Enxhi Drapi është diplomuar me rezultate të larta në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, ku aktualisht vazhdon studimet e nivelit të dytë (Master i Shkencave në të Drejtën Publike). Ajo krahas pasionit për poezinë, në vitin 2020, botoi romanin e saj të parë me titull “Diku ku dielli nuk perëndon”, roman i cili spikati në trevat shqiptare dhe jo vetëm, duke marrë vëmendjen e shumë lexuesve, kritikëve dhe mediave. Para pak muajsh ka botuar librin e dytë, vëllimin me poezi me titull “Mars, ke që në Mars që kërcen Vals”, fitimet e të cilit, njësoj si me romanin, do të shkojnë për bamirësi për jetimët. Sëbashku me motrën e saj Armela Drapi, është autore dhe moderatore e Podcast-it "Diku ku dielli nuk perëndon", në të cilin janë në trasmetim të drejtpërdrejtë çdo pasdite, me rubrika, tema dhe të ftuar interesantë. Së fundmi Enxhi ka marrë titullin si Ambasadore Paqeje. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ajo tregon për eksperiencat e saj si juriste dhe gazetare, por dhe pasionin për krijimtarinë letrare.
Enxhi Drapi (Foto personale)
CMG: Ju keni studiuar për drejtësi dhe tashmë punoni si juriste. Ka qenë kjo fushë pasioni juaj?
Enxhi Drapi: Në fakt drejtësia ka qenë një nga pasionet e mia më të mëdha sepse unë kisha njëkohësisht pasionin që të vazhdoja për mjekësi, por rrugët më çuan drejt drejtësisë. Gazetaria dhe drejtësia kanë gjëra të përbashkëta, mënyrën e arsyetimit. Unë jam e lumtur që jam juriste, përveç faktit që ka një lloj prestigji kudo nëpër botë, por është një profesion i bukur që ke kontakt me njerëz të ndryshëm. Absolutisht që ka vështirësitë e veta dhe nuk është i thjeshtë sepse kontakti me njerëz të ndryshëm varion, duhet të jesh shumë fleksibël dhe në mënyrën e komunikimit me klientët. Duhet të përshtatesh në atë mënyrë që dhe klienti ta kuptojë në mënyrë të drejtë atë se çfarë ligji thotë.
Enxhi Drapi interviste per CMG
CMG: Degën e drejtësisë e zgjodhët vetë apo kishit ndonjë sugjerim nga familja dhe miqtë?
Enxhi Drapi: Në fakt mua më doli si degë e parë mjekësia, por mami im nuk kishte dëshirë që unë të bëhesha mjeke, për faktin se nuk dëshironte që unë të rrija brenda dyerve të një spitali. Unë zgjodha të jem juriste dhe do qarkulloj nëpër gjykata.
CMG: Kur ka lindur pasioni për gazetarinë?
Enxhi Drapi interviste per CMG
Enxhi Drapi: Unë që e vogël shkruaja, isha e mirë në ese dhe arsyetim, po ashtu kam shkruar poezi në moshë tepër të vogël, por gazetaria erdhi shumë natyrshëm. Në fakt unë kuptova që mund të jem gazetare shumë e mirë pasi botova romanin tim të parë “Diku ku dielli nuk perëndon”, i cili është botuar para dy viteve, dhe pati shumë sukses në të gjitha trevat shqipfolëse. Gjithashtu ishte dhe pjesë e Panairit Ndërkombëtar të Librit në Dubai, që u organizua vitin që kaloi në nëntor, dhe shpresoj që së shpejti të kemi një botim dhe në anglisht.
Gazeatria ishte diçka tepër interesante sepse kisha dhe kontakte me njerëzit. Unë u motivova shumë për faktin se kemi gazetarë vërtetë të mirë, por nëpër televizionet shqiptare nuk ka nivel tepër të lartë të shfaqjes së transmetimit të vlerave, dhe unë doja në njëfarë mënyre jo të bëja ndryshimin, por të shfaqja vërtetë atë çfarë ne kemi nevojë më së tepërmi, pra informacione të sakta të cilat na vlejnë gjithësecilit prej nesh.
