Sopranoja Feride Istogu Gillesberg është shqiptare, e lindur në Kosovë, e rritur në Gjermani, por aktualisht jeton në Danimarkë. Ajo ka punuar për shumë vite në Institutin Schiller dhe në këtë mënyrë është njohur me muzikën klasike, duke provuar gjithashtu pasionin e madh për të kënduarit bel-kanto. Në një intervistë për CMG ajo tregon për projektin e realizimit të dy CD-ve me këngët lirike të pianistes shqiptare Lola Gjoka, si dhe koncertin që do të mbahet në Tiranë më 23 maj.

CMG: Faleminderit që pranuat të jeni pjesë e emisionit.

Feride Istogu Gillesberg: Faleminderit shumë dhe është nder për mua të jem këtu.

CMG: Përpara se të flasim për një projekt muzikor shumë interesant dhe të veçantë, e keni ruajtur gjuhën shqipe shumë mirë. Si e keni ruajtur, keni lexuar libra në gjuhën shqipe?

Feride Istogu Gillesberg: Në fillim kur kemi qenë fëmijë kemi shkuar për pushime në Kosovë çdo vit. Nga viti 1992 nuk kemi qenë dhe aq shpesh. Në vitin 1994 u martova me një danez dhe jetova në Danimarkë, ku nuk kisha fare kontakte me shqiptarët. Mbas një fare kohe fillova të mërzitem dhe nisa të lexoj me zë për një muaj në gjuhën shqipe, sepse isha duke e harruar gjuhën. Ndaj vendosa se nuk duhet harruar, por duhet mbajtur gjallë gjuha prandaj lexoja me zë.

CMG: Flasim për projektin muzikor, sepse janë regjistruar mbi 50 këngë në dy CD të një ndër pianisteve më të mëdhaja të vendit tonë, që është Lola Gjoka. Na tregoni se si u njohët me figurën e Lolës?

Feride Istogu Gillesberg: Unë personalisht mendoj se një shtet ndërtohet ekonomikisht dhe politikisht, por kultura është shumë e rëndësishme. Jam njohur me muzikën klasike shumë vonë edhe mendova se dhe ne duhet të kemi një lloj muzike klasike. Vitet kaluan dhe ka qenë kongresi i diasporës ku u njoha me pianisten e madhe shqiptare nga Zvicra Ermira Lefort, të cilën e takova menjëherë në kongres dhe prapë më vonë dhe filluam bashkëpunimin. Ajo më njohu me disa këngë të Lola Gjokës të cilat filluam t’i pregatisim për një koncert në Kopenhagen, ndërsa më vonë kishim një plan për një koncert këtu në Tiranë në një program danez-shqiptar.

Filluam për herë të dytë të këndonim dy-tri këngë të Lola Gjokës, dhe u njoha me pianisten nga Shqipëria Rudina Cikon, për të cilën kisha lexuar para se ta njihja dhe ka qenë nder shumë i madh për mua bashkëpunimi me Rudinën. Ajo më tregoi librin me të gjitha këngët e Lolës dhe unë fillova ta ndjek duke luajtur në piano e duke u njohur me një muzikë që më pëlqen shumë. Unë mendoj se është e rëndësishme për një popull ta ketë muzikën klasike si pjesë e kulturës, jo vetëm diçka e cila ka qenë, por dhe sot të ringjallet prapë.

CMG: Sa artistë jeni që keni realizuar këto dy CD, duke përpunuar këngët e Lola Gjokës?

Feride Istogu Gillesberg: Ne jemi 6 këngëtarë. Në Shqipëri pasi u njoha me këto këngë dhe pas koncertit në Tiranë kisha nderin të bashkëpunoja me Rudinën dhe maestro Zhani Cikon, me të cilët biseduam për këtë proçes. Kur u ktheva në Danimarkë, rrugës nga Ulqini për në Danimarkë mendova se këto këngë duhet të jenë të inçizuara, ndaj bisedova me burrin tim danez dhe i tregova për këtë ide, si dhe i thashë se kam qejf t’i inçizoj.

Unë bisedova me maestro Zhani Cikon, i cili menjëherë e pëlqeu idenë dhe biseduam se cilët këngëtarë kanë interes të jenë në këtë projekt. Kështu ndodhi dhe u krijua grupi shqiptar me Mariana Lekën, Erinda Agollin, Antonio Zefin dhe Gerald Murrajn, ndërsa unë në Danimarkë përpiqesha të gjeja danezë, të cilët kanë qejf të këndojnë shqip. Unë i mora dy apo tri këngë dhe mendova se mund të këndoheshin dhe si duete.

Danimarka është një vend i vogël si Shqipëria dhe kur merresh me muzikë klasike i njeh njerëzit. Bisedova me një tenor që është i njohur në të gjithë botën. Atë e kam njohur nga një masterklas dhe e pyeta se çfarë mendon për një pianiste shqiptare që ka bërë shumë këngë. A mund t’i këndonte dy duete me mua. Ai u mendua dhe pranoi të këndonte me mua dy duete. Kështu u krijua i gjithë grupi.

