Sotir Qiriaqi është maratonomaku i njohur si njeriu që sfidon vitet duke garuar, çdo ditë me veten dhe kohën. Ai na rrëfen historinë e tij lidhjen me këtë sport, por edhe rreth dashurisë tij më të madhe të jetës. Sporti për të është gjithçka dhe thotë se kurrë nuk është vonë, sepse ka nisur stërvitjen intensive në moshën 54 vjeçare. Covid-19 i mori njeriun më të shtrenjtë, prandaj ai shprehet se ka mbetur si një trim i vetëm në luftë pa zonjën e tij, por motivi i tij është jeta bashkë dashurinë në zemër. Ai kujton çdo moment jetën e kaluar me bashkëshorten që e quan yllin e tij polar.

Sotiri 76-vjeçar ka kryer mbi 189 gara minimartona, gjysmë martona, maratona dhe ultra maratona.

CMG: “Njeriu me zemër sfiduese”. A ju quajnë kështu njerëzit?

Sotir Qiriaqi: Kjo ftesë për mua është tepër emocionuese për vendin ku unë flas dhe për ju. Është tepër kënaqësi që nëpërmjet zërit tim shqiptarët kudo ku janë, në çdo vend të botës që më quajnë me zemër sfiduese, të dëgjojnë zërin e radios dhe rrëfimin e njerëzve që jetojnë, jo që bëjnë sikur jetojnë.

CMG: Si e interpretoni jetën tuaj?

Sotir Qiriaqi : Në fakt ne shpesh e interpretojmë jetën në forma të thjeshta, por unë i kam ngjarje e rrëfime, të cilat janë edhe realizime të letërsisë botërore kështu përpiqem që t’i interpretoj gjërat. Për kënaqësinë e lexuesve dua t'ju kujtoj që librat nuk bien nga qielli, por nga zemra e lexuesve. Unë kam qenë në kontakt që moshë të vogël me shkrimtarë, që kanë prekur temat e fëmijëve. Kam pasur një fëmijëri qytetare.

Nëna ime ka qenë mësuese me merita të veçanta, ndërsa babi financier.

Sot që flasim jam 76 vjeç dhe për çdo gjë që kam kaluar nuk kam memorie të mjegullt, por tepër të freskët.

CMG: Cilat janë kujtimet më të bukura?

Sotir Qiriaqi: Këtë pyetje e bëjnë shumë pak njerëz dhe shumë pak ju përgjigjen, sepse preken skutat e njeriut.Kjo është një psikologji e mirëfilltë e jetës dhe zakonisht peshorja anon edhe tek kujtimet jo të mira që kemi kaluar.

Njerëzit mendojnë që jeta është pranverë, por ka momente që nuk është gjithmonë kështu. Vitet e mia të lindjes ishin vitet e varfërisë, ndaj unë i ruaj ato kujtime si tepër të vyera sepse mësova nëpërmjet tyre rëndësinë e jetës.

CMG: A e keni pyetur ndonjëherë nënën tuaj për momentin kur ju erdhët në jetë? Si kanë qenë emocionet e saj?

Sotir Qiriaqi: Unë kam lindur në maternitetin e Tiranës dhe aso kohë kishte një ligj që fëmijët duhet të mbaheshin aty për gati dhjetë ditë. Unë jam ndjekur nga doktor Glozheni dhe pritur nga një mami e famshme shkodrane Ladje Rroshi, e cila po ta shohësh si koncept ngjan me nënë Terezën. Jam rritur në çerdhe dhe kopshte, fëmijëria ime ka qënë me puthje e përqafime edhe tek-tuk ndonjë shpullë nga edukatorja. Pasuria dhe varfëria nuk ekzistonin si koncepte, sepse ne ishim të gjithë të barabartë. Unë ruaj edhe fotografine e parë të shkrepur në maternitet nga burri i tezes. Mund të flasësh shumë, por arkiva e shtëpisë sime është e rradhitur me shumë dashuri dhe e plotë. Ky është rrëfimi im dhe nuk dua të prek dhimbjet e jetës, sepse edhe unë vuaj nga mungesa e nënës apo mungesa e babait etj. Lexuesi duhet të kuptojë që kjo është jeta e vërtetë. Ne jemi një brez nga kanë lindur njerëz të mëdhenj.