Enxhi Drapi, (Foto personale)
CMG: Ju keni botuar dy libra, njëri është roman dhe tjetri me poezi. Mendon se është një arritje e juaja, në një moshë fare të re të botosh dy libra?
Enxhi Drapi: Vërtetë e quaj arritje sepse në të gjithë botën arti është i vështirë, por në Shqipëri është akoma më i vështirë. Unë sapo mbusha 20 vjeç kur botova romanin tim të parë, dhe ishte një eksperiencë sa e bukur po aq dhe e vështirë. E vështirë për faktin sepse nuk ka mbështetje ndaj artistëve të rinj dhe vërtetë pati njëfarë paragjykimi për faktin se si një e re mundi të botonte një libër.
Nuk e di, mbase për shkak të një brezi i cili nuk ishte përkrahur shumë në kohën e vet dhe nuk pati shumë dashamirës. Kur vura re që pati goxha interes nga lexuesit, media dhe kritika letrare me komente pozitive, sigurisht që e quaj veten të arrirë dhe të suksesshme për romanin tim të parë. Kjo ndikoi që unë të botoja me më pak frikë librin tim të dytë i cili titullohet “Mars, ke që në Mars që kërcen Vals”, që është një vëllim me poezi.
kopertina e librit me poezi te Enxhi Drapi (Foto personale)
Romanin e kam shkruar gjatë kohës së karantinës dhe mbase më mundësoi kohën që e kisha pasur të munguar. Romani është shkruar për rreth një muaj e gjysëm në kohë rekord, por është punuar dhe në mënyrë rekord sepse kam punuar nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 10 të darkës ku mbyllesha në dhomën time dhe nuk dilja pa mbaruar planin që kisha në kokë.
CMG: Nga të dyja gjinitë lerare që keni shkruar, cila do të të frymëzonte për të sjellë një botim të tretë?
Enxhi Drapi: Unë jam duke punuar për një botim të tretë, por poezia dhe proza janë dy gjëra komplet të ndryshme. Në fakt unë librin e dytë me poezi e kisha planifikuar që ta botoja vjet, por vija re që poezia ishte pak më delikate. Lexuesi është më i zgjedhur në poezi, jo kushdo mund të lexojë poezi. Unë zakonisht lëvroj prozën poetike që ka pak karakter filozofik, dhe jo çdokush mund ta kuptojë mesazhin e qartë, por në njëfarë mënyre ndjehesha dhe më e zhveshur përpara lexuesit, sepse duke prekur tema të ndryshme, situata të ndryshme më dukej sikur do më njihnin më shumë. Kjo gjë më bëri që ta vonoja disi botimin. Unë jam duke punuar për vëllimin e dytë të “Diku ku dielli nuk perëndon”, kështu që botimi im i radhës do jetë roman dhe po pritet shumë mirë dhe ka interes sepse marr gjithmonë mesazhe nga lexuesit e mëparshëm se kur do botohet vëllimi i dytë. Një shkrimtare e re absolutisht nuk mund të marrë dot më tepër kënaqësi sesa kaq kur ka goxha interes nga lexuesit dhe vërtetë ndjehem mirë.
CMG: Flasim për eksperiencën tuaj me shoqërinë civile dhe cili ka qenë angazhimi juaj në këtë fushë?
Enxhi Drapi: Pjesa e shoqërisë civile është diçka që të përmbush dhe frymëzon këdo. Unë kam ndërmarrë disa fushata kundër dhunës ndaj grave. Gjithashtu fitimet e librit tim të parë, po ashtu dhe librit tim të dytë kanë shkuar në ndihmë të jetimëve dhe nuk ka lumturi më të madhe edhe pse është një kontribut mbase i vogël, por bëhet me tepër dashuri dhe të fal shumë lumturi. Mund të jetë një hap i vogël që bëhet nga unë, por duke parë që kam ndikuar te miqtë apo të njohur të tjerë që të bëjnë të njëjtën gjë si unë, vërtetë ndjehem e lumtur.
Posteri i programin ne radio (Foto personale)
CMG: Si keni mundur t’i menaxhoni me kohën të gjitha këto fusha ?
