Natrin Çoçka është poet nga qyteti i Elbasanit dhe aktualisht po kryen studimet për "Infermieri të Përgjithshme". Pasioni për poezinë ka nisur në moshën 12 vjeçare. Ai ka fituar shumë çmime në konkurse letrare, dy çmime të treta në poezi në konkurset shkollore si dhe një çmim të parë kombëtar për esenë më të mirë në konkursin e organizuar në Tiranë nga "Pena e Re". Ai është anëtar i "Unionit Global të Poetëve Shqiptarë" dhe poezitë e tij lexohen në një nga radiot më të mëdha në diasporë me qendër në Francë "Radio Lyra". Natrini gjithashtu ka punuar edhe si Gazetar në "Tv Skampa” në Elbasan. Në një intervistë për CMG ai tregon për arritjet e tij të deritanishme si dhe synimet për të ardhmen.
Certifikate trainimi per median, Natrin Cocka (Foto personale)
CMG: Natrin ju jeni student i degës së infermierisë, por punoni dhe si gazetar. Si ka lindur ky pasion për gazetarinë?
Natrin Çoçka: Pasioni im për gazetarinë ka nisur që në moshën 17 vjeçare, kur mu besua dhe një emision në Televizionin Skampa me autor Xhani Shqerra, i cili është një personazh i njohur në botën e medias. Ky emision titullohej “Shëndet plus” dhe kishte lidhje me tematikat e shëndetit.
CMG: Ngaqë studioni në degën e infermierisë, zgjodhët që dhe në televizion të trajtoni tema të mjekësisë?
Natrin Çoçka: Prandaj mu besua ky emision sepse kisha lidhje me mjeksinë. Ky emision kishte lidhje me të gjitha tematikat e sëmundjeve, ku unë merrja infromacionet e mundshme për të gjitha sëmundjet dhe trajtohej në çdo puntatë në emision. Detyra ime kryesore ishte të prisja të ftuarit, të merresha me organizimin e të gjitha inserteve si dhe pyetjet që do ju bëheshin kryesisht doktorëve që vinin në studio.
Natrin Cocka (Foto persoale)
CMG: Pse zgjodhët të studionit në një degë të fushës së mjekësisë dhe jo për gazetari?
Natrin Çoçka: Ka shumë faktorë. Një faktor ishte se unë e kam pasur pasion që i vogël sepse jam rritur nga një nënë, e cila ka qenë infermiere prej 28 vitesh në spitalin e Elbasanit dhe më ka ushqyer ndjenjën e humanizmit si dhe të ndihmoj njerëzit. Arsyeja e dytë ishte sepse më përshtatej dhe me tipin. sepse unë jam një person shumë human dhe kam dëshirë shumë të madhe që të ndihmoj njerëzit, dhe arsyeja e tretë ishte sepse infermieria ishte një nga degët që kishte më shumë punë dhe më shumë të ardhura.
CMG: Si e lidhni ju mjekësinë me letërsinë?
Natrin Çoçka: Unë kam një shprehje timen që e kam të lidhur me mjekësinë. Them që mjekësia dhe poezia kanë diçka të përbashkët, shërojnë dhe prandaj e kam dashur gjithmnë.
Natrin Cocka gjate nje aktiviteti per poezine (Foto personale)
CMG: Mbetemi tek poezia. Ju keni shkruar shumë poezi dhe disa prej tyre i keni botuar në një vëllim poetik. Si lindi pasioni për të shkruar poezi?
Natrin Çoçka: Për poezinë pasioni ka nisur që në moshë të vogël, me vjersha të shkurtëra dhe frymëzohesha dhe nga mësueset e letërsisë. Gjithashtu kam pasur dhe vetë pasion për të lexuar dhe nga librat shkollorë mu shtua dëshira që me pasurimin e fjalorit të mund të pasuroja dhe fjalorin tim poetic. Isha gati të shkruaja poezi shumë të mira dhe tematika të një moshe që ishin më lart se mua, por kisha dsëhirën e madhe dhe vullnetin për t’i realizuar poezitë, esetë dhe prozat.
CMG: Keni botuar dhe një libër me poezi të titulluar “Ngjyrat e jetës”. Sa poezi përmban ky libër?
Natrin Çoçka: Ky vëllim poetik ishte vëllimi im i parë i titulluar “Ngjyrat e jetës”. E kam titulluar kështu sepse ka pasur të gjitha ngjyrat dhe emocionet e jetës, e kam krahasuar me ngjyrat e ylberist sepse dhe njerëzit janë me emocione të njëjta si ngjyrat e ylberit. Pra i kam përfshirë të gjitha në një libër, duke e bërë të jetë edhe më i afrueshëm me lexuesit dhe të përcjellë më shumë emocione te lexuesit. Ky libër përmban rreth 98 poezi, të gjitha të shkruara përreth periudhës 4 deri 5 vjeçare.
CMG: Si kanë qenë reagimet e miqve që i kanë lëxuar poezitë tuaja?
Natrin Cocka gjate praktikes se punes ne spital (Foto personale)
Natrin Çoçka: Reagimin e tyre unë nuk e prisja sepse ishte vëllimi i parë dhe kisha pak frikë sesi do të reagonin njerëzit, por ishin reagime nga më të mrekullueshmet. Kam pasur shumë mesazhe, të cilat ma kanë zbukuruar jetën dhe më kanë bërë shumë të lumtur që të vazhdoj akoma më shumë për të shkruar poezi.
CMG: Ju keni marrë dhe disa çmime në fushën e poezisë. Si jeni ndjerë me këto vlerësime?
