Zhvillimi i teknologjisë digjitale pritet të ngushtojë hendekun ekonomik midis Kinës lindore dhe asaj perëndimore, sipas një raporti të ri të publikuar nga Instituti i Kërkimit për Zhvillimin Rural i Universitetit të Pekinit dhe “AliResearch”, degë e “Alibaba Group”.
Kërkimi fokusohet në zhvillimin digjital të 2481 qarqeve dhe rretheve në mbarë vendin, ku bujqësia përbën më shumë se 3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto lokal, deklaroi kreu i institutit, Huang Jikun. Sipas tij, indeksi digjital rural pasqyron zhvillimin në infrastrukturë, ekonomi, qeverisje dhe jetën e përditshme.
Foto nga VCG
Katër nga pesë zonat kryesore që regjistrojnë rritjen më të shpejtë në indeks, rajonet autonome të Mongolisë së Brendshme, Tibetit dhe Ningxia Hui si dhe provinca Gansu, janë pjesërisht ose plotësisht pjesë e Kinës perëndimore.
Huang Yiping, zëvendësdrejtor i Shkollës Kombëtare të Zhvillimit në Universitetin e Pekinit, tha se megjithëse mbetet një hendek në nivelet e zhvillimit të financave digjitale midis rajoneve bregdetare dhe ato pa dalje në det të Kinës, zonat e brendshme po përparojnë me një ritëm të përshpejtuar.
“Ndër 100 qarqet me rritjen më të lartë në indeks, 91 janë nga Kina perëndimore. Kjo është vlera e teknologjisë digjitale, e cila ka përfitime universale”, -tha Huang.
Gao Hongbing, kreu i “AliResearch”, deklaroi se koha mesatare që duhet për të transportuar mallra nga Yiwu, një qendër prodhuese në provincën Zhejiang, në kryeqendrat provinciale në Kinën perëndimore u shkurtua me 16 orë nga viti 2018 në 2020-n.
Zhvillimi i digjitalizimit në logjistikë ka përmirësuar kapacitetin dhe efikasitetin e këtij sektori në Kinën perëndimore, duke ngushtuar hendekun ekonomik rajonal. Gao bëri të ditur se vëllimet e dërgesave në Kinën perëndimore panë një rritje prej 23 për qind në bazë vjetore në vitin 2020.
Zgjerimi i rrjetit të transportit ka hedhur themelet për zhvillimin e zonave rurale digjitale. Huang Yiping tha se përveç investimeve të qeverisë, më shumë ekonomi të platformave duhet të përfshihen në ndërtimin digjital në rajone më pak të zhvilluara. Raporti thekson se provincat e Zhejiang, Jiangsu, Fujian, Shandong dhe Henan u renditën si pesë zonat kryesore në indeksin digjital rural në vitin 2020.
Huang Jikun, kreu i Institutit të Kërkimit për Zhvillimin Rural i Universitetit të Pekinit, deklaroi se teknologjitë digjitale kanë rritur shpërndarjen e produkteve bujqësore dhe më shumë se 10 për qind e të gjitha shitjeve me pakicë në vitin 2020 erdhën nga platformat e “e-commerce”. Megjithëse, sipas tij, zhvillimi digjital rural ka bërë përparim, veçanërisht në sektorin e infrastrukturës, nivelet e përgjithshme të ekonomisë digjitale dhe jetës digjitale në zonat rurale janë relativisht të ulëta.
Wang Xiaobing, drejtor i Qendrës së Informacionit në Ministrinë kineze të Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale, deklaroi se zhvillimi digjital rural është i nevojshëm për të ngushtuar boshllëqet rajonale dhe për të nxitur zhvillimin e përbashkët të Kinës lindore, qendrore dhe perëndimore.