturuar” që synon “të luftosh fort por me butësi” “Të sakrifikosh për të tjerët”.
-Së dyti ka një karakter të dukshëm filozofik dhe kjo shihet që nga lindja e saj e deri veprimet konkrete, të tilla si filozofia dialektike e yin dhe yang, apo veprimet e prera, të qeta, të cilat kryhen sipas këtyre parimeve filozofikë.
-Karakteristika e tjetër është kalitja fizike e trupit. Duhet thënë se një pjesë e mirë e teknikave që përdoren në Taijiquan e kanë zanafillën në mjeksinë tradicionale kineze, dhe që njëkohësisht janë në përputhje me shkencën moderne, pasi në fund të fundit synojnë një trup të shëndosh e jetë sa më të gjatë.
-Pikërisht këto karakteristike janë pikërisht arsyeja pse taijiquan-i është promovuar anekënd botës. Është një sport që iu përshtatet të gjitha moshave dhe fizikut të të gjithë njerëzve. Ka lëvizje të buta, të ngadalta, jo të vështira për tu mësuar dhe që gjithë secili mund ti përshtasë sipas nevojave dhe kushteve personale.
-Taijiquan është tashmë një simbol i kulturës orientale dhe një urë lidhëse mes kulturës orientale dhe asaj perëndimore
Përgatiti Iljaz Spahiu
太极拳 - Tàijí quan (taixhi quen) Taijiquan (ndeshje,boks taiji)
太极 – tàijí (taixhi)
武术- wǔshù (ushu) Arte marciale
功夫 – gōngfū (gunfu) Karate
东方文化 - dōngfāng wénhuà (dunfan venhua) Kulturë orientale