Foto nga VCG
Kultivimi hapësinor është një procedurë që ndiqet prej vitesh nga Kina dhe ka dhënë rezultate të mira, duke marrë parasysh eksperiencat e përjetuara të fermerëve. Disa lloje të farave të rritura në hapësirë kanë dhënë rendimente më të mëdha, periudha më të shkurtra rritjeje dhe rezistencë më të mirë ndaj sëmundjeve. Sipas ekspertëve, përparimi i industrisë hapësinore mund të ofrojë zgjidhje të reja për zhvillimin global të bujqësisë, mbrojtjen e biodiversitetit, si dhe për ndryshimet klimaterike.
Kur anija kozmike e Kinës Shenzhou-14 të kthehet në Tokë më vonë gjatë këtij viti, ajo do të sjellë edhe disa pako të pazakonta me maja birre të rritur në hapësirë. Vijimi i procedurave do të jetë pjesë e eksperimentit të kultivimit të farave në bordin e stacionit hapësinor Tiangong, i cili është në ndërtim e sipër. Shkencëtarët thonë se mikroorganizmi, i ekspozuar në hapësirën e thellë, do të nxisë mutacione gjenetike që mund të krijojnë një ekzemplar superior në tokë.
Krahas mostrave të majave, pjesë e pasagjerëve hapësinorë janë edhe fara orizi, soje, perime dhe një sërë speciesh bakteriale që janë thelbësore në ruajtjen e ushqimit. Ato u përzgjodhën nga “Beijing Capital Agribusiness & Foods Group”, me synimin për të çuar bimë dhe mikroorganizma në orbitë, t'i risillnin në Tokë dhe më pas të përdoreshin për të ofruar ushqim dhe pije cilësore.
Kultivimi në hapësirë ka të bëjë me ekspozimin e farave dhe ekzemplarëve të tjerë ndaj rrezatimit kozmik dhe mikrogravitetit gjatë një misioni fluturimi në hapësirë për të ndryshuar gjenet e tyre.
Kur mostrat e ekspozuara në hapësirë të kthehen në Tokë, shkencëtarët do të ekzaminojnë dhe vlerësojnë mutacionet e tyre. Krahasuar me llojet e tyre natyrale, disa janë pozitive, duke sjellë veti favorizuese për fermerët, të tilla si rendimente më të mëdha, periudha më të shkurtra rritjeje dhe rezistencë më të mirë ndaj sëmundjeve.
Më e rëndësishmja, ushqimi prej hapësirës është i sigurt për konsum njerëzor. Zhao Hui, ekspert me Akademinë Kineze të Teknologjisë Hapësinore, tha se ndryshe nga gjenet që transferojnë ushqimin e modifikuar gjenetikisht nga speciet e tjera, farat dhe ekzemplarët e rritur në hapësirë i nënshtrohen një mutacioni vetëm të gjeneve të tyre.
Gjenerimi i tipareve të papritura është një veçori tjetër. Liang Sili, akademik në Akademinë kineze të Shkencave, hulumtoi teknologjinë pasi provoi një spec jeshil 500 gramësh të rritur në hapësirë. Sipas tij, perimja përmban më shumë vitamina se llojet e zakonshme dhe është shumë e shijshme.
Kina është një vend pionier që kërkon të aplikojë teknologjinë e kultivimit hapësinor për bujqësinë në tokë.
Vendi më i populluar në botë kreu eksperimentin e tij të parë të kultivimit në hapësirë në vitin 1987, duke lëshuar pako me fara përmes një sateliti dhe duke i kthyer ato në Tokë pas ekspozimit ndaj rrezatimit kozmik.
Që atëherë, qindra fara të specieve bimore kanë udhëtuar me dhjetëra satelitë të rikuperueshëm të vendit dhe anije kozmike Shenzhou.
Gjatë tre dekadave të fundit, programi kinez i kultivimit hapësinor ka ndihmuar në prodhimin e më shumë se 300 varieteteve të bimëve dhe 700 llojeve të reja të bimëve, duke filluar nga perimet, frutat dhe lulet. Sipërfaqja totale e mbjelljes ka tejkaluar 2.8 milionë hektarë, afërsisht sa madhësia e Masaçusetsit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes këtij programi, është rritur prodhimi i grurit me 1.6 miliardë kg dhe janë gjeneruar përfitime ekonomike me vlerë mbi 240 miliardë juanë (rreth 35.6 miliardë dollarë), tha Zhao, gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Aleancës së Inovacionit në Industrinë e Kultivimit të Hapësirës në Kinë.
Në provincën qendrore kineze Henan, Liu Shunde është një fermer që ka përfituar nga teknologjia hapësinore. Në vitin 2016, ai dërgoi 13 gramë fara preshi në orbitë për 12 ditë në një satelit shkencor të rikuperueshëm.
Pas katër vitesh kërkimesh në tokë, mutacionet e preshit të shkaktuara nga hapësira krijuan një varietet të ri më rezistues ndaj të ftohtit dhe sëmundjeve. Që atëherë, biznesi i Liu është zhvilluar me shpejtësi, me sipërfaqe më të mëdha mbjelljeje, rendimente më të larta dhe më shumë të ardhura.
Histori të ngjashme suksesi janë raportuar në mbarë vendin, pasi kultivimi i hapësirës ka përfaqësuar një qasje novatore për të ndihmuar fermerët kinezë të përmirësojnë produktivitetin e tyre.
Testet e kultivimit të hapësirës janë kryer në të gjitha misionet e fluturimit gjatë fazës thelbësore të verifikimit të teknologjisë të projektit të stacionit hapësinor të Kinës. Mijëra fara dhe mikroorganizma u transportuan në hapësirë dhe u kthyen në Tokë nga ekuipazhet e anijeve kozmike Shenzhou-12 dhe Shenzhou-13.
Astronautët në bordin e Shenzhou-14, të nisur më 5 qershor, do të kryejnë më shumë eksperimente kultivimi në hapësirë.
Zhao beson se me përparimin e industrisë hapësinore, njerëzit do të dërgonin më shumë fara në hapësirë, duke krijuar një “oaz hapësinor” në të ardhmen, i cili mund të ofrojë zgjidhje të reja për zhvillimin global të bujqësisë, mbrojtjen e biodiversitetit, si dhe për ndryshimet klimaterike.