E themeluar në vitin 2014, Shoqata e Ushqimit dhe Mirëqenies (SHUM) është një organizatë jo-qeveritare, jo-fitimprurëse e pavarur, apolitike, e cila e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Krijimi i Shoqatës së Ushqimit dhe Mirëqenies lindi si përgjigje e nevojës së vazhdueshme për standarde të përmirësuara në industrinë e shërbimeve ushqimore dhe mikpritjes. Kontributin kryesor Shoqata e jep duke ofruar: konsulencë dhe asistencë për anëtarët e saj, kurse profesionale në sektorin e ushqimit dhe mikpritjes për profesionistët e ardhshëm, promovim dhe avancim të marrëdhënieve midis anëtarëve, bashkëpunim me partnerë vendas dhe të huaj për formim profesional si dhe për projekte punësimi etj.
Albanian Chefs & Cooks Association
Pjesë e saj pas disa vitesh u bë edhe “Albanian Chefs & Cooks Association” themeluar në maj të vitit 2016 me rreth 170 anëtarë, kryesisht kuzhinierë dhe shefa kuzhine, duke qenë kështu shoqata më e madhe profesionale e kuzhinierëve në vend.
Tashmë Albanian Chefs & Cooks Association është anëtare me të drejta të plota në WORLDCHEFS dhe përfaqësuese zyrtare e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të gastronomisë, kështu shprehet themeluesi i tyre Z, Asim Prengëzaj. Një nga eventet më të suksesshme sipas tij është Gastro Alb 1, 2, 3 & 4, gara më e madhe e kuzhinës në Shqipëri, me pjesëmarrjen e qindra të rinjve dhe Chefave më të mirë të kuzhinës, dhe një juri përfaqësuese e WORLDCHEF.
Konkursi u zhvillua në Tiranë nën siglën Gastro Alb përkatësisht në vitet 2018, 2019 dhe 2020
Për Grupin Mediatik të Kinës, Asim Prengëzaj flet për arritjet e kësaj shoqate.
CMG: Si lindi “Shoqata e Ushqimit dhe Mirëqenies” dhe cili është misioni i saj?
Asim Prengëzaj: Misioni i Shoqatës së Ushqimit dhe Mirëqenies bazuar te statuti i saj është: këshillimi, trajnimi, formimi profesional nëpërmjet specialistëve për arsim të përgjithshëm dhe atë profesional, punësimi i profesionistëve të rinj dhe
këshillimi për avancimin në karrierë të të gjithë profesionistëve që janë, pjesë e programeve tona.
Shoqata e Ushqimit dhe Mirëqenies u themelua me qëllimin e vetëm promovimin dhe ruajtjen e traditës së ushqimit dhe prodhimeve shqiptare, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimit në fushën e hoteleri-turizmit. Programi ynë ka si qëllim anëtarësimin e prodhuesve vendas, bareve, restoranteve, hoteleve dhe subjekteve të ndryshëm që bëjnë pjesë në këtë sektor. Në bazë të anëtarësimeve dhe pjesëmarrjes së gjerë do të arrihet kualifikimi i një brezi profesionistësh, të cilët do t’i shërbejnë me cilësi industrisë së hoteleri-turizmit dhe traditës shqiptare
Asim Prengezaj
CMG: Ju thatë se ofroni disa shërbime, cilat janë ato ?
Asim Prengëzaj: Kurse profesionale në sektorin e kulinarisë. Punësim i garantuar për studentet tanë dhe jo vetëm. Internship dhe praktika profesionale në biznese të afirmuara. Ndër të tjera: marketing, sondazhe të ndryshme, organizim panairesh, organizim eventesh, organizim seminaresh dhe start-up për horeca. Asistencë e vazhdueshme për anëtarët dhe network shërbimesh, binjakëzim dhe bashkëpunim me institucione shtetërore ose private që operojnë në të njëjtën fushë. Kurset organizohen të kombinuara midis teorisë dhe praktikës duke u dhënë mundësinë kursantëve të kuptojnë shpejt dhe në mënyrë praktike.
CMG: Më pas pjesë e SHUM u bë edhe “Albanian Chefs & Cooks Association”, Cili është qëllimi i saj?
Asim Prengëzaj: Qëllimi dhe detyra jonë janë të bëhemi zëri i kuzhinës dhe kuzhinierëve shqiptarë, për t’i dhënë tjetër dimension dhe vlera artit të kuzhinës dhe profesionit të kuzhinierit. Shoqata përmes programit të saj synon të motivojë të rinjtë drejt arsimit profesional, të ruajë dhe kultivojë traditën e kuzhinës në Shqipëri si dhe ta promovojë atë jashtë kufijve, të orientojë dhe këshillojë për kualifikim të mëtejshëm profesional kuzhinierë dhe shefa kuzhine, të promovojë prodhimin vendas, të marrë pjesë në konkurse ndërkombëtare gatimi dhe panaire.
CMG: Eventet janë një pikë e juaja e fortë, a mund të përmendni disa prej tyre?
