Poetja Zhuliana Jorganxhi ndodhet këto ditë në Tiranë. Ka lënë për pak Triesten, ku jeton prej vitesh, edhe pse në kohë të vështira pandemie. Një titull i lartë nga Presidenti i Republikës, një medalje nga Bashkia e Tiranës, një libër me tekstet më të mira, një koncert nderimi nga artistët e kohës me këngët e shkruara nga ajo vetë dhe për më tepër takimi me miq dhe shokë, ishin motive mëse të mjaftueshme, që Zhuljana të rikthehet pas në kohë....

...Në kohën kur festivalet e këngës ishin kryefjala e çdo argëtimi, kur netët pa gjumë ishin të gjata, por edhe kënaqësia shumë e madhe.

Zhuliana Jorganxhi është një nga emrat më të veçuar dhe më të zëshëm të artit dhe kulturës sonë kombëtare të shekullit që lamë pas, por edhe të këtij fillim shekulli.

Mjeshtre e fjalës së gdhendur në varg, i simbolikës dhe e metaforës në këngën shqipe, me fjalët e saj ajo ngriti peshë zemrat e shqiptarëve këtej dhe andej kufirit.

Një koncert nderimi për Zhuliana Jorganxhi mblodhi edhe një herë nostalgjikët e këngëve të autores, por mbi të gjithë këngëtarët e atij brezi, të cilët kanë kënduar dhe janë vlerësuar me këngët e autores më të dashur të muzikës shqiptare...

Në rubrikën Kult Mix për mikrofonin tonë, disa nga këngëtarët më në zë rrëfejnë se si e kanë njohur dhe pse e vlerësojnë poeten.

Këngëtarja Mefarete Laze e konsideron poeten Zhuliana Jorganxhi, si mbretëreshë të poezisë së pentagramit:

"Eshtë një respekt, është një vlerësim i punës së saj, Gjithkund është e gjendur dora e saj dhe pothuajse të gjithë atij brezi i kemi detyrime të mëdha. Unë do ta quaja mbretëreshë të poezisë së pentagramit. Ana tjetër e saj është ana njerëzore. Kemi ardhur në festivale 18 vjeçe. Edhe kur po shkruanim tekstin "Nuk kemi kohë për dashurisë, Zhuliana me shaka na thoshte: "Ej, vajza, mua më iku koha e dashurisë, duke bërë tekste, ndërsa ju po ju shkruaj për dashurinë.... Po i shkruaj dashurisë sepse unë s'arrita ta provoj.

Tekstet e Zhulianës janë lirike, epike, por më të bukurat janë ato tekstet e dashurisë, në atë kohë ku të gjitha do të përshkruheshin nga ajo ideja e famshme, Zhuliana krijoi kastën e famshme të poetëve të tjerë të pentagramit dhe krijuan tekste që edhe sot njerëzit kanë nostalgji.

Tekstet për dashurinë ishin një frymëzim për dashuritë tona sepse mandej nga mosha 20 vjeç filluam të bënim dashuri. Në fjalët e saj mësuam ç'është besnikëria, ç'është dashuria, ç'është çiltërsia, ç'është familja, ç'është nëna, ç'është babai, çështë motra, ç'është vëllai.... të gjitha janë tekstet e Zhulianës. Do të thoja se ishte vizionare!"

Zhuliana Jorganxhi, poetja, autorja e qindra këngëve të festivaleve, dekadave të majit, anketave muzikore, ishte tekstshkruesja kryesore dhe redaktore në Radio Tirana, ku përballonte një volum pune të jashtëzakonshme.

Në kujtimet e këngëtarëve ajo vjen jo vetëm si poetja e talentuar, por edhe si artisja që mbështeti dhe besoi tek artistët, pavarësisht kohës dhe rrethanave...

Për këngëtarin dhe kompozitorin Luan Zhegu, Zhuliana Jorganxhi është një histori suksesi. Ai ndan kujtimet e tij për mikrofonin e rubrikës Kult Mix ....

"Unë në radhë të parë e uroj Zhulianën për titullin që mori, i uroj jetë të gjatë dhe suksese, sepse gjatë gjithë karrierës së saj, tekstet e saj kanë pasur sukses.