Natrin Çoçka: Si fillim çmimet ishin në qytetin tim të Elbasanit, nga publiku elbasanas, në shkollën 9 vjeçare, pastaj vazhdoi dhe në gjimnaz ku kam arritur të fitoj dy çmime të treta në rang qarku. Më pas vazhdoi në Tiranë, ku kësaj radhe çmimi ishte në fushën e esesë, ku kam marrë dhe një çmim të parë kombëtar me esenë e frymëzuar nga një thënie e Gëtes. Gjithashtu një çmim tjetër ka ardhur si pasojë e marrjes pjesë në një konkurs që organizohej në Angli, gjatë periudhës së pandemisë, nga njerëzit që frymëzojnë me anë të poezisë. Aty kam marrë një çmim inkurajues nga organizata “World Humanitarian Drive”, si njeriu i cili ka arritur të frymëzoi botën me poezitë e tij në këto kohë të vështira nga pandemia.
Natrin Cocka ne ambientet e TV Skampa ne Elbasan (Foto personale)
CMG: Gjithashtu ju jeni anëtar i Unionit Ndërkombëtar të Poetëve Shqiptarë. Si arritët të bëheshit pjesë e kësaj organizate?
Natrin Çoçka: Kjo gjë në fillim më është sugjeruar nga disa miqtë e mi, që janë më të rritur se mua dhe që kishin më shumë eksperiencë në këtë fushë. Arrita të gjeja mundësinë që të bëhesha pjesë e kësaj organizate duke parë edhe dashamirësinë që kishin të gjithë poetët dhe mbështetjen e tyre. Mbështetje të madhe kam pasur dhe nga kryetari i kësaj organizate të cilin gjej rastin ta përshëndes, sepse më ka realizuar dhe ëndrrën e botimit të librit.
CMG: Midis gazetarisë, letërsisë dhe mjekësisë kë do të zgjidhnit si më të preferuarën ?
Natrin Çoçka: Mund të duken sikur janë shumë të largëta nga njëra- tjetra, por si gazetaria, mjekësia ashtu dhe letërsia kanë diçka të përbashkët. E para, gazetaria dhe letërsia arrijnë të tregojnë të vërtetën, në thelb kjo duhet të jetë sidomos për gazetarinë të tregojë të vërtetën për gjithçka. Infermieria ka pjesën e humanizmit, e cila futet direkt ose indirekt në pjesën e poezisë. Kështu që për të ndarë dhe për të bashkuar mendoj se është shumë e vështirë, por për momentin meqë jam duke u marrë me infermierinë dhe duke i kushtuar më shumë kohë, do të zgjidhja infermierinë, sepse është shkenca që çdo fjalë që mund të thuhet në gazetari apo poezi e kthen në vepër.
CMG: Jeni i kënaqur me arritjet tuaja të deritanishme?
Natrin Cocka, (Foto personale)
Natrin Çoçka: Kënaqësia më e madhe e njeriut janë arritjet e tij, por shtysa më e madhe janë veprat dhe arritjet e tij. Të ecësh përpara nuk është se do ngopesh ndonjëherë, por arritjet e mia për moshën time kanë qenë shumë më të mëdha, ndërkohë që moshatarët e mi kanë ëndërruar gjërat që unë kam arritur t’i realizoj dhe të luftoj fort për ato. Të thuash që ndjehesh i plotësuar është pak sepse unë kam dhe shumë ëndrra të tjera në fushën e gazetarisë dhe atë të infermierisë. Për momentin jam duke vazhduar infermierinë, duke qenë çdo ditë në shkollë dhe duke marrë pjesë në leksione, por duke qenë dhe në spital me praktikë, duke prekur më nga afër çdo gjë që ne marrim në shkollë, sepse praktika është thelbi i çdo profesioni.
CMG: Sa ju ka mbështetur familja në rrugëtimin tuaj jetësor dhe profesional?
Natrin Çoçka: Familja ime ka qenë gjithmonë pranë për të më mbështetur, ka qenë në çdo hap timin dhe më ka lejuar të bëj çdo gjë që unë kam dashur. Familja ka qenë dhe një nga shtysat më të mëdha që unë kam pasur, për të realizuar të gjitha ëndrrat e mia, si nga ana emocionale, nga ana e mbështetjes edhe nga ana financiare, sepse të gjitha këto kanë pasur edhe një kosto. Unë jam gjithmonë krenar për familjen që kam dhe për gjithë mbështetjen që më kanë dhënë.
CMG: Cili do të ishte mesazhi për brezin tuaj për rrugën që ata duhet të ndjekin në jetë?
Natrin Çoçka: Unë kam një shprehje që duket sikur nuk mund të përdoret, por them se më mirë se të rrish në kafe unë kam zgjedhur që t’i përkushtohem dhe profesionit tim, duke qenë çdo dite në praktikë, duke luftuar çdo ditë për ëndrrat e mia, dhe mund t’ju thoja se kafen mund ta marrësh dhe në punë. Kështu që ndërkohë që mund të rrish dhe mund të bësh në dukje njeriun dembel, mund të luftosh çdo ditë për ëndrrat e tua, pa thënë që Shqipëria nuk bëhet. Shqipëria bëhet nëse ke një rini të shëndetshme dhe një njeri që ka pasione, ka ëndrra dhe që është gati të luftojë çdo ditë për t’i realizuar ato.
Natrini fitues i ccmimit te pare ne ese (Foto personale)
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe miqtë tuaj.
Natrin Çoçka: Përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani. Faleminderit për dëgjimin dhe do ju thoja që të ndjekin gjithmonë këtë radio.
Intervistoi: Gazmend Agaj