Alesia Burnazi eksperte e të drejtave të njeriut, studimet e larta i ka kryer mbi të drejtat dhe liritë themelore në Londër. Që në moshën 14-vjeçare ka punuar në Teatrin Metropol në Tiranë, pjesë e kastit të aktorëve për fëmijë. Alesia është zyrtare e komunikimit pranë “ The Palladium Group”. Pas një sërë eksperiencash në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Londër ku edhe studioi për të drejtat e njeriut, Alesia vendos të kthehet në Shqipëri, sepse ajo mendon që vendi i saj ka nevojë për punonjës të cilët mbrojnë të drejtat e fëmijëve. Zanafilla e këtij profesioni ka lindur që në fëmijëri tek ajo, kur e ëma i dha të lexonte Konventën e të drejtave të fëmijëve dhe Alesia nisi të thurte ëndrra se si mund t’i mbronte ata. Ajo ndan detaje nga jeta e saj, për Grupin Mediatik të Kinës (CMG).
Momentet e Diplomimit Alesia Brunazi
CMG: Si do ta përshkruanit periudhën aktuale të jetës suaj?
Alesia Burnazi: Aktualisht jam në një periudhë tranzicioni, por tranzicion i bukur. Brenda një muaji unë kam dalë jashtë apartamentit ku linda dhe u rrita për 28-vite. Kam filluar një punë të re në një profil tjetër dhe jam tepër entuziaste. Është një periudhë që po më bën edhe të mësoj më tepër nga vetja, e hapur për mundësi të reja, të cilat do t’i vijnë jetës sime.
CMG: Si e përballoni pjesën e tranzicionit, për të drejtuar jetën?
Alesia Burnazi: Tranzicioni erdhi si një çmenduri e momentit. Unë isha në një moment ku nuk po lëvizte më asnjë gjë, ndaj kjo lëvizje ishte e duhura në kohën dhe momentin e duhur.
Thjesht jam mësuar të ndjek dallgën kur më vjen përpara.
Sigurisht që strese ka shumë dhe sfida ka me tepricë, por hap pas hapi arrihet çdo gjë.
CMG: Çfarë kujtoni nga fëmijëria juaj?
Alesia Burnazi: Të gjithë thonë që fëmijërinë e kanë shumë të bukur. Mendoj që edhe e imja gjithashtu. Jam rritur në një shtëpi me gjyshërit e mi, kemi pasur një harmoni të madhe mes nesh. Ata më kanë dhuruar aq shumë dashuri.
Ikonë e fëmijërisë sime do të mbetet pezhoja e bardhë e gjyshit tim, që më çonte në shkollë dhe më merrte prej aty, me të iknim tek vila jonë në Golem .
Ajo pezho, që dy herë në ditë na dërgonte poshtë tek deti, u kthye në mike e fëmijërisë për mua.
Vila ime në Golem ka qenë një vilë e mbushur me dashuri. Isha një fëmijë që rritesha në qytet gjithë vitin dhe gjatë verës shkoja tre muaj të plota në fshat.
Ajo që unë bëja gjatë verës është që i lutesha prindërve të shoqeve dhe shokëve t’i linin ata të vinin tek shtëpia ime në Golem për t’u argëtuar në plazh.
CMG: Çfarë të mësoi e gjithë periudha e fëmijërisë?
Alesia Burnazi: Më mësoi shumë, më mësoi si të rritesha nga një vajzë e përkëdhelur në një tjetër me karakter. Ajo që kuptoja dhe reflektoja me veten ishin vështirësitë që fëmijët hasnin atje, ka qenë kjo një rrugë e hapur që unë të vijoja studimet më pas. Mënyra se si atje e konceptonin jetën dhe liritë e fëmijëve mbetën përgjithnjë në mendjen time.
CMG: Për çfarë e pyesni më tepër nënën tuaj, kuriozitet që mbani sot për të kaluarën me të?
Alesia Burnazi: Shpesh e pyes se si ja ka dalë. Më duket nje grua shumë e fortë. Ajo më ka lindur mua kur ka qenë 26-vjeç , tepër e vogël dhe unë shpesh e pyes se cilat ishin format që më ka rritur.
Ka qenë një mama e përkushtuar dhe shumë punëtore. Ajo bënte 2-3 punë gjatë ditës. Një gazetare e zonja dhe prej saj kam mësuar shumë.
Alesia Brunazi me nenën e saj
Mami im gjithmonë më thotë që jam rritur bashkë me ty, e vlerësoj sepse ka pasur një marrëdhënie shumë të afërt me mua. Mënyra se si ajo më ka edukuar për ta konceptuar marrëdhënien nënë-vajzë ka qenë një nga fitoret më të mëdha për të dyja.
CMG:A ka qenë adoleshenca një botë sfiduese për ju?
Alesia Burnazi: Jo sepse forma që nëna ime kishte zgjedhur për të më rritur mua, nuk i ngjante atyre të zakonshmeve. Unë çdo gjë të re të cilën e hasja në jetën time, ia tregoja asaj dhe ajo më mbështeste.
