Margarita Kola ka mbaruar studimet për shkenca natyre, por dhe për drejtësi dhe prej vitesh ushtron profesionin e avokatit. Ajo gjithashtu ka përfunduar masterin dhe doktoraturën për të drejtën ndërkombëtare publike, të specifikuar në të drejtat e njeriut. Prej vitesh është dhe pjesë e organizatave ndërkombëtare që operojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Znj.Kola është vazhdimisht e pranishme në programe të ndryshme televizive, që lidhen me temat sociale. Në një intervistë për CMG ajo tregon për rrugëtimin e saj profesional dhe ndan me ne eksperiencat e saj profesionale dhe ato jetësore.
CMG: Ju keni vite që ushtroni profesionin e avokates në Shqipëri, por si erdhi pasioni për këtë profesion ?
Margarita Kola: Unë e kam filluar karrierën profesionale, duke dhënë mësim në gjimnaz si mësuese fizike. Jam diplomuar për fizikë, vij nga bota e shkencës dhe jam ndodhur rastësisht midis letrave, ku duhet të kisha një mendim ligjor. Punoja me disa projekte të Bankës Botërore dhe duhej patjetër që të merrja vesh nga kontratat. Pashë që fizika më jepte logjikën, por referenca ligjore dhe interpretimi ligjor më mungonte dhe kur je e re ke pasion të bësh shumë gjëra.
Unë shquhesha për një tip shumë optimist dhe energjik dhe kur fillova të studioj jurisprudencë, u dashurova me këtë degë dhe pashë që fizika e ndihmonte shumë jurisprudence, sepse më jepte analizën logjike që shpesh e kërkon interpretimi ligjor. Mbas kësaj vazhdova të bëj master dhe doktoraturë po në fushën ligjore jashtë shtetit. Unë për një kohë të gjatë kam jetuar në Kanada dhe jam edhe shtetase kanadeze, por kam vendosur me shumë dëshirë të rikthehem në Shqipëri sepse motoja ime ka qenë që të gjitha këto njohuri që i kemi marrë në universitete të mira të botës t’i përdorim në Shqipëri në favor të vendit tonë.
CMG: Ky është një mesazh i mirë ndoshta dhe për të tjerët që studiojnë jashtë dhe të rikthehen të investojnë në vendin e tyre.
Margarita Kola: Ndoshta dhe për vajzat e mia, të cilat kanë studiuar jashtë dhe mendoj se do të dëshirojnë të qëndrojnë jashtë. Nuk e dimë se çfarë sjell jeta, por tendenca është për të qëndruar jashtë për rininë. Unë mendoj që gjithësesi atë që të jep vendi yt nuk ta jep asnjë vend tjetër, pavarësisht ndonjë lehtësire financiare që ndoshta duket në pamje të parë, por nëse i bën analizën në fund të ditës me atdheun tënd, je i lidhur në njëqind fije të dukshme dhe të padukshme.
CMG: Pra ju keni mbaruar dy fakultete dhe keni gjetur dhe kombinimin e tyre?
Margarita Kola: Unë kam mbaruar dy fakultete, atë të shkencave të natyres dhe të drejtësisë. Gjatë kohës që kam studiuar master në LLM që është master që njihet nga ato të fushës së ligjit, unë kam studiuar dhe një master për organizatat ndërkombëtare, për menaxhimin e këtyre organizatave. Ky ishte një master shumë interesant dhe e kam bërë në Ryerson University në Toronto, dhe mbas asaj kam vazhduar doktoraturën në fushën e të drejtës ndërkombëtare publike, të specifikuar në të drejtat e njeriut.
CMG: Keni vite që e ushtroni profesionin e avokates. Sa i lehtë apo i vështirë ju duket si profesion për ta ushtruar në Shqipëri?
Margarita Kola: Unë dua të them një gjë shumë sinqerisht sepse ma kanë bërë këtë pyetje disa herë se pse kam zgjedhur avokatinë dhe jo prokurorinë apo të jesh magjistrate. Unë e kam zgjedhur me bindje avokatinë sepse ka një mungesë në këtë fushë, për avokatë të cilët vërtetë besojnë te e drejta dhe mbajnë krahun e qytetarit. Kjo për arsye se avokatia si çdo profesion tjetër në Shqipëri ka qenë i vështirë, pasi shpesh avokatët janë shigjetuar për njerëz pa integritet, për njerëz që janë pjesë e formulës korruptive midis prokurorëve dhe gjyqtarëe.
