Më shumë se katër dekada reformash dhe hapjeje jo vetëm që e kanë kthyer Kinën në ekonominë e dytë më të madhe në botë, por edhe kanë ndryshuar mjetet e pagesës në vend. Një gazetar veteran i “China Daily” hedh një vështrim se si populli kinez është përshtatur me një shoqëri pa para.

Së fundi, ndërsa i drejtoheshim destinacionit për pushimin e fundjavës, një fshat i largët thellë në male rreth 100 kilometra nga Pekini, papritmas kuptova se nuk kisha para me vete. Pyeta bashkëshorten dhe djalin nëse kishin ata dhe më thanë: “Asnjë dyshkë”.

Një anëtar i stafit të Degës së Bankës së Komunikimeve në Pekin hapë një portofol dixhital RMB në një telefon celular,më 16 qershor të vitit 2021. Xinhua

Një anëtar i stafit të Degës së Bankës së Komunikimeve në Pekin hapë një portofol dixhital RMB në një telefon celular,më 16 qershor të vitit 2021. Xinhua

Për t'i shpëtuar pandemisë Covdi-19, zgjodhëm një destinacion të largët për të kaluar fundjavën. Një mik i yni, i cili dikur e kishte vizituar vendin, tha se fshati, me shumë shtëpi të vjetra dhe peizazhe të bukura, ka qenë kryesisht i izoluar për shkak të rrugëve jo të mira lidhëse.

Por a mund të kalohet fundjava pa para? Shpejt kuptuam se shqetësimet tona ishin të panevojshme. Me telefonin tim kam paguar nëpërmjet “WeChat” ose “Alipay” për ushqimet në shtëpitë e fshatarëve, për natën në një bujtinë të vogël dhe për të blerë disa produkte vendase. Përjashtimi i vetëm ishte kur u përpoqëm të blinim disa perime nga një grua e moshuar në një fermë të vogël. Ne nuk kishim para dhe ajo nuk kishte telefon. Na tha t'i merrnim perimet pa paguar.

Kur ne insistuam të paguanim, ajo hyri në shtëpi dhe doli e shoqëruar nga mbesa e saj adoleshente, e cila kishte një “smartphone”. Kështu që fatura u pagua dhe vajza dukej e lumtur, ndoshta sepse mund ta mbante shumën për vete.

Kina është transformuar në një shoqëri pa para, falë aplikacioneve të pagesave elektronike dhe më shumë se 1 miliard përdorues të smartfonëve. Megjithëse nuk ka të dhëna zyrtare, supozoj se rreth 80 për qind e popullit kinez nuk mbajnë më para me vete. Hera e fundit që pashë dikë që paguante me para në dorë ishte një muaj më parë, kur një i moshuar pagoi blerjen e tij në një supermarket. Si stafi që ndodhej tek arka ashtu edhe klientët që prisnin pas tij në radhë dukeshin të paduruar.

VCG

VCG

Për të siguruar që ata që duan të paguajnë me para në dorë nuk diskriminohen, shumica e të cilëve janë të moshuar që nuk janë të njohur me aplikacionet celulare, autoritetet qendrore kanë nxjerrë një rregullore që thotë se shitësit në dyqanet me pakicë nuk duhet të refuzojnë pagesën me para në dorë dhe ata që e bëjnë këtë do të ndëshkohen.

Kaq popullore është bërë pagesa elektronike saqë edhe lypësit, sipas një raporti mediatik, refuzojnë të pranojnë para si lëmoshë. Në vend të kësaj, ata mbajnë një tabelë me një kod QR, të veshur me plastikë, dhe u kërkojnë njerëzve zemërmirë të skanojnë kodin me telefonat e tyre dhe të paguajnë çfarëdo shume që munden. Mendova se raporti ishte i ekzagjeruar derisa kohët e fundit hasa një lypës me probleme në shikim jashtë një spitali të Pekinit, i cili mbante një tabelë me një kod QR, por kishte edhe një kuti kartoni, për të mbledhur paratë.

Ishin të shumtë ata që u gjendën të papërgatitur për një shoqëri pa para në Kinë, ku njerëzit kanë përdorur në kohë të ndryshme një lloj mjeti pagese, nga më primitivet tek ato më modernet.

Ka pasur diskutime të nxehta mbi avantazhet dhe disavantazhet e një shoqërie pa para. Mendoj se mjetet më të shpejta dhe më të përshtatshme të pagesës priren të inkurajojnë konsumatorët të shpenzojnë më shumë, gjë që është e mirë për ekonominë.

VCG

VCG

Prej disa vitesh, Kina ka marrë masa për të rritur konsumin e brendshëm për të kompensuar ndikimet e sanksioneve tregtare të vendosura nga disa vende perëndimore. Masat kanë dhënë frytet e tyre, me metodën e re të pagesës që ka kontribuar në suksesin e saj.

Kina gjithashtu i detyrohet suksesit të politikës së saj të parandalimit dhe kontrollit të pandemisë Covid-19 për pagesat pa para në dorë, gjë që ul ndjeshëm rrezikun e infektimit. Në fakt, si pjesë e politikës së saj për parandalimin e pandemisë, Kina ka inkurajuar transaksione pa kontakt dhe pa para të prekshme. Por, nuk kanë munguar dhe problemet. Disa njerëz, si arkëtarët dhe drejtuesit e autobusëve, po humbasin vendin e punës për shkak të sistemit të pagesave pa para në dorë dhe disa njerëz, veçanërisht të rinjtë, priren të shpenzojnë më shumë sesa mund të përballojnë. Por, duam apo jo, një shoqëri pa para po bëhet realitet. Dhe gjithçka që mund të bëjmë është të përshtatemi me të.