Unë nuk kam pasur mosmarrëveshje me të. Nëna ime ka pasur një durim të madh. .
Adoleshenca ka qenë shumë e bukur për mua.
CMG: Vitet kaluan dhe ju u zhvendosët në SHBA, si lindi kjo dëshirë për ndryshim?
Alesia Burnazi: Thjesht vendosa që duhet të iki dhe kam ikur 18-vjeçe. Shumë e vogël për të përballuar një botë plot me kultura të ndryshme.
Në 2012 vetëm dy vajza ikëm në SHBA nga tre klasa paralele, ndaj më dukej sfidë më vete. Fillimi ishte shumë i vështirë, një shok kulturor i madh. Atje të përball jeta me shumë ndryshime.
CMG: Cilat tipare të karakterit të kanë bërë që mos dorëzohesh kurrë?
Alesia Burnazi: Pavarësia ime ka qenë një ndër pikat kryesore.
Atje u bëra shumë e ftohtë me gjërat dhe u rrita me një tjetër koncept për jetën. Mamaja ime kur ka ardhur për herë të parë në New York është habitur. I duhej të merrte një kafe dhe pasi priti radhën dhe mori kafen, atë e shtyu turma në rrugë nga dera e kafes për shkak të vrullit të njerëzve .
Fjalia e parë që ajo tha ishte “Ky është New York?!” S’ka kohë, thjesht duhet të nxitosh”. Për mua nuk ka pasqyrim më të saktë se sa ky.
CMG: Më pas ju u zhvendosët në Londër. Si u ndjetë atje dhe cila ka qenë puna juaj e parë?
Alesia Burnazi: Londra ka ritëm, por jo ritmin e New York-ut.
Unë kur lëviza kisha përfunduar studimet. Në atë kohë më mbaronte kontrata dhe duhej të kthehesha. Pastaj mendova pse mos provoj të rri në Evropë ! Masterin e dija që duhet ta bëja, por nuk e dija akoma. Kështu vendosa të kryej master për të drejtat e njeriut.
CMG: Pse zgjodhët të drejtat e njeriut?
Alesia Brunazi
Alesia Burnazi: Sepse e pashë si një mision për ta realizuar. Gjithçka ka nisur në fëmijërinë time. Një ditë të bukur në shtëpinë tonë në Golem, nëna ime tepër progresive, më jep në dorë librin e vogël Konventa e të drejtave të fëmijëve për ta lexuar. Vajza që kisha ngjitur në atë lagje quhej Anila. Ajo kishte dëshirë për të vazhduar shkollën e mesme, mirëpo prindërit nuk e linin. Unë kam shkuar tek ajo dhe isha dy vite më e vogël, i tregoja librin e i thoja “Konventa” thotë që ti ke të drejtë për të vazhduar shkollën.
Pas shumë vitesh e kuptova që ajo la shenjë tek unë, pa e ditur.
CMG: Çfarë është për ju të jesh e sigurt?
Alesia Burnazi: Të besosh që mosha është vendimtare, duhet kohë që ti të ndihesh i/e sigurt për jetën.
Duhet të marrësh shembuj tepër pozitivë dhe unë e kam pasur një ndër shembujt më të mire, që ka qënë nëna ime.
Mbaj mend momente të pasigurta kanë qenë ato të udhëtimit tim në SHBA, aty njoha një botë tjetër dhe nuk mendoja ndonjëherë që mund ta përballoja kaq mirë.
Jeta nuk është fushe me lule, dhe paçka se jemi të reja mund të kemi humbur edhe ne orientimin herë pas here.
Një nga momentet më të pasigurta ka qenë kur mbylla shkollën dhe nuk dija më se çfarë do të bëja…
CMG: Cila ka qenë puna juaj e parë dhe çfarë iu mësoi?
Alesia Burnazi: Vlerën e pagesës unë e kam ndier që në gjimnaz, sepse punoja në Teatrin Metropol në shfaqjet për fëmijë me kukulla, ndërsa leksionin tim më të madh e kam marrë vite më vonë.
Në New York punoja në një revistë dhe aty isha asistente e kryeredaktores, por më vonë kuptova që ishte një ambient toksik, mezi prisja të ikja prej aty.
Unë në fillim thoja pse e bëra këtë zgjedhje, por përtej ankthit dhe stresit që përjetova, më pëlqente sepse kisha mësuar shumë.
CMG: Pse u kthyet sërish në Shqipëri?
Alesia në fëmijëri me nenën e saj
Alesia Burnazi: E mbylla ciklin tim atje. Dëshiroja të gjeja veten time.
Për momentin po punoj me disa projekte me fëmijët. Qëllimi është t’i mbajmë fëmijët larg krimit të organizuar dhe kjo nëpërmjet artit. Arti mund ta shpëtoje botën.
Intervistoi : Megi Latifi