Kujtimet janë një pjesë e jetës sonë. Shpesh ne mendojmë për momentet e bukura ashtu edhe për ato të trishtuarat. E rëndësishme nuk është thjesht të jetosh vetëm me kujtime, por të krijosh kujtime të reja çdo ditë.
Kujtimi është një proces i kujtesës ku mbartim imazhe nga e kaluara e largët. Ky është restaurimi mendor i ngjarjeve të jetës, ku me ndihmën e tij krijohet një lidhje e vazhdueshme midis fëmijërisë së hershme dhe pleqërisë së një personi.
Kujtimet e bukura na tregojnë për një të kaluar të pasur, ndërsa ato të trishtuarat na tregojnë që kemi qenë mjaftueshëm të fortë për të vazhduar më tej.
Psikologia Klodi Kadillari flet për Grupin Mediatik të Kinës për këtë temë.
Foto nga Inc magazine
CMG: Çfarë janë kujtimet dhe sa ndikojnë në jetën tonë?
Klodi Kadillari: Për mua është kënaqësi si psikologe, shkrimtare, pse jo dhe si artiste të flasim për këtë temë të mrekullueshme, siç janë kujtimet. Do doja ta nisja me një shprehje nga Shekspiri: “Zemra ime do të kullonte gjak, nëse nuk do të rikthehesha te kujtimet ose kujtimet nuk do të ishin më pjesë e imja”.
Kujtimet janë një kujtesë, kujtesa është gjurmë e një ngjarje ose përvoje të vetme apo e një kompleksi ngjarjesh dhe përvojash të së kaluarës, të ruajtura në vetëdije. Te kujtimet ose derivati për të kujtuar, është sinonimi kujtesës, por me kuptime më të kufizuara. Vetëm kujtesa në fakt tregon funksionin psikik, aftësinë për të mbajtur mend. Psh. akti i të kujtuarit, rikujtimi në mendje i imazheve, nocioneve, ngjarjeve, prania e një fakti ose një personi që sot nuk jeton, por jetohet koha kur ka jetuar. Atëherë për mua kujtimet janë si ajo nyja në shami, të cilën po ta zgjidhësh të çon tek e kaluara. Pra, duke i mëshuar faktit që nuk mund të kemi një të tashme pa një të kaluar.
CMG: A janë kujtimet në aspektin psikologjik një forcë që të mbajnë peng tek e shkuara?
Klodi Kadillari: Mendoj se çdo kujtim është në simbiozën ose në bërthamën e gjithë qënies sonë. Nëse ne mbajmë në atë nyjen e shamisë, të gjitha kujtimet do të na ndihmojnë me të tashmen dhe nëse këto kujtime janë kujtime që reflektojnë pozitivitet, ato janë të mirëseardhura. Sepse kujtimet janë pjesë e jona, nuk mund t’i cilësojmë peng, sepse tek e shkuara nuk bëjnë pjesë vetëm kujtimet apo momentet e bukura. Aty ndodhet një jetë e shkuar me të mirat dhe me të këqijat, me momentet e bukura dhe të vështira. Nëse më vjen ndërmend, 27 janari, dita e Holokaustit, duhet ta kujtojmë në memorien kolektive si një reflektim i asaj çfarë ka ndodhur, domethenë një reflektim i memories individuale dhe memories kolektive për të reflektuar mbi Holokaustin. Ose nëse kujtojmë datën e humbjes së jetës së një personi tonë të dashur. Nuk duhet ta kujtojmë këtë datë si një nga momentet që jemi ndjerë keq, por le ta kujtojmë këtë datë si një datë ku personi që është larguar nga jeta jonë ka lënë momentet më të bukura, ka lënë kujtime, çaste, këshilla e pse jo të ecim me këto çfarë ka lënë ky person, një lloj bagazhi, pasurie mund ta quaj.
Nuk duhet të jemi peng i së kaluarës përmes kujtimeve, por le të krijojmë një kuti ku të vendosim copëzat, momentet më të bukura të jetës që kemi kaluar. Vetëm kjo na ndihmon të mos mbetemi peng e së kaluarës.
Foto nga Quotes Gram
CMG: Përse një pjesë e mirë e informacionit në fëmijëri nuk memorizohet gjatë rritjes?
Klodi Kadillari: Memorien te fëmijët e vegjël ose foshnjat do ta cilësoja memoria ose kujtesa që arrihet tek mbajtja e informacionit, që do të thotë pjekja e qelizave. Është koha kur fëmija mund të mbajë mend informacione dhe vetëm atëherë kur kemi të bëjmë me migrimin qelizor, me anë të të cilit neuronet arrijmë pozicionin e tyre përfundimtar. Deri në moshën 3 vjeçare kemi të bëjmë me fazat e njohjes, me stimuj më të kushtëzuar siç janë ato të shijes dhe nuhatjes, ndërsa në fazat e mëvonshme të rritjes te kushtëzimi ndaj stimujve deri tek operimet dhe stadet e tjera psiko motorike.
Sipas meje, fëmija ose foshnja arrin të memorizojë ndodhi të së kaluarës, atëherë kur kemi të bëjmë me kapërcimin e këtyre fazave, stadeve. Proçesi i zhvillimit është paraqitur në një spjegim për amnezinë e fëmijërisë dhe është një nga teoritë më të besueshme, që ekziston deri më sot. Këto procese themelore përfshijnë disa rajone të trurit si formimin, ruajtjen dhe më pas procesin e të mbajturit mend. Pra sipas meje, deri në moshën 6 vjeçare fëmija duhet të kalojë nëpër faza të ndryshme të zhvillimeve të stadeve psiko-sociale, psiko-motorike.
