Kavaja nuk është një qendër urbane e ndërtuar rastësisht, por një qytet i krijuar mbi baza të forta e të shtrira në kohë. Kavaja është qyteti i artizanatit, këngës dhe futbollit. Kavaja është një qytet 500-vjecar, por lëvizjen më të madhe administrative, e përjetoi në shekujt XVII-XVIII. Në këtë periudhë Kavaja u bë një qendër e madhe tregtare. Dyqanet, Pazari i Madh dhe xhamitë kanë qenë emblema e qytetit në mesjetë, ndërsa sot nga ajo periudhë zhvillimi, qytetit i ka mbetur vetëm kulla e sahatit, e ndërtuar nga feudali i fuqishëm Ibrahim Bej Alltuni.

Histori

Studiues të ndryshëm, deri vonë kishin mendimin se zanafilla e Kavajës si qendër e banuar duhej kërkuar diku nga mesi i shekullit XVI. Por duke u mbështetur në zbulimet e disa fragmenteve arkitekturore dhe në disa mbishkrime, del se zanafilla e këtij vendbanimi duhet parë deri në shekujt e parë, para erës sonë nga gjetja në kalanë e Zig-Xhafajt në atë kohë e quajtur ‘’Arnisa’’, që i përket shekujve IV-II para erës sonë. Nga këto zbulime arrihet në përfundimin se në Zig-Xhafaj, gjatë këtyre shekujve, ka ekzistuar një qyteze ilire e tipit kështjellë që shërbente si vendbanim, qendër administrative e fetare, si dhe vend strehimi për banoret e zonës në raste luftërash.

Për herë të parë emri i Kavajës u përmend gjatë shekullit të XV. Asaj kohe Kavaja shkruhej si Kavalje, dhe shtrihej në rrugën e njohur tregtare romake, Via Egnantia e që vazhdon më pas në Durrës dhe Elbasan. Sipas studimeve, emrin Kavajë, ky qytet e ka nga emërtimi i fshatit Kavalje dhe i territorit të tij mjaft të gjerë, i vërtetuar me dokumente të mirëfillta shkencore.

Në të dy regjistrat osmane të viteve 1431 dhe 1583 për fshatin Kavalje dhe për qendrat e tjera të banuara përreth tij, jepen të dhëna ekonomike për të ardhurat që mblidheshin nga qeveria e atëhershme në kuadrin e taksave ligjore si edhe numri i banesave (familjeve) të çdo fshati. Gjatë shekullit të XVII dhe XVIII, Kavaja përjetoi një lëvizje të madhe administrative dhe bëhet qendër tregtare. Më pas, qyteti pati dyfish shtëpi në dallim me Durrësin. Një udhëtar i asaj kohe raportonte se vendi në vitin 1670 kishte 400 shtëpi, 200 dyqane, pazarin si dhe katër xhamitë, të cilat u ndërtuan gjatë shekujve XV dhe XVI.

Ato u shkatërruan më pas në shekullin XX, si pasojë e luftrave dhe disa ndryshimeve infrastrukturore.

Traditë dhe Kulturë

Sa herë përmendet Kavaja, mendja të shkon te aktori me famë botërore Aleksandër Moisiu. Familja e mjeshtrit të madh të skenës, asaj gjermane dhe austriake e ka prejardhjen nga Kavaja. Ai ka lindur në Trieste dhe e ka vizituar qytetin e tij disa herë, madje mendohet që një pjesë të fëmijërisë e kaloi në Durrës.

Ndërkohë “Grupi i Burrave” i krijuar në vitet 80-të, falë pasionit të disa të rinjve për muzikën i ka sjllë qytetit çmime nga aktivitetet brenda e jashtë Shqipërisë. Këngëtarja Parashqevi Simaku është një emër i njohur i muzikës shqiptare, që i përket qytetit të Kavajës. Me talentin e saj, ajo shkëlqeu jo vetëm në festivalet e muzikës së lehtë, por solli për publikun shqiptar dhe muzikën popullore të Shqipërisë së mesme.

Kavaja është një qytet që ka një historik edhe në artizant, i cili lidhet me prehistorinë. Nga epoka e bronzit deri tek qytetërimi antik ilir, arti dekorativ dhe ai figurativ u shtri në artizanatin ilir. Qeramika e pikturuar dëshmon për shijen e hollë artistike të artizanëve ilirë. Kjo tradite zbret deri ne ditet tona me prodhimet e bukura te pocerisë së artizanëve kavajas.

Një traditë e lashtë e banorëve të kesaj zone është punimi i gurit dhe sidomos i alabastrës. Banori i këtyre trevave dinte të përpunonte leshin dhe kjo zonë shquhet sidomos për thurjen e sixhadeve dhe qilimave, të cilat janë vlerësuar gjithmonë edhe jashtë Shqipërisë për cilësinë e tyre. Nje traditë e lashtë në rrethin e Kavajës është dhe punimi i filigranit, argjendi e bakri. Një nga aktivitetet e veçantë është prodhimi i bizhuterive prej filigrani argjendi ose bakri.

Ndër prodhimet me karakteristike të trevës janë edhe ato të gdhendjes dekorative në dru sidomos i llullave shumëngjyrëshe, pagureve dhe pjatave dekorative. Qendisja ka qenë një zeje tepër e përhapur dhe e përpunuar ne trevën e Kavajës. Kostumet karakteristike popullore janë të zbukuruara me qendisje fine në mëndafsh, ar dhe argjend.

Turizëm

Vitet e fundit, Kavaja regjistron sezone të suskseshme turistike. Mijëra turistë të huaj dhe vendas zgjedhin plazhet e bregdetit të Kavajës për të pushuar, të cilët shtrihen nga Përroi i Agait deri te Plazhi i Gjeneralit. Ndërkohë që një pjesë e tyre vizitojnë dhe qytetin për të njohur historinë dhe traditat e Kavajës.

Xhamia historike “Kubelie”, portiku i saj dhe kulla 200-vjecare e Sahatit, janë disa nga elementët tërheqës të qytetit të vogël, që mbart plot dëshmi të një historie që shtrihet deri në antikitet. Këtu mund të gjejmë gjurmët e një vendbanimi të lashtë të fisit ilir të Taulantëve, për të vijuar me gjurmët e rrugës “Egnantia”.

Një nga pikat turistike që tërheq shumë vizitorë është dhe Kisha e Shën e Premtes, e cila gjendet në fshatin Çetë të Komunës Helmës, shumë pranë qytetit të Kavajës. Ajo është e njohur për dy pelegrinazhet e mëdha, atë të 25 korrikut dhe 15 gushtit dhe ndërtesa është shpallur monument kulture në vitet 60-të.

Në qytetin e Kavajës, por edhe rreth tij gjenden mjaft monumente natyrore, që ia vlen të vizitohen dhe që vitet e fundit tërheqin mjaft vizitorë të huaj e vendas. Në vitin 2002, territore të ndryshme në zonën e Kavajës u shpallën "Monumente të natyrës". Ato shtrihen përgjatë gjithë territorit të rrethit të Kavajes, dhe janë të vizitueshëm, ndërsa përbëjnë një domosdoshmëri per t'u parë nga pushuesit. Monumente të natyrës u shpallën fosilet detare të Thartorit, burimet sulfurore te Fliballijes, burimet e kripura të Golemasit, masivi me dafina i Kalasë së Turrës (ne plazhin e Spillese), etj.

Elida Lazi