Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë bohen balance dhe vlerësohet realiteti në të cilin jeton brezi i ri. 1.2 miliardë banorë të botës janë të moshës 15-24 vjeç. Çfarë bëhet për shkollimin, punësimin dhe krijimin e kushteve të mira të jetesës së të rinjve në mbarë botën? Cili është shembulli i Kinës në këtë drejtim?

Ndiqni artikullin e China Daily me temë:

Foto:VCG

Foto:VCG

Të rinjtë kanali për rigjallërimin rural

Dita Ndërkombëtare e Rinisë, e festuar çdo vit më 12 gusht, është një rast i rëndësishëm për të vlerësuar kontributet thelbësore të më shumë se 1.2 miliardë njerëzve të moshës 15-24 vjeç në mbarë botën për zhvillimin global. Rastësisht, 1 miliard nga ata të rinj jetojnë në vendet në zhvillim.

Është gjithashtu një kohë për të menduar ndryshimet sistemike të nevojshme për të përmbushur më mirë nevojat e të rinjve në mbarë botën, veçanërisht në zonat rurale ku jetojnë shumica e të rinjve.

Në Afrikën Sub-Sahariane, për shembull, 70 për qind e popullsisë së përgjithshme është nën moshën 30 vjeç, brezi i ri më i madh që ka pasur ndonjëherë rajoni. Ironikisht, numri i madh i të rinjve përbën një sfidë për vendet sub-Sahariane, pasi nuk është e lehtë të krijohen vende të reja pune të denja për një popullsi kaq të madhe.

Megjithatë, është gjithashtu një mundësi për ato vende që të investojnë në të ardhmen, duke forcuar arsimin dhe shërbimet sociale, dhe duke ndërtuar kapitalin njerëzor për brezin që përbën grupin më të madh në shoqëri. Njëkohësisht, në shumë rajone anembanë botës, të rinjtë po lëvizin drejt qyteteve me një ritëm në rritje, duke shkaktuar një mungesë në rritje të punëtorëve të rinj dhe perspektiva novatore kaq thelbësore për rigjallërimin e ekonomive rurale.

Mirëqenia dhe stabiliteti i të rinjve janë të ndërlidhura ngushtë me qëndrueshmërinë e shoqërisë në tërësi. Në kohë tronditjesh, të tilla si stanjacioni ekonomik, kriza klimatike në rritje ose pandemia ende në vazhdim, të rinjtë janë shpesh të parët që humbasin punën e tyre. Sidomos, në shumë vende në zhvillim, të rinjtë shpesh mbajnë mbi supe një barrë të rëndë në mënyrë disproporcionale kur bëhet fjalë për të mbështetur një familje me shumë breza. Një i ri shpesh mund të ketë nevojë të mbështesë fëmijët e tij të vegjël, prindërit në pension dhe madje edhe gjyshërit.

Foto:VCG

Foto:VCG

Papunësia e të rinjve në vende të tilla përbën një problem madhor, i cili jo vetëm prek vetë të rinjtë, por jehon edhe ndër breza.

Qeveria kineze ka qenë prej kohësh një promovuese e fortë e angazhimit të të rinjve, e pasqyruar në një sërë politikash, duke përfshirë "Librin e Bardhë mbi Rininë" e botuar në fillim të këtij viti. Sipas librit të bardhë, në vitin 2021, rreth 470,000 të rinj u përfshinë në zbatimin e Strategjisë së Rivitalizimit Rural të Kinës në nivel bazë, duke kontribuar në sektorët e arsimit, bujqësisë dhe shëndetësisë.

Miliona studentë të rinj kanë marrë pjesë në aktivitete sociale rurale, duke shkuar përtej çrrënjosjes së varfërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm bujqësor. Të rinjtë kanë një nxitje të fortë për të mbrojtur natyrën si dhe mjedisin jetësor njerëzor dhe përdorin metoda novatore, si digjitalizimi, modelet e reja të biznesit dhe marketingu i modernizuar dhe lidhja e zinxhirit të vlerës, për të ndihmuar në rritjen e të ardhurave dhe standardeve të jetesës së banorëve ruralë. Aktivitete të tilla do të forcojnë gjithashtu sigurinë ushqimore për të gjithë.

Pavarësisht gjithë kësaj, të rinjtë ruralë në Kinë janë nën presion të jashtëzakonshëm dhe duhet të punojnë shumë për të përmirësuar jetesën e tyre në mënyrë që të krijojnë një të ardhme më të mirë për familjet e tyre dhe veten e tyre. Çuditërisht, ky presion shpesh rezulton në migrimin e shumë të rinjve në zonat urbane në kërkim të punëve më të paguara. Si rezultat, popullsia rurale në shumë zona përbën një përqindje të lartë të të moshuarve dhe femrat në fuqinë punëtore janë më shumë se meshkujt.

Prandaj, nxitja e të rinjve për t'u kthyer në zonat rurale është një pjesë integrale e politikës së rivitalizimit rural të Kinës, pasi ato nevojiten për të zëvendësuar brezin e vjetër në pension. Të rinjtë gjithashtu kanë disa avantazhe në atë që fitojnë aftësi të reja, janë më të arsimuar se gjeneratat e mëparshme dhe kanë një mentalitet inovativ kur bëhet fjalë për fuqizimin e zonave rurale.