CMG: A mund të kthehet një kujtesë afatshkurtë në afatgjatë dhe si?
Klodi Kadillari: Dihet që njeriu ka dy sisteme kujtesash, është kujtesa afatshkurtër dhe ajo afatgjatë si dhe procesi të drejtojë transformimin nga njëri sistem te tjetri është tejet selekiv. Kjo e spjegon se pse njeriu është i aftë të harrojë ose të kujtojë gjëra të caktuara sepse pikërisht këtë efekt ka memoria afatshkurtër dhe memoria afatgjatë ose funksioni i trurit, i cili ka rolin dhe qëllimin e tij që ta mbrojë nga rreziku. Domethënë funksioni i trurit është të na mbrojë nga rreziku për të mos u mbytur nga një masë e madhe njohurish, kryesisht të padobishme që marrim çdo ditë dhe janë disa të dhëna dhe njohuri që nuk janë të dobishme. Kjo ngjan me serverin, për të mos e ngarkuar dhe ajo çfarë bën memoria është selektimi, i ngjarjeve, historive, ndodhive, fakteve të cilat janë të rëndësishme për të na ndihmuar në jetë dhe marrjen e shumë vendimeve. E thënë shkurt me dy fjalë, është si puna e një lëndine ku rriten bimë, lule që janë shumë kurative, por njëkohësisht rriten edhe bimë helmuese. Atëherë ajo që duhet të bëjmë është të heqim bimët dhe barin helmues për të lënë dhe zhvilluar ato që janë bimë kurative për të ardhmen.Foto nga Pin page
Foto nga Pin page
CMG: Si ndikojnë kujtimet e bukura, por edhe ato të hidhura gjatë jetës së njeriut?
Klodi Kadillari: Kujtimet ndikojnë në jetën tonë sepse ne ndonjëherë nuk e dimë rëndësinë dhe peshën e momenteve, derisa ato kthehen në kujtime. Ndonjëherë duhet t’i marrim kujtimet si kurë, si terapi sepse tek e fundit ato janë pjesë e jetës sonë dhe do të jenë bashkëudhëtare të jetës derisa të shkojmë në amëshim.
Sipas meje e rëndësishme në jetën tonë është që të marrim, të përqafojmë ato kujtime që na i buzëqeshin jetës, që na përqafojnë shpirtin e na kthejnë shkëlqim në sy dhe të marrim ato kujtime apo momente që do të jenë reflektim edhe si një këshillë apo vendimmarrje, sepse ka shumë rëndësi mënyra se si ne i marrim dhe i trasmetojmë kujtimet tona tek të tjerët dhe tek vendimet tona.
Kështu që mesazhi im është, të marrim nga jeta kujtimet më të bukura dhe jo të eleminojmë kujtimet që janë pjesë e jetës sonë, por kanë qenë momente të vështira ose dhimbje, por ideja është mos t’i kalojmë, të mos bëhen trauma. Sepse nëse kalojnë në trauma, atëherë kemi kaluar në diçka tjetër, s’kemi të bëjmë më me kujtimet, por me traumat psikologjike. Kështu që të eleminojmë dhe të marrim këtë parfum të bukur emocionesh që quhen kujtime, momente, akte... Nëse vjen një aromë parfumi që të kujton personin tënd të dashur që sot nuk është më, pse jo, ndjeje, shijoje.
Nëse ndjen aromën e pranverës dhe të kujton diçka në të kaluarën tënde, hape dritaren, ndjeje dhe shijoje. Nëse një pikturë e bukur të rikthen në një moment jete të jetuar, shijoje sërish këte pikturë, analizoje, shijoji ngjyrat, penelatat e tjera. Gjithmonë të marrim gjërat më pozitive të së kaluarës tonë, të jetës tonë, është si ai xhepi i vogël, ajo shamia ku ke mbledhur kujtimet më të bukura të jetës. Kujtimet, janë bashkëudhëtarë të jetës sonë. Kujtimet të ndihmojnë, për të krijuar një vepër, ashtu sikurse më kanë ndihmuar mua qoftë si shkrimtare ashtu edhe si regjisore dhe aktore, sepse një kujtim i bukur, një emocion i kaluar më ka bërë që të më japë një shkëndijë, një ide, apo një informacion në kohën e duhur dhe momentin e duhur.
Klodi Kadillari regjisore psikologe (Foto personale)
Pra le t’i marrim kujtimet e bukura dhe t’i vendosim në zemrën tonë, aty ku është thellë thellë zemra si thesari më i bukur dhe më i çmuar. Zemra ruan gjjthçka dhe të ruajmë në zemrën tonë ato çfarë kanë lënë gjurmët më të bukuratë së kaluarës sonë.
Jeta ndodh që i prish lidhjet dhe e bën atë pa kërkuar lejen tënde, një ditë, vendos që personit më të dashur për ty, i mbaroi koha dhe ju jeni atje duke menduar se si do ta përballoni atë dhimbje. Dhe mëson një gjë të mrekullueshme: jeta të merr praninë, zërin, por jo kujtimet, gjithçka që nuk mund të prekni më me dorë do ta mbani në zemrën tuaj, një vend tepër sekret për t’u zbuluar dhe grabitur nga ajo që do të jetë përgjithmonë e juaja. Madje edhe historitë e bukura të fëmijërisë, janë ato që kujtojmë gjatë gjithë jetës.
Shkrimtarja e mirënjohur Isabelle Alende ka thënë “ Nuk ka ndarje përfundimtare, derisa të jetë kujtimi”.
Intervistoi: Sava Lena