Enxhi Drapi: Viti i fundit ka qenë shumë sfidues dhe më është dashur që të fle maksimalisht katër orë, sepse njëkohësisht kam vazhduar studimet në master shkencor në të drejtën publike, por ushtroj dhe profesionin e jurists. Për të kapur ritmin që të lexoja dhe të prekja çdo libër, më është dashur të lexoj gjatë natës. Ka qenë një vit mjaft sfidues me shumë angazhime, por ja kam dalë duke lëvizur gjithmonë me orare të sakta dhe duke ndjekur ritmin tim të përditshëm në mënyrë strikte.
CMG: Po eksperienca e të punuarit në radio si ka qenë për ju?
Enxhi Drapi: Unë dhe motra ime Armela jemi autore të podcastit tonë në të cilin jemi live çdo ditë në Youtube, Facebook dhe në Twitter. Programi titullohet “Diku ku dielli nuk perëndon” dhe e kam quajtur njësoj si romani im i pare, ku dhe Armela ishte në rregull me këtë gjë. Secila prej nesh ka rubrikat e veta dhe një nga rubrikat e mia titullohet “Pa gënjeshtra”, në të cilën kemi të ftuar juristë, gazetarë të ndryshëm dhe mundohemi të shpërndajmë sa më shumë informacione si psikologjike, juridike dhe profesionale.
CMG: Keni kontakt të drejtpërdrejtë me dëgjuesit gjatë transmetimit të programit?
Enxhi Drapi: Ne jemi live me kamera dhe kemi zgjedhur që ta zhvillojmë online si fillim. Jemi me kamera nga studio jonë dhe teleshikuesit mund të na ndjekin live. Të ftuarit mund të jenë nga ambiente të ndryshme dhe mjafton që të kemi dëshirën e mirë për të ndarë informacione dhe për të qenë së bashku, kështu që kjo është një mundësi shumë e mirë.
CMG: Motra juaj po ndjek të njëjtën rrugë si ju, drejtësinë dhe gazetarinë?
Enxhi Drapi: Motra është gjithashtu studente e drejtësisë dhe gazetare, njësoj si unë. Unë jam munduar që të jem gjithmonë një shembull, dhe në fakt familja na ka edukuar se nëse ecën mirë fëmija i parë, sigurisht që dhe fëmija i dytë do të ndjekë rrugën e të parit. Motra ime ka zgjedhur të ndjekë rrugën time dhe është tepër interesante që jemi të dyja bashkautore në këtë projekt, por çelësi i këtij suksesi dhe bashkëpunimi është moskonkurenca dhe dashamirësia që kemi me njëra tjetrën dhe mundohemi që të ecim për dore të dyja.
CMG: Jemi në sezonin e pushimeve. Ku do t’i kaloni pushimet këtë vit?
Enxhi Drapi: Unë në fakt nuk kam planifikuar pushime sepse nuk kam kohë, por jam duke u marrë me shumë projekte të tjera. Ndërkohë që të tjerët pushojnë, mund të pushojnë së bashku me ne dhe t’i kalojnë pasditet me ne në “Diku ku dielli nuk perëndon”.
Titulli si Ambasadore e Paqes Enxhi Drapi (Foto personale)
CMG: Kohët e fundit jeni vlerësuar dhe me titullin “Ambasadore e paqes”. Si jeni ndjerë me këtë vlerësim?
Enxhi Drapi: Diçka, e cila më ka lumturuar vërtetë shumë kohët e fundit është titulli që kam marrë si Ambasadore e Paqes dhe falenderoj Z.Zef Shtjefni, i cili besoi në aftësitë dhe në figurën time. Në një moshë kaq të re sa jam unë është një vlerësim tepër i madh. Ndjehem vërtetë mirë për punën që mundohem ta bëj me tepër pastërti dhe dashamirësi, duke qenë dashamirëse në objektivat e mia në ndihmë të jetimëve apo të varfërve. Gjithashtu dhe në pjesën e jurisprudencës mundohem të ndihmoj sa më shumë njerëz, dhe kjo pa asnjë lloj përfitimi apo qëllimi. Kur shikoj që vlerësohem nga të tjerët, sigurisht që ndjehem mirë.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.
Enxhi Drapi: Unë i përshëndes të gjithë dhe i falenderoj që na ndoqën.
Intervistoi: Gazmend Agaj