Me Zhulianën kam bashkëpunuar nëqoftëse mund të themi këngët më të bukura që kam unë në repertorin tim, duke filluar me "Pse kënduam let it be" që është një tekst i Zhuljana Jorganxhi, sipas mendimit tim një tekst jashtëzakonisht i papërsëritshëm. Njëkohësisht edhe me "Jeta s'është lodër"kënduar nga Albërie Hadërgjonaj. Kam pastaj kutime shumë të bukura si këngëtar, duke filluar me "Këngët e rinisë", një perlë e muzikës shqiptare, një muzikë e mrekullueshme... Ne kemi kaluar me Zhuljanën nga suksesi në sukses, kështu që unë gjithmonë mbetem me të gjithë gjërat pozitive. Njeri pozitiv, me një shpirt të madh artisti dhe unë i uroj çdo të mirë".


Një tjetër këngëtare e madhe e muzikës, sjell kujtimet e saj për rubrikën Kult Mix është Irma Libohova, që nuk heziton ta cilësojë punën e poetes "një monument":

"Zhuljana mendoj se është një monument në të gjithë atë plejadën e artistëve në vitet për të cilat ne kemi dalë dhe kemi kënduar dhe kemi qenë pjesë e atyre festivaleve.

Zhuljana duke qenë titullare e institucionit ishte përfaqësuesja më e lartë dhe më e mirë e fjalës poetike në këngë.

Përveç kësaj me Zhulianën kam bashkëpunuar për rreth 2-3 këngë. Kam një këngë "Jeta nis me emrin tënd", kemi këngën "Nuk e harroj", kam këngën "Pragu i vegjëlisë" që e kam kënduar me Mefareten dhe kemi pasur një fat shumë të madh sepse Xhuliana vinte nga një familje muzikantësh dhe ka pasur edhe veshin shumë të mirë. Domethënë me Xhulianën ishte komode në punë. Xhuliana s'të bënte kurrë vështirësi. Ajo e merrte metrikën e vargut shpejt e shpejt dhe herë e thurnim bashkë atë varg e herë Zhuliana vetëm pastaj. Eshtë poeteshë e mrekullueshme.

Fakti që sot Xhuliana ka mbijetuar, edhe ne këngëtarët që sot po këndojmë këngët e asaj, tregon që kemi qenë diçka. Unë shpresoj që edhe ata që do të vijnë pas nesh nga gjithë kjo prurje e madhe, nga gjithë kjo konkurrencë e madhe, të mbetet diçka e mirë".

Botimi me tekstet më të mira, me titullin "Zëri i shpirtit tim", botuar nga Universiteti Europian i Tiranës, si një bërthamë e teksteve më të mira të autores, si dhe koncerti i titulluar thjesht "Zhuliana Jorganxhi", krahas titullit "Mjeshtër i Madh", akorduar nga Presidenti i Republikës dhe medaljes "Mirënjohja e qytetit" akorduar nga Bashkia e Tiranës me rastin e 75 vjetorit të lindjes, ishin si një falenderim i madh i publikut që u rrit dhe u frymëzua nga këngët e saj.

Alida Hisku, këngëtarja që fitoi edhe çmimin e parë me një nga këngët e shkruara nga Zhuliana e përmbyll kës htu kujtimin e saj:

"Kam 50 vjet që njihem me Zhuliana Jorganxhi dhe është plot një jetë e madhe. Gjithashtu kam edhe shumë kujtime se me tekstin e Zhuliana Jorganxhiut, atëherë fitova edhe çmimin e parë me këngën "Vajzat e fshatit tim". Ajo ishte edhe një këngë që më ngjiti në shkallën më të lartë të karrierës sime."

Zhuliana Jorganxhi ka lindur në Korçë në vitin 1946 dhe aktualisht jeton në Triste të Italisë. Karrierën e saj si poete e ka shtrirë gjatë aktivitetit të saj në Tiranë, ku që nga viti 1968 e deri më sot, ka shkruar tekste për këngët e festivaleve. Gjatë karrierës së saj ka punuar si redaktore letrare në Radio Tirana, ku ka dhënë kontribur të spikatur.

Ndër tekstet e poetes mund të përmendim këngët e njohura nga të gjithe: "Jon", "Se kënduam Let it be", "Jeto dhe jetën time","Bashkëmoshatarët", "Në duart e nënës", "Jemi emri i vet jetës", "Kthehu për vete, për mua!" , "Ne, bijtë e lirisë", etj.

Aktualisht ajo bashkëpunon me kompozitorët dhe këngëtarët e vendit të saj nëpër festivale dhe për albumet e tyre muzikore.

Koncerti Nostalgjik i mbajtur në Amfiteatrin e Liqenit Artificial, ku ishte e pranishme edhe vetë poetja, ishte një rrugëtim i bukur në këngët e dashurisë së viteve '60- '90 ku kulmoi edhe karriera e saj. Me talentin dhe dashurinë për artin, ajo me të drejtë konsiderohet mbretëreshë e teksteve të muzikës shqip.