Foto nga VCG
Një raport vjetor i publikuar nga një institucion i lidhur me Ministrinë japoneze të Shkencës dhe Teknologjisë tregoi se Kina ka tejkaluar SHBA-në për punimet shkencore të publikuara nga viti 2018 deri më 2020-n. Kërkimet kineze përbënin 27.2 për qind, ose 4744 punime, të 1 përqindëshit më të lartë në botë të punimeve shumë të cituara nga 2018-a deri në 2020-n. SHBA-ja përbënte 24.9 për qind, ose 4330 punime, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar me 5.5 për qind dhe 963 punime.
Për herë të parë, Kina ka kaluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës si lider në botë si në sasinë ashtu edhe në cilësinë e punimeve shkencore të botuara nga viti 2018 deri në vitin 2020, sipas një raporti vjetor të publikuar nga një institucion i lidhur me Ministrinë japoneze të Shkencës dhe Teknologjisë.
Ekspertët thanë se rezultati pritej duke pasur parasysh numrin e madh të talenteve të Kinës, buxhetin në rritje të kërkimit dhe mbështetjen e qëndrueshme sociale dhe politike për sipërmarrjet kërkimore. Megjithatë, sipas tyre, konkurrenca e teknologjisë shkencore Kinë-SHBA ka të ngjarë të intensifikohet, pasi SHBA-ja miratoi “Chips and Science Act”, për të rritur konkurrencën e saj shkencore kundër Kinës.
Raporti u publikua nga Instituti Kombëtar i Politikës së Shkencës dhe Teknologjisë të Japonisë. Statistikat janë bazuar në mesataret vjetore midis 2018 dhe 2020 dhe janë përpiluar nga kompania analitike “Clarivate”.
Kërkimet kineze përbënin 27.2 për qind, ose 4744 punime, të 1 përqindëshit më të lartë në botë të punimeve shumë të cituara nga 2018-a deri në 2020-n. SHBA-ja përbënte 24.9 për qind, ose 4330 punime, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar me 5.5 për qind dhe 963 punime. Ishte hera e parë që Kina tejkaloi SHBA-në në këtë kategori prestigjioze, theksoi raporti.
Këto punime shumë të cituara janë studime që kanë tejkaluar 99 për qind të kolegëve bazuar në numrin e citimeve të marra. Numri i citimeve është një matje e përdorur zakonisht e cilësisë dhe ndikimit të një studimi.
“Kina është një nga vendet më të mira në botë për sa i përket sasisë dhe cilësisë së punimeve shkencore. Për t'u bërë lider i vërtetë global, do të duhet të vazhdojë të prodhojë kërkime të njohura ndërkombëtarisht”,- deklaroi Shinichi Kuroki, studiues në Agjencinë e Shkencës dhe Teknologjisë në Japoni, për “Nikkei Asia”.
Sa i përket punimeve cilësore që kalonin 90 për qind të konkurrentëve të tyre, Kina kontribuoi me 46.352 studime të tilla, duke zënë 26.6 për qind të totalit botëror, pasuar nga SHBA-ja me 36.80 punime me 21.1 për qind. Ishte viti i dytë radhazi që Kina kryeson këtë kategori.
Për sa i përket mesatares vjetore të prodhimit shkencor, Kina publikoi 407.181 punime nga viti 2018 deri në 2020, duke përbërë 23.4 për qind të totalit botëror. Shtetet e Bashkuara u renditën në vendin e dytë me 293.434 punime.
Shkenca e materialeve, kimia, inxhinieria dhe matematika ishin fushat më frytdhënëse shkencore të Kinës, ndërsa studiuesit amerikanë ishin më aktivë në mjekësinë klinike, shkencat themelore të jetës dhe fizikën, vuri në dukje raporti.
Raporti u publikua në ditën kur presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi “Chips and Science Act”, i cili do të autorizonte mbi 225 miliardë dollarë financime kërkimore gjatë dekadës së ardhshme për ta bërë SHBA-në më konkurruese ndaj Kinës në shkencë dhe teknologji.
Një ekspert për zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë së Kinës, i cili kërkoi anonimitetin, tha se përparimi i Kinës në cilësinë dhe sasinë e prodhimit të saj shkencor është dokumentuar mirë gjatë viteve.
“Këto arritje shkencore kanë luajtur një rol të madh në mbështetjen e zhvillimit socio-ekonomik të Kinës dhe në forcimin e prestigjit të komunitetit shkencor kinez në shkencat kufitare dhe qeverisjen globale të teknologjisë shkencore”,- tha eksperti.
Vitin e kaluar, Kina kryesoi botën në katër fusha shkencore për sa i përket numrit të përgjithshëm të citimeve të gjeneruara nga literatura e saj shkencore botuar nga viti 2011 deri më 2021-shin, sipas një raporti vjetor të publikuar në dhjetor nga Instituti i Informacionit Shkencor dhe Teknik të Kinës.
Këto përfshinin disiplinat tradicionalisht të forta të Kinës, si shkenca e materialeve, kimia dhe teknologjia inxhinierike, me një shtesë të dukshme që ishte shkenca kompjuterike. Kina gjithashtu mbajti vendin e dytë në 10 fusha të tjera, duke përfshirë shkencën bujqësore, biologjinë dhe biokiminë, si dhe shkencat mjedisore dhe ekologjike.
Kur komentoi marrëdhëniet e teknologjisë shkencore Kinë-SHBA, eksperti kinez tha se është turp që dy nga komunitetet shkencore më produktive në botë po luftojnë për të ruajtur historinë e tyre të gjatë dhe të frytshme të bashkëpunimit, kryesisht për shkak të përpjekjeve të politikanëve amerikanë për t'u shkëputur me Kinën dhe të shtypin përparimin e teknologjisë shkencore të Kinës.
“Presioni nga qeveria amerikane vetëm do të motivojë komunitetin shkencor kinez për të bërë përparime më origjinale dhe për të arritur vetëmjaftueshmërinë në shkencë dhe teknologji”,- shtoi ai.