CMG: Grup artistësh nga të dyja vendet dhe artistë shumë të mirë. Ku janë bërë regjistrimet e këngëve?

Feride Istogu Gillesberg: Regjistrimet e këngëve janë bërë në Danimarkë. Kjo ka qenë shumë e rëndësishme edhe për burrin tim, sepse kur e bëmë këtë projekt ne duhet të ishim të sigurtë që cilësia është e mirë, piano gjithashtu e mirë. Jam interesuar se nëse mund të bëhet në Shqipëri, por ngaqë ishte shumë vështirë vendosëm që ne e kemi mundësinë në Danimarkë. Miku im danez më ka ndihmuar nga fillimi derisa janë realizuar inçizimet sepse është vetë producent, djali i tij është teknik zëri dhe u mor me inçizimet, duke krijuar grupin për inçizimet. Kështu ai krijoi mundësi për të bërë regjistrimet në një kishë pak jashtë Kopenhagës, e cila priti artistët për një koncert si dhuratë për komunën.

CMG: Ju e bëtë të gjithë punën, pra e shtruat rrugën dhe bëtë të mundur regjistrimin e këngëve. Sa këngë janë?

Feride Istogu Gillesberg: Janë 49 këngë që kemi regjistruar. Do të jenë dy CD dhe janë gati të gjitha, sepse nga Danimarka do të vijnë dhe në Shqipëri dhe presim me padurim.

CMG: Pra ju e bëtë gjithë këtë proçes, e konkretizuat me dy CD dhe tani do të ndodhin dy koncerte. Koncerti i parë në Danimarkë dhe koncerti i dytë në Tiranë. Kur do të jetë koncerti në Danimarkë dhe koncerti tjetër në Tiranë?

Feride Istogu Gillesberg: Para se të kemi koncertin në Kopenhagë, kishim një koncert në Stokholm më 5 maj dhe më 6 maj kishim koncertin në Lion. Në Tiranë koncerti do të jetë më 23 maj, sepse Lola Gjoka më 22 maj mbush 112 vjet.

CMG: Ju keni ndërtuar dhe një web që ka lidhje pikërisht me koncertin e Lola Gjokës. Si lindi ideja për të krijuar këtë web dhe bashkëpunime të ndryshme?

Feride Istogu Gillesberg: Ky projekt ka qenë shumë i veçantë sepse kemi pasur shumë njerëz që na kanë ndihmuar në Danimarkë dhe këtu në Shqipëri. Unë kam biseduar me njerëz për këtë projekt dhe kisha shumë dëshirë që këtë punë ta përktheja në gjuhën kineze. U takova me Sotiraq Xharon dhe Bujar Taullain dhe menjëherë pasi mësuan idenë e këtij projekti ishin të gatshëm për ta përkthyer në gjuhën kineze. Tani e kemi botuar në faqen web, sepse dy faqe i kemi shqip dhe anglisht në këtë booklet, ku në faqen tonë të website ato janë të përkthyera edhe në kinezisht, gjermanisht, frëngjisht dhe italisht.

CMG: Pra ky album bëhet i njohur edhe për një publik më të gjerë.

Feride Istogu Gillesberg: Po kjo është ideja sepse këngët e përpunuara nga Lola Gjoka janë universal dhe jo vetëm shqiptarët preken nga këto këngë, por edhe danezët, gjermanët, kinezët dhe kjo është bukuria e këtij projekti.

CMG: Ju vetë keni marrë pjesë në një koncert ku keni kënduar në kinezisht. A ishte e vështirë për ju?

Feride Istogu Gillesberg: Shumë e vështirë por ja dola me modesti. E di se gjuha kineze është shumë e vështirë, i mëson fjalët dhe prapë i harron. Unë e mësova këngën dhe punova sepse pata një mësuese që më ndihmoi. Unë në Danimarkë para 5 vitesh në bashkëpunim me Institutin kinez në këtë vend ku organizuam koncerte të ndryshme me qëllim që të krijonim një dialog të kulturave përmes muzikës, për të krijuar urë mes njëri- tjetrit. Këtu kemi pasur dhe muzikë ruse, italiane, suedeze dhe kineze. Unë pata rastin të këndoj në kinezisht një këngë dashurie në duet.

CMG: Përveç koncertit dedikuar Lola Gjokës, keni në mendje një projekt së afërmi që dëshironi ta realizoni?

Feride Istogu Gillesberg: Unë kam shumë ide për koncerte në Skandinavi dhe në Shqipëri. Edhe shqiptarët e Europës e duan një koncert me artistë të dashur dhe me këngë të bukura që të shfaqet këtu në vendin tonë. Ky është një udhëtim për mua, por shpresojmë dhe për brezin e ri të jetë një udhëtim. Konkretisht të gjitha gjërat janë të hapura.

CMG: Unë ju falenderoj përzemërsisht dhe ju uroj për gjëra edhe më të bukura në të ardhmen.

Feride Istogu Gillesberg: Faleminderit shumë. Ky është projekti i parë sepse kam dëshirë të promovoj muzikën shqiptare në bashkëpunim me artistë të ndryshëm.

Intervistoi: Jerida Sakaj