Ganimete (Jakupi) Demiri) mësuesja e parë e "Shkollës Shqipe Monthey-Chablais" pranë LAPSH-it në Zvicër, në një bashkëbisedim me Editorin e Diellit të Vatrës në New York Sokol Paja, rrëfen organizimin e mësimit shqip në Shkollën Shqipe Monthey-Chablais, aktivitetet patriotike, kulturore dhe edukative pranë kësaj shkolle, sfidat për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar në mërgatën shqiptare të Zvicrës.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE MONTHEY-CHABLAIS NË MONTHEY, ZVICËR

Shkolla jonë u formua me iniciativën e z. Zenun Shalës dhe anëtarëve të tjerë të kryesisë: Dukagjin Ramosaj, Yllka Shehu dhe Valentina Ramaj Ramosaj. Mësuese e parë e "Shkollës Shqipe Monthey-Chablais" pranë LAPSH-it ka qenë Ganimete Jakupi Demiri. Në fillimet e hapjes së shkollës shqipe numri nxënësve ka qenë mjaft i madh, nxënësit mësojnë: gjuhën dhe letërsinë shqipe, kulturën, historinë, artin me një fjalë gjithçka që lidhet me ne si popull shqiptar. Sfidat e të ardhmes mund të jenë të ndryshme: Ambienti (hapësira) shkollore, materiali shkollor, pamundësia për të vizituar vendet e ndryshme për të cilat mësojmë teorikisht si dhe më mosvijimi i nxënësve mësimin shqip. Shkolla ka filluar mësimin nga muaji shtator 2020, komuna e Monte-së (Monthey) ka mundësuar mbajtjen e mësimit në njërën prej shkollave të saj, fillimisht ka pasur 18 nxënës, mësimi është mbajtur dhe mbahet çdo të mërkure pasdite.

ORGANIZIMI I MËSIMIT SHQIP NË MONTHEY, ZVICËR

Organizimi i mësimit plotësues shqip zakonisht organizohet përmes këshillit të shkollës dhe këshillit të prindërve në bashkëpunim, kurrikula është e përgatitur nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) në Zvicër dhe duke u përmbajtur pikave referuese ndjekim procesin edukativo-arsimor të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Të veçantat e shkollës sonë janë: Shkolla është e hapur për çdo fëmijë shqiptarë apo edhe të huaj që ka dëshirë të mësojë gjuhën dhe kulturën shqiptare, t'i motivojmë fëmijët në ruajtjen e traditave shekullore, të kuptojnë fëmijët se gjuha amtare është çelësi kryesor i sukseseve për të mësuar edhe gjuhë të tjera.

GJUHA SHQIPE SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR

Gjuha shqipe si formë e identitetit kombëtar - padyshim që gjuha si mjet komunikimi dhe identifikimi e dallon një person, popull nga të tjerët "Kur një komb e humb gjuhën, ai ka humbur edhe veten e tij", andaj ditë e më shumë duhet t'i kushtojmë rëndësi të veçantë gjuhës, fëmijëve t'i flasim shqip, mos ta humbim gjuhën, traditat dhe kulturën tonë kombëtare e cila është ruajtur me fanatizëm ndër breza me shekuj të tërë. Shkolla shqipe është vandtakim i përbashkët si i fëmijëve ashtu edhe të rriturve ku mund të merren njoftime, vendime, aktivitete dhe të bëhen marrëveshje të rëndësishme.

BASHKËPUNIMI PRINDËR NXËNËS DHE E ARDHMJA E SHKOLLËS SHQIPE

Bashkëpunimi prindër - nxënës dhe mësues është gjithnjë i hapur ku në çendër të vëmendjes është parësore arritja, suksesi i nxënësit...Aktualisht nuk kemi binjakëzim me ndonjë shkollë mbase të ardhmen do të ketë ndryshime, gjithnjë e më shumë jemi duke u përpjekur për t'u hapur sa më shumë shkolla shqipe dhe padyshim do të kemi zgjerim në tërë regjionin, shtetin e Zvicrës. Shkolla jonë u bënë thirrje të gjithë prindërve, bashkatdhetarëve tonë për regjistrimin e fëmijëve në shkollat shqipe, regjistrimet fillojnë nga muaji qershor.

SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË DHE VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË

Fatmirësisht ne edhe gjatë kohës së pandemisë në shkollën tonë mësimin e kemi vijuar në objektet shkollore kuptohet duke iu përmbajtur rregullave të caktuara me kujdes të shtuar. Vështirësitë e fëmijëve me dy gjuhë - mendoj se në njërën anë kanë përparësitë e njohjes së dy gjuhëve dhe në anën tjetër kanë vështirësitë e zotërimit të dy gjuhëve, por nëse një fëmijë që nga fëmijëria fletë mirë gjuhën amtare, aftësitë e tij për të zënë gjuhë të tjera janë shumë më të lehta.

GJUHA SHQIPE SI TRASHËGIMI SHPIRTËRORE DHE IDENTITARE KOMBËTARE

Gjuha shqipe si trashëgimi shpirtërore dhe identitare kombëtare - gjuha shqipe deri më tani "Është dëshmuar se është argumenti më i mirë prijës, i fuqisë krijuese, i pasurisë shpirtërorë dhe emocionale të popullit tonë", ndërsa gjuha si identitare kombëtare padyshim që është thesari më i çmuar i popullit tonë me një biografi plot sakrifica duke pasur parasysh që çdoherë kemi qenë të rrezikuar nga armiqtë të cilët kanë dashur të na asimilonin si popull, kemi një histori të lashtë të artit, kulturës dhe traditave të cilat na bëjnë të ndryshojmë nga popujt tjerë. "Kur një popull e nderon gjuhën, ai ka nderuar atdheun e tij" - Dritëro Agolli.

KUSH ËSHTË GANIMETE (JAKUPI) DEMIRI)?

Ganimete (Jakupi) Demiri) vjen nga komuna e Viti-së, ka studiuar në degën "Edukim dhe mësuesi", në vendlindje ka punuar 6 vite si mësuese, ndërsa nga viti 2015 jeton në Zvicër. Këtu punon prej 2vitesh me fëmijët shqiptarë, merret me shkrime të ndryshme si: Shkolla Shqipe Monthey-Chablais, Aforizma, poezi, prozë dhe artikuj të ndryshëm, merret me aktivitete të ndryshme të cilat organizohen nga bashkatdhetarët poashtu edhe nga zviceranët ku gjithnjë është e interesuar të jetë sa më shumë e integruar në shtetin zviceran.(Gazeta Dielli)