Unë mendova që ku ka më mirë sesa të jesh në mbrojtje të qytetarit dhe të japësh një mesazh ndryshe. Këtë e them sinqerisht që sikur sot të pranohem në shkollën e magjistraturës, nuk do ta ushtroja profesionin e magjistratit, as të prokurorit sepse tendenca ime është të hap praktika ligjore të reja dhe ta pasuroj jurisprudencën edhe në fushën e avokatisë.
CMG: Kohët e fundit ju jeni zgjedhur dhe anëtare e komitetit drejtues të Dhomës së Avokatisë. Si e pritët këtë pozicion të ri tuajin?
Margarita Kola: Faktikisht unë nuk kisha hyrë asnjëherë në votime, dhe kjo është hera e parë me një këmbëngulje të disa kolegëve, të cilët më donin dhe më propozuan emrin, madje edhe lobuan dhe bënë fushatë për mua. Unë jam zgjedhur anëtare e komitetit drejtues të Dhomës së Avokatisë në Tiranë dhe mendoj që kemi shumë për të bërë ne si drejtues të saj për të bërë ndryshimet përkatëse, qoftë në fushën e lobimit të ligjeve, të cilat janë në interes të qytetarit, qoftë në një status të avokatit.
Një fushë shumë e rëndësishme është që të përmirësojmë dhe ngrejmë në një nivel më të lartë shkollën e avokatisë, pse jo ta bëjmë dy vjet atë sepse unë kam një parim timin, nëse dëshiron të shkëlqesh në një profesion që ka të bëj me ligjin, duhet të jesh avokat sepse avokati duhet të jetë më i përgatitur sesa gjyqtari dhe prokurori, sepse i ka të dy përballë. Vetëm kur avokatët ta kuptojnë profesioniun në këtë mënyrë dhe gjykata do të vihet më tepër përpara përgjegjësisë.
CMG: Përveç profesionit të avokates ju jeni e angazhuar dhe në fushën e mësimëdhënies. Si e gjeni kohën për t’i menaxhuar të dyja këto?
Margarita Kola: Përpara disa viteve kam qenë e angazhuar në kohën më të madhe në mësimdhënie, tani e kam reduktuar pak për shkak se zyra ime ligjore është duke u zgjeruar dhe më duhet më shumë kohë që t’i kushtoj menaxhimit të saj. Mësimëdhënia mbetet një dashuri e imja, e cila mendoj që në një moshë më të maturuar, kur unë të kem më shumë hapësirë do të merrem më shumë me mësimdhënien sesa merrem tani. Unë kam një eksperiencë në makro sepse kam punuar me projektet ndërkombëtare për reformën në drejtësi, dhe tani praktikoj të drejtën si avokat në sallën e gjyqit.
Kam dhënë dhe mësim, dhe imagjinoni të tria këto eksperienca unë do t’i kombinoj në një të ardhme dhe për më tepër do të synoj që në mësimdhënie studentëve t’ju jap eksperiencë praktike.
CMG: Lidhjet tuaja profesionale janë dhe në arenën ndërkombëtare. Si kanë qenë këto eksperienca për ju?
Margarita Kola: Unë konkretisht drejtoj një organizatë që është Shoqëria Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, është me qendër në Frankfurt dhe punon me 37 vende të botës. Unë jam Presidente për Shqipërinë dhe njëkohësisht jam anëtare bordi e këshillit ndërkombëtar në Gjermani. Kjo është një organizatë që është e fokusuar totalisht te të drejtat e njeriut dhe synimi i saj është të merret me edukimin ligjor të popullatës, të lobojë kundër shkeljes së të drejtave të njeriut.
Kjo organizatë ka veprimtari në mjaft vende dhe unë kam qenë në Lindjen e mesme në Irak, si pjesë e projektit të kësaj organizate. Kjo organizatë ka filluar të veprojë dhe në Shqipëri sepse u regjistrua ligjërisht në Gjykatën e Tiranës. Ne fillimisht kemi filluar me projekte për të edukuar rininë në në zonat e veriut që mos të bien pre e rrethit vicioz të gjakmarrjes. Ne synojmë që të pregatisim qytetarë me edukim ligjor, jo vetëm për pasojat që sjell gjakmarrja, por edhe për aspektin social nëse dikush bëhet pre e gjakmarrjes, pra ne duhet të thyejmë ciklin.
CMG: Falë punës suaj me të huajt ju keni udhëtuar në shumë vende të botës. Çfarë kanë sjellë këto udhëtime për ju edhe si eksperiencë jetësore?
