Mëusesi i gjuhës ka si qëllim që të bindë nxënësit mbi përfitimet nga të lexuarit. Të lexuarit është një argëtim i këndshëm, që zgjeron imagjinatën dhe rrit njohuritë. Nxënësit duhen inkurajuar që të lexojnë libra jashtë kurrikulës së përcaktuar. Janë mësuesit ata të cilët vendosin disa parametra dhe ofrojnë sugjerime për leximin e librave, por sigurisht që një ndikim shumë të madh ka edhe familja.
Gjithashtu bisedat letrare u japin mundësi mësuesve që të njohin nxënësit në një nivel më personal. Të flasësh për një libër është një formë e mirë për të njohur nxënësit, për të parë se si nxënësit mund të artikulojnë në vetëm pak minuta.
Në bibliotekë (Foto nga Portali shkollor)
Kjo mund të jetë e vështirë për tu bërë, por 20-30 minuta në javë, mund t’i dedikohet leximit.
Për këtë temë flet për CMG mësuesja Gilberta Simoni
CMG: Sa ndikojnë librat shkollorë dhe ato jashtëshkollorë në formimin e nxënësve?
Gilberta Simoni: "Nuk ka mik më të mirë se një libër, ka thënë Ernest Hemingueji.” Unë jam mësuese e gjuhës shqipe dhe e letërsisë, prandaj e di shumë mirë se sa e vërtetë është kjo thënie. Libri ka qenë miku im më i mirë që 3 vjeç, koha kur fillova të lexoj. Ne mësuesit i ndajmë në dy grupe librat, librat shkollorë, që nxënësit i kanë në programin mësimor dhe librat jashtëshkollor, të cilët janë të lidhur më shumë me lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë. Të dyja grupet ndikojnë në dijen dhe edukimin e nxënësve, më konkretisht në zhvillimin e nxënësve, formimin dhe vetë formimin e tyre. Librat kontribuojnë në formimin e vlerave morale, estetike, humane, na ndihmojnë të kuptojmë e të ndërtojmë të bukurën. Mësuesi është personi që e nxit artin e të mësuarit dhe të lexuarit.
CMG: Cilët janë faktorët që ndikojnë në mosleximin e librave?
Gilberta Simoni: Libri është një pasaportë për të hapur universe të ndërtuar ndër shekuj nga shkrimtarë të ndryshëm. Flas më shumë për librat jashtëshkollorë. Kur ja them nxënësve të mi këtë gjë, ata më shohin me habi, pasi sipas tyre është të hapësh google-in apo të shkruash informacionin që kërkohet me një klikim, pra të jetë gjithçka gati. Teknologjia i ka shkëputur nxënësit nga leximi dhe më trishton ky fakt. Trishtohem kur ata lexojnë vetëm atëherë kur janë të detyruar dhe jo për të ndjerë kënaqësi në leximin e një libri. Dëshira për të lexuar kohët e fundit po zvogëlohet. Përveç teknologjisë që u merr vëmendjen dhe gjithë kohën e lirë, familja gjithashtu luan rol në dëshirën e tyre për të lexuar. Fëmijët e familjeve të varfëra lexojnë më pak se familjet që janë në gjendje më të mirë ekonomike, ndërsa vajzat lexojnë më shumë se djemtë.
Mësuese- Gilberta Simoni (Foto personale )
CMG: A ju pyesin ndonjëherë nxënësit -Përse duhet të lexoj mësuese?
Gilberta Simoni: Kjo në fakt është pyetja që më bëjnë më shpesh fëmijët, -Përse o mësuese duhet të lexoj? Unë ju them, që kur t'ju pyesin fëmijët, apo nipërit se kush e ka shkruar këtë libër dhe në cilin libër ndodhet ky personazh, të dini si të përgjigjeni, e mos të turpëroheni. Por përveç kësaj leximi rregullisht i librave na ndihmon në leximin sa më bukur dhe rrjedhshëm, na ndihmon të shprehemi bukur me fjalët tona, me fjalët e duhura, por mbi të gjitha të njohim veten dhe ta ndërtojmë atë përmes personazheve e rrethanave që ata jetojnë. Sot leximi është bërë një sfidë dhe vetëm ata që guxojnë të ushqejnë në shpirt një pasion për të jetuar jo vetëm një jetë, por shumë jetë, me Homerin, Virgjilin, Balzakun, Tolstoin,etj. Vendi ku mund ti gjesh librat? Në Bibliotekë.
Cilat janë përfitimet e të lexuarit?
- Sa më shumë që fëmijët të lexojnë, aq më të artikuluar bëhen. Leximi do t’i ndihmojë ata në të gjitha lëndët e tjera. Mbi të gjitha, ata do të bien në dashuri me leximin.
-Bisedat letrare mund të jenë e vetmja herë, kur mësuesi arrin të dëgjojë edhe zërin e nxënësit më të turpshëm, pasi jo të gjithë janë aktivë. Ky do të jetë momenti kur mësuesi do zhvillojë një bisedë të vërtetë me ta.
- Bisedat letrare janë gjithashtu një shans për t’i rekomanduar nxënësve që të lexojnë sa më shumë libra.
Nxënësit dhe librat (Foto nga Webartcl.ru)
- Nxitja e marrëdhënieve me nxënësit përmes këtyre bisedimeve rreth librave do të ketë një ndikim të madh në komunitetin e klasës, por ajo çfarë është e rëndësishme, në formimin e nxënësit.
Intervistoi: Sava Lena