Nga Edmond Laçi

Nëse je në dilemë për dhuratën që duhet t’i bësh një mikut tënd kinez, zgjidh çfarë të duash, vetëm portofol jo. Kuletës – siç i themi ne rëndom – ia kam harruar “fytyrën” edhe unë që kam vetëm 9 muaj në Pekin, imagjino vendasit. Duket e çuditshme, por në Kinë edhe dy gjethe sallatë jeshile te fshatari në skajin më të humbur, do të duhet ta blesh duke skanuar kodin QR me telefon. Pa folur pastaj për qytetin, autobusët, metrotë, biçikletat smart, taksitë, supermarketet, baret e restorantet e deri te dentisti, apo spitali. Të gjitha, ato që ua merr, por edhe ato që nuk ua merr mendja, paguhen vetëm me telefon, pa para cash dhe pa kartë krediti. Madje edhe borxh po të të duhet, e merr nga dikush tjetër, po përmes telefonit. Mund të frikësoheni, p.sh. nga humbja e celularit (vetëm po të ra në ujë, sepse këtu ka shumë pak shanse të ta vjedhin), ose për baterinë e rënë. Për këtë të dytën e kanë gjetur zgjidhjen: edhe nëse telefoni juaj është bosh mjafton ta afroni atë te lexuesi i kodit QR për të marrë psh. biletën e metrosë. Ndërkohë, pothuajse në çdo metër, në çdo njësi tregtare, mund të marrësh një power bank me një pagesë simbolike...

Foto:VCG

Foto:VCG

Sipas një raporti të fundit, publikuar në 15 qershor nga Shoqata e Pagesave të Kinës, numri i përdoruesve të pagesave online arriti në 904 milionë në fund të 2021-it, rreth 50 milionë më shumë se një vit më parë. Vetëm gjatë kësaj periudhe bankat kineze trajtuan 102.28 miliardë transaksione të këtij lloji, me një vlerë totale prej 2 353.96 trilion juanë (rreth 350 trilion dollarë). Shifra të çmendura, të cilat e bëjnë Kinën të mos ketë asnjë rival në glob në atë që quhet “revolucioni i pagesave pa para”. Imagjinoni të jeni në gjendje të paguani për çdo gjë me një objekt që e keni gjithmonë me vete, siç është celulari juaj: që nga një buqetë me lule, një biletë avioni për në Evropë, apo një Tesla apo Rrolls-Royce. Edhe ndonjë lypës i rrallë e preferon dhurimin me aplikacion. Ndryshe nga sa mund të mendohet, pagesat me celular janë shumë të zakonshme jo vetëm nga të rinjtë. Ato kryhen përmes dy aplikacioneve kryesore: Alipay aktualisht ka mbi 1 miliard përdorues aktivë, ndërsa Wechat Pay rreth 1.1 miliard. Ndërkohë konkurrenti më vip i aplikacioneve kineze, Apple Pay, ka “vetëm” 383 milionë përdorues në mbarë botën.

Foto:VCG

Foto:VCG

“Cashless revolution” (Revolucioni i pagesave pa para) gjithsesi do të ishte i mangët pa infrastrukturën e internetit. Vetëm gjatë dekadës së fundit Kina ka zhvilluar rrjetin e komunikacionit të lëvizshëm dhe internetit të brezit të gjerë me fibra optike më të madh dhe teknologjikisht më të përparuar në botë. Stacionet bazë 4G të Kinës përbëjnë më shumë se gjysmën e vëllimit të përgjithshëm botëror, ndërkohë që janë ndërtuar 1.615 milionë stacione bazë 5G për 413 milionë përdorues të telefonave 5G. Ky rrjet tashmë mbulon të gjitha qytetet në nivel prefekture dhe zonat urbane në nivel konteje si dhe 87 për qind të zonave urbane në tërë vendin me 1.4 miliardë banorë. Telefonat celularë apo smartfonët në Kinë janë aq të domosdoshëm e të “respektuar”, saqë në disa rrugë qytetesh si psh. në Chongqing janë krijuar korsi me dizajnin e telefonave inteligjentë, të rezervuar për ata që ecin duke i përdorur. Sipas Ministrisë së Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit, edhe 2.400 projekte "5G+internet industrial" janë në ndërtim e sipër, duke krijuar mbi 20 mijë skenarë përdorimesh të teknologjisë 5G. Aktualisht në Kinë sot operojnë 301 kompani me një vlerë të paktën mbi 1 miliardë dollarë në sektorin e internetit, duke zënë 25 % të vëllimit të përgjithshëm botëror.

Foto:VCG

Foto:VCG

Foto:VCG

Foto:VCG

Por pavarësisht këtyre arritjeve, duket të nxitojmë dhe të mos shkruajmë “ngadalë”. Duket e çuditshme, madje futuriste, por edhe pagesa përmes aplikacionit së shpejti mund të bëhet e vjetëruar në Kinë, duke u zëvendësuar nga pagesa me njohjen e fytyrës. Gjithsesi deri atëherë për pagesat do të duhet telefoni celular, apo më mirë smartfoni. Çdo orë studiuesit kinezë shpallin shpikje të reja, sidomos për t’i zgjatur jetën baterisë, ose për ta karikuar atë pa pasur nevojën e energjisë elektrike. Më kuriozi është gjeneratori “Steg”, i eksperimentuar në Universitetin e Pekinit, i cili arrin të karikojë përmes elektroneve të prodhuara nga trupi ynë, të cilat “transferohen” nga dora në baterinë e celularit. I çuditshëm është edhe projekti i studiuesve të “China Academy of Launch Vehicle Technology”, të cilët kanë arritur që nxehtësinë e ujit (që ekziston në çdo tavolinë kineze) ta shndërrojnë në energji elektrike. Një shishe e veçantë me usb mund të sigurojë 20 deri në 30 minuta energji elektrike, vetëm duke u mbushur me 300 deri në 500 mililitra ujë të vluar. Edhe për smartfonin me baterinë më të fuqishme, Kina mban rekordin botëror. Së fundi brandi kinez i dorës së dytë “Ulefone”, ka lançuar një telefon me bateri-monstër që zgjat deri në 25 ditë. Bateria e saj “Power Armor 13” garanton deri në 600 orë kohë gatishmërie, 5 ditë përdorim standard ose 17 orë pa ndërprerje. Edhe në këto momente që po lexoni, po shpallet një shpikje e re kineze...