Margarita Kola: Udhëtimet janë jetë, bota rrotullohet rreth lëvizjes dhe toka ku ne jetojmë lëviz rreth një boshti. Unë kam qenë me fat që kam udhëtuar në një kohë kur shqiptarët përpiqeshin të merrnin një vizë, unë udhëtoja në mënyrë të rregullt për shkak të punës që kam bërë me institucionet ndërkombëtare. Unë në atë kohë e shikoja botën si një gjë, dhe gjithmonë bëja krahasimin kur shikoja një gjë të bukur që s’e kishte vendi im dhe sot nuk e shoh më në atë aspekt.
Në udhëtimet që bëj tani më pëlqen të hulumtoj kulturat, dhe përveç ndryshimeve që më shumë janë të karakterit sipërfaqësor, kultura njerëzore është e njëjtë. Të gjithë ne rrotullohemi rreth familjes, rreth të drejtës dhe moralit. Të gjitha diskutimet tona janë të fikusuara se çfarë mund të bëjmë më mirë.
CMG: Një tjetër pasion i juaji është dhe poezia, ku keni shkruar dhe publikuar disa prej tyre. Si erdhi pasioni për poezinë dhe si e gjeni kohën për të krijuar?
Margarita Kola: Unë kur kam qenë në shkollën 8 vjeçare por edhe në gjimnaz, kam luajtur teatër dhe shkruaja poezi ku aktivizohesha dhe në këto rrethet artistike, dhe unë isha në rrethin letrar ku shkruanim poezi dhe e kam pasur poezinë një pasion gjithë kohës. Mua tani aktualisht më mbetet shumë pak kohë për të shkruar, por në darkë kur unë gatuaj dhe mbaroj ato detyrat e mia shtëpiake, gjej kohë që të ulem dhe të shkruaj.
Poezia për mua është diçka që unë ndoshta gjatë ditës më kalon tangencialisht dhe kam pasur mundësi që ta shpreh dhe ta them me zë ose ta rimendoj. Në momentin kur unë ulem dhe fokusohem e më vjen muza, mua më duket sikur në atë kohë po e përjetoj atë ngjarje. Kryesisht poezitë e mia shpesh janë të lidhura me metafizikën, me intensitetin e të drejtës, janë të lidhura me momentiumin, pra vijnë nga disa teori fizike.
Në përgjithësi ka ekzistuar ajo ndarja që shkencat e natyrës nuk kanë lidhje fare me artin, por në fakt nuk është ashtu sepse ligjet e natyrës janë të tilla të cilat na imponohen ne në ligjet shoqërore. Kështu që unë poezinë e kam shlodhje, analizë, dhe e kam ndoshta si një vetëplotësim timin. Tani kam në dorë dhe një roman që e kam filluar dhe e kam në punë e sipër.
CMG: Sa e lidhur jeni me vajzat tuaja, të cilat studiojnë dhe jetojnë jashtë shtetit?
Margarita Kola: Vajza e madhe ka qenë në Austri dhe për momentin tani ndodhet në Shqipëri, duke bërë aplikimet për të ikur jashtë shtetit për master. Gjithashtu vajza e vogël ka shkuar në Gjermani shpesh sepse po mëson gjuhën dhe dëshiron të studiojë për mjekësi në Gjermani dhe vazhdimisht është e shkëputur me periudha për mësimin e gjuhës. Unë mendoj se do ishte shumë mirë që fëmijët të na shkolloheshin këtu në një shkollë të mirë, pra ne të bënim universitetet tona të mira sepse i kemi të gjitha kapacitetet, dhe ne ti kishim këtu përpara syve tanë, të shikonim rritjen e tyre, përmbushjne profesionale dhe pse jo kohën kur neve do të bëhemi gjyshër dhe gjyshe. Kështu që e kam zgjedhur në një aspekt këtë çështje, por në shumë aspekte të tjera mendoj që ne duhet patjetër të bëjmë shkollat tona të mira dhe fëmijët tanë ti mbajmë këtu.
CMG: Së fundi një përshëndetje për të gjithë dëgjuesit e Radio Ejnai.
Margarita Kola: Unë do ju them të gjithëve që mos të ndalojnë asnjëherë. Ne do të ndalojmë diku sepse jemi shtegtarë në këtë botë, por le të vijë ai momenti që të ndalojmë kur se kemi ne në ndorë ndalesën, por për aq kohë sa e kemi në dorë duhet të vrapojmë, të bëjmë gjërat më të mira dhe të mos të vdesim asnjëherë shpirtërisht. Duhet të punojmë gjithë kohës, të prodhojmë me sa mundësi kemi sepse jeta është e bukur.
Intervistoi: Gazmend Agaj