Për të inkurajuar të rinjtë që të kthehen dhe të qëndrojnë në zonat rurale, së pari, zonat rurale duhet të përmirësojnë mundësitë e arsimimit për të rinjtë, në mënyrë që ata të mos kenë aq nevojë të migrojnë në qytete për të marrë arsim dhe trajnim profesional.

Së dyti, punët duhet të ofrojnë perspektiva tërheqëse për karrierë dhe paga të mira për të rinjtë, në mënyrë që ata të mund të përmirësojnë jetën e tyre si dhe atë të anëtarëve të familjes së tyre.

Së treti, për të lehtësuar presionin midis brezave mbi të rinjtë, shërbimet sociale në zonat rurale për fëmijët dhe të moshuarit duhet të përmirësohen dhe zgjerohen.

Foto:VCG

Foto:VCG

Dhe së katërti, të rinjtë ruralë që janë ambiciozë për të filluar biznese të vogla duhet të kenë akses në shërbimet financiare dhe të udhëhiqen në praktikat e qëndrueshme të investimeve. Angazhimi i të rinjve në aktivitetet dhe qeverisja rurale dhe komunitare do të rrisë gjithashtu ndjenjën e tyre të integrimit dhe llogaridhënies për komunitetet e tyre, duke përfituar në këmbim rigjallërimin rural.

Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor ka mbështetur modernizimin bujqësor të Kinës për më shumë se 40 vjet, me një fokus në rritje te të rinjtë dhe duke udhëhequr veprimet e tyre transformuese.

Vitet e fundit, IFAD ka fuqizuar të rinjtë të marrin pjesë në bujqësi duke mbështetur organizatat e fermerëve, duke organizuar programe trajnimi për teknologjinë bujqësore, duke promovuar inovacionin, duke krijuar mundësi punësimi dhe duke ndërtuar zinxhirë vlerash gjithëpërfshirëse.

Në të gjitha projektet në vazhdim, fokus i veçantë i kushtohet krijimit të më shumë mundësive për të rinjtë dhe ndarjes së burimeve specifike për nxitjen e sipërmarrjes, sipërmarrjeve të udhëhequra nga të rinjtë dhe kooperativave në zonat rurale.

Një shembull i duhur është Kooperativa e Fermerëve të Specializuar të Çajit Gongyi (Gon yi). E themeluar në një zonë të largët malore në distriktin Xuzhou (Shuxhou), qyteti Yibin (Jibin) i provincës jugore të Sichuan (Sëçuan), ai mbështetet nga Programi Inovativ për Reduktimin e Varfërisë të IFAD. Ky fond mbështet kooperativat e specializuara të fermerëve si kjo, duke financuar biznese të reja që janë krijuar posaçërisht për të rritur të ardhurat e fermerëve të vegjël, të rinjve dhe grave me të ardhura të ulëta, nëpërmjet modeleve novatore të biznesit dhe kanaleve të marketingut.

Një nga 126 anëtarët e kooperativës është Gong Ming, (Gon Min) një grua 23-vjeçare e cila u rrit në fshat dhe i pëlqen të rrisë gjethet e çajit, një aftësi që ajo e mësoi nga prindërit, të cilët gjithashtu punojnë në kooperativë. Pas mbarimit të shkollës së mesme, ajo pati mundësinë të studionte shkenca kulturore në fakultet.

Megjithatë, pasi mori diplomën, ajo u kthye në vendlindje, sepse donte të ndihmonte bashkëfshatarët e saj të rrisnin të ardhurat, duke përdorur kanale moderne të shitjes. Ajo tani përdor të kuptuarit e saj për trashëgiminë kulturore kineze, pjesë integrale e së cilës është çaji, për të rritur shitjet online dhe të drejtpërdrejta të produkteve të kooperativës.

Foto:VCG

Foto:VCG

Duke u shitur drejtpërdrejt shitësve me pakicë dhe konsumatorëve në të gjithë Kinën dhe madje edhe jashtë saj, kooperativa jo vetëm që ka rritur shitjet e saj, por edhe ka reduktuar nevojën për ndërmjetës në zinxhirin e vlerës. Gong gjithashtu ndihmon kooperativat e tjera në zonë për të shitur produktet e tyre në internet dhe ka trajnuar disa gra vendase për të kryer shitje të drejtpërdrejta.

Strategjia e Rivitalizimit Rural të Kinës ka treguar se të rinjtë si Gong luajnë një rol kyç në promovimin e inovacionit dhe marrin iniciativën për të modernizuar kooperativat dhe ndërmarrjet, për të nxitur shkencën dhe teknologjinë bujqësore dhe për të zgjeruar bizneset dhe modelet e reja të biznesit.

Si e tillë, është e nevojshme të ndihmohen gjithnjë e më shumë të rinj që të vazhdojnë të ndërtojnë arritjet e tyre, veçanërisht duke forcuar kohezionin ndër breza dhe duke nxitur shërbimet sociale si kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit në zonat rurale, të cilat së bashku me mundësi më të mira jetese do të forcojnë qëndrueshmërinë socio-ekonomike të të rinjve.