Fieri, një qytet i rrethuar nga antikiteti, ku erërat e ndryshimeve nuk ndalojnë asnjëhere. Mjafton të qëndrosh në Fier dhe kupton që lashtësia është e përfaqësuar plotësisht. Në një largësi nga kryeqyteti prej 113 km, në Fier shkohet me rrugë automobilistike dhe hekurudhore. Qyteti ka shërbyer si një nyje lidhëse me pjesën qendrore, jugore dhe jugperëndimore të vendit. Kjo trevë e vendit ka qenë pozicion i favorshem gjeografik që në burimet e hershme të lashtësisë. Pikat turistike të tij janë të çmuara për të gjitha vendet. Fieri është një qytet mes antikitetit, me nje udhë ndryshimi të shpejtë me një transformim historik, plazhe dhe parqe historike.
Historia
Origjina e qytetit të Fierit shkon në shekullin e VI-të p.e.s. me qytetin antik të Apollonisë (quajtur sipas perëndisë Greke, Apollos). Apollonia ishte qyteti i dytë më i madh Ilir dhe një prej dy pikave të fillimit të Rrugës Egnatia, një prej rrugëve kryesore të Perandorisë Romake dhe asaj të Bizantit. Rruga Egnatia lidhte Romën në Perëndim me Konstandinopojën në Lindje. Origjina e emrit të Fierit është e diskutueshme, megjithatë shumica e kërkuesve besojnë se emri Fier vjen prej fjalës Italiane “fiera”, që do te thotë panair. Sipas mbështetësve të kësaj teze, ishin tregëtarët Venedikas që e emërtuan qytetin në shekujt 14-të dhe 15-të, kur blinin produktet bujqësore në tregjet e qytetit.
Qyteti u themelua në vitin 1864 kur Kahreman Pasha (guvernatori lokal) u kërkoi disa arkitektëve francezë të projektonin qytetin e ardhshëm, si qendër tregëtare dhe artizanale në kryqëzimin e rëndësishëm Lushnjë-Fier dhe Berat-Mallakastër-Seman.
Qyteti u projektua sipas modelit të qyteteve të Rilindjes Evropiane të shekullit të 19-të. Banorët e pare të Fierit ishin shërbëtorët/argatët e Kahreman Pashës si dhe anëtarët e familjeve Vllehe, që kishin jetuar në këtë zonë që prej viteve 1800. Shpejt pas ndërtimit të tregut, Fieri e krijoi statusin e tij ekonomik si një qytet i tregëtarëve dhe zanatçinjve. Rregjistrimi i parë i popullsisë u zhvillua në vitin 1923 dhe qyteti i Fierit ishte i përbërë prej 5 lagjesh me një total prej 1493 banorësh.
Pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1991, Fieri u u shëndërrua në qendrën e dytë më të madhe ekonomike të vendit, pas Tiranës. Fillimi i shek. XX e gjeti Fierin me një fizionomi më të plotë. Në përshkrimin e saj në librin “Brenga e Ballkanit” udhëtarja angleze Edit Durham për vizitën e saj në vitin 1904 shprehet: “Janë ngritur godina solide prej guri, me një arkitekturë çuditërisht moderne.”
Sot Fieri është një nga qytetet më të mëdhenj të vendit me një popullsi gati 100, 000 banorë, me zhvillim ekonomik dhe kulturor-artistik nga më të konsideruarit, i cili po synon përherë e më shumë statusin e një qyteti metropol të Shqipërisë së Jugut.
Turizmi
Një arsye për të vizituar qytetin e Fierit mbetet gjurma më e rëndësishme e qytetërimit të lashtë. Ajo është Apollonia dhe ndodhet vetem 12 km larg qytetit. Sot në Apolloni shihet vetëm 10% e qytetit të lashtë. Në një dimesion tjetër, Apollonia mund të shihet brenda manastirit të saj, i cili sot është përshtatur në muze arkieologjik. Aty gjenden të ekspozuara rreth 800 objekte duke e bërë një nga muzetë më të pasur në Shqipëri.
Muzeu Historik, i cili mbetet dhe ai një nga vendet më të vizituara nga turistët, paraqet në mënyrë të përmbledhur gjithë historinë shumë shekullore të qytetit të Fierit. Me një vijë bregdetare prej 3.5 km, plazhi ranor dhe deti i cekët njeh turistë të shumtë gjatë verës. Me një pyll të dendur dhe të ruajtur mirë, është një nga vendet me të bukura ku panorama e pishave të shoqëron ngado.
Shumë pranë qytetit ndodhet Manastiri i Ardenicës, që vendasit e pagëzojne si “Kështjella e Myzeqesë”. Ajo është e ngritur majë kodrës më të lartë të Myzeqesë, e cila është e mbjellë me qiparisë. Manastiri është një objekt kulti i fesë ortodokse dhe është i banueshëm.
Bylysi është një nga qendrat më të rëndësishme të arkelogjisë në Shqipëri, që zotëron një hapësirë të madhe, sepse nga aty mund të shohësh gjysmën e territorit të Shqipërisë. Në kohë të kthjellët të kap syri malin e Tomorrit, Janinën, detin Adriatik dhe fushën e Myzeqesë.
Turizmi fetar është lloji më i vjetër i turizmit, praktikuar që në kohët e lashta. Në rajon ekzistojnë dy bashkësi fetare, ortodokse dhe myslimane, që jetojnë ne harmoni të plotë me njëra-tjetrën. Objektet e kultit paraqesin shumë interes nga ana arkitektonike dhe e misioneve fetare.
Kultura dhe tradita
Rajoni i Fierit njihet për një traditë kombëtare në folklor si në veshje, instrumenta, këngë etj, dhe kultivon një thesar të pasur e të bukur folklorik ku pasqyrohet vitaliteti, kultura materiale dhe shpirtërore dhe ndenja fisnike. Është e vërtetë që kostumet popullore dhe orenditë e traditës nën përvetësimin e jetës moderne janë zhdukur nga përdorimi i perditshëm, por ato mund të shihen dhe gjenden me tërë bukurinë dhe finesën e tyre artistike në manifestimet folkloristike e në muzetë etnografike.
Sa i përket këngëve dhe valleve, muzika vokale ka një përdorim më të dendur dhe është karakteristike për folklorin tradicional, duke përbërë një specifikë kombëtare. Vlera e valleve popullore përqendrohet në kompozicionet e tyre. Më e njohur dhe me origjinale është dyshja e njohur myzeqare e burrave. Nga instrumentet popullore përmendim sazet, që janë të përbëra nga klarineta dhe defi. Kënga polifonike është mbizotëruese në këtë krahinë.
Ndërkohë Teatri Bylis i ndërtuar në vitin 1971 është një qendër shumë e rëndësishme e artit dhe kulturës. Në të organizohen mjaft shfaqje nga trupa teatrore e estrades Fier, festivale tradicionale lokale dhe rajonale dhe shumë veprimtari të tjera të larmishme.
Rajoni i Fierit gëzon një traditë të pasur edhe në gastronomi. Gatimet e peshkut janë të ndryshme si ngjala, levrek, qefulli etj, por gjithashtu ndër gjellët karakteristike përmenden edhe rosnicat. Edhe mishi i shpezëve të buta, serviret në çdo tavolinë. Tipike janë ëmbëlsirat si qumështori, bakllavaja. Nga pijet më të përdorshme janë rakia e rrushit, manit dhe manaferrës.
Elida Lazi