Asim Prengëzaj: Eventet janë një pikë e fortë në punën e Shoqatës. Gjatë viteve, “Albanian Chefs&Cooks Association” ka organizuar dhe ka marrë pjesë në disa evente nga të cilat mund të përmendim: “ Gastro Alb 1,2 & 3 Chefs Day 1,2 & 3, Alb Cook Fest, Gatuaj një pjatë më shumë, 'Black Box' E Diela Shqiptare , Panaire gastronomie brenda dhe jashtë Shqipërisë”.
“Albanian Chefs & Cooks Association” është vazhdimisht pjesëmarrëse në konkurse të niveleve ndërkombëtare, duke bashkëpunuar dhe konkurruar për shpalosjen e ideve më të mira me pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës. Shoqata u krijon mundësinë shefave të kuzhinës të anëtarësuar, të zhvillojnë karrierën e tyre profesionale duke u bërë pjesë e këtyre kompeticioneve të cilat prodhojnë njohuri, teknika apo ide, të cilat mund ti implementojnë më pas në vendet ku e ushtrojnë profesionin e tyre të kuzhinierit.
Shoqata e Ushqimit dhe Mirëqenies
CMG: Ju vetë a ndiheni krenar për gjithçka që keni arritur?
Asim Prengëzaj: Jo deri tani nuk ndihem krenar me çfarë kam arritur, por do të ndihem me çfarë do të arrij më vonë. Unë kam lënë jetesën që ndërtova në Zvicër, për të ardhur në Shqipëri dhe për të ndërtuar diçka të tillë. Ndaj nuk është e lehtë që të përmbushësh shumë shpejt synimet. Megjithatë kemi një punë përpara, e cila nuk do të ndalojë deri në momentin që ne të kemi suksesin e dëshiruar.
CMG: Duke qenë se ju merreni tashmë prej vitesh me kulinarinë tonë, çfarë na dallon ne nga vendet e tjera, në bazë të konkurseve ku keni qenë?
Asim Prengëzaj: Ne jemi njerëz të mirë të cilët dinë të gatuajnë dhe mbi të gjitha ta ofrojnë siç duhet pjatën. Japim shumë dashuri, kemi shumë respekt për njerëzit dhe përveç kësaj gatuajmë mirë, ajo që të huajt na vendosin në dukje është pikërisht sjellja jonë. Të gjithë e njohin Shqipërinë. Djemtë dhe vajzat tona i njohin të gjitha kuzhinat nga pak. Jemi pritur gjithmonë mirë, pjesa europiane na do tepër.
CMG: A ushqehen mirë shqiptarët?
Asim Prengëzaj: Unë do të doja të rrëfeja një eksperiencë timen. Para disa vitesh isha në Londër dhe aty ndihmova dikë nëpër shkallë që të tërhiqte diçka dhe ta çonte në shtëpi. Pasi e ndihmova më ofroi një pije dhe dolëm në kopshtin e tij. Çfarë ndodhi? Aty ishte një dardhë plot me kokrra. E pyeta pse nuk e konsumonin . Përgjigja e tij më la pa fjalë. Ai tha se blinte çdo ditë në market të tilla, por nuk i hanin ato të pemës, pasi pemën nuk e kishte parë ndonjë agronom se çfarë cilësish kishin. Pra, kaq mjafton për të kuptuar që ne hamë më mirë se çdo vend tjetër. Jemi një vend ku gatuhet bio dhe ushqehet bio.
CMG :Çfarë është suksesi për ju?
Asim Prengëzaj: Të arrish atë që do, por deri në atë pikë sa ambicia mos të kthehet në sëmundje. Ndaj unë e them shpesh që në SHUM, jemi një staf i madh pune që punojmë dhe fitojmë suksese bashkë, do të përmendja këtu Mimoza Ballën, Ermal Loja, Flori Neziri etj.
Mimoza Balla
CMG : Mimoza Balla, çfarë është për ju kuzhina?
Mimoza Balla: Unë i përkisja një familje kuzhinierësh. E zhvillova pasionin tim për gatim që nga fëmijëria dhe krahas studimeve të tjera kam ndjekur kurse të artit dhe të kuzhinës. Që nga Nëntori 2009 u përfshiva si koordinatore ndërkombëtare e shoqatës "Taste of peace Jeruzalem" dhe më pas themelova shoqatën "Taste of peace Shqipëri", duke promovuar kuzhinen tradicionale shqiptare në vende të ndryshme. Në nëntor 2012, ndoqa një seminar për juri ndërkombëtare në Izrael, të ofruar nga WorldChefs , ku dhe u çertifikova si anëtare jurie ndërkombëtare. Që prej asaj kohe jam ftuar si anëtare jurie ne konkurse gatimi në shumë vende të botës.
Jam anëtare nderi në disa shoqata kulinarie të vendeve të ndryshme.
Aktualisht punoj si shefe kuzhine pranë një kompanie si edhe jam pjesë e një programi televiziv në RTSH.
Intervistoi : Megi Latifi