CMG: Cilat janë reflektimet tuaja më të mëdha para pasqyrës?

Sotir Qiriaqi: Këtë pyetje ma ka bërë vetëm një gazetar francez dhe më fut në mendime për jetën. Pasqyra është e vërteta jonë, para saj nuk shpëton dot.

Ajo nuk gënjen!

CMG: Çfarë është Tirana për ju?

Sotir Qiriaqi: Tirana mbetet një qytet klasik dhe për fatin tim të mirë unë kam jetuar në qendër të saj. Kam lindur tek rruga e Kavajës, Tregu Çam. Tirana ka pasur dhe ka infrastrukturë të rrallë sidomos në territorin ku kam jetuar une ka pasur çdo gjë tjetër për të jetuar. Ka pasur një arsenal kulture dhe gjithë jeta ime ishte e mbushur me aktivitete të këtij lloji.

CMG: Kur kuptuat që keni marrë një kthesë në jeten tuaj?

Sotir Qiriaqi: Njeriu nuk duhet të rrijë me njerëz që flasin për veten, ose duhet të rrijë me ata që e njohin veten.

Në fushat e mia nuk kam qenë tepër i suksesshëm, por kam pasur një ves të keq, sepse isha i miri i shokëve dhe i keqi i vetes. Nuk jam zhgënjyer ndonjëherë në jetë, por në përgjithësi kam pasur kthesa brilante. Kam pasur afër njerëz me koncepte të mira për jetën dhe çdo gjë që kam pësuar në jetë e kam marrë kthesen lehtë.

CMG: I buzëqeshni ju jetës, apo jeta ju?

Sotir Qiriaqi: Në Tiranë ka pasur gjithnjë më tepër mundësi. Kemi punuar me pak dhe shijuar jetën në kushtet që kemi pasur mundësi. Viti ‘90 në pamje solli një emancipim dhe këtu nisi saga e vrapimit për mua. Jeta nuk më ka buzëqeshur gjithmonë, babai më ka ndërruar jetë në moshë të re edhe nëna, kam dy motra të mira, shokë e miq plot.

CMG: Ju flisni tepër për rëndësinë e gruas në shoqëri, pse?

Sotir Qiriaqi: Unë jam mbrojtësi klasik i femrave. Nuk mund ta duash femrën nëse nuk ke lexuar asgjë për të. Korifenjte e letërsisë e dashurojnë figurën e saj dhe e mbrojnë sepse gruaja është jeta. Mendoj që një njeri që nuk ka lexuar asgjë nuk do mund të dashurojë.

CMG: 189 gara. A i thoni shpesh vetes bravo?

Sotir Qiriaqi: Unë si natyrë jam melankolik. I ngjaj nënës sime ajo ka qenë mësuese e perlave të mësimit shqiptar. Por ky lloj aplikacioni i jetës sime me një vullnet titatik më ka bërë që ta shoh jetën ndryshe. Sporti im nuk është çështje interesi. Tek njeriu janë të fjetur vullkane pasionesh dhe shpërthejnë. Nëse shpërthejnë në moshën që jam unë janë me llavë të nxehtë. Unë do vazhdoj të vrapoj kur Shqipëria gëlonte nga pasiviteti. Sot jam i kënaqur dhe i lumtur e ndihem optimist. Fillova si amator, por përfundova në maratonat e mëdha të botës.

CMG: Ju flisni shpesh për dashurinë. Si e përjetoi mungesën e partneres tuaj?

Sotir Qiriaqi: Lori e bukur! Ne kishim një kontratë shpirtërore bashkë do bënim shumë gara të bukura. Por ajo vdiq. Ndaj ju them njerëzve mos e merrni për profeci, por jetoni jetën! Punoni fort dhe jepni vetëm mesazhe paqeje e dashurie. Njeriu ka nevojë për përkrahje dhe dashuri. Ajo iku me kokën mbrapa në një periudhë të vështirë si Covid-19. Unë vazhdoj të vrapoj edhe për të.

Intervistoi Megi Latifi