Ilir Kadia ka lindur në qytetin e Ersekës në vitin 1957, por prej 1959 e deri sot jeton në Tiranë, ku dhe ka kryer studimet larta për ekonomi agrare. Prirjen letrare e manifesto që në moshë të re me botime në shtypin e kohës. Ilir Kadia është autor i pesë librave me tregime të shkurtra. Prej fundviteve 80' e deri sot ushtron profesionin e gazetarit. Periudha e viteve 1993-2011 e gjeti korrespondent të BBC në gjuhën shqipe dhe më pas për dy vjet ka qënë këshilltar për media pranë qeverisë shqiptare, drejtor kabineti në AMA, drejtor i Televizionit Telesport dhe aktualisht gazetar i parë në Radio Tirana.
Ilir Kadia ka mbrojtur gjuhët gjermane dhe italiane, ndërsa njeh edhe gjuhën angleze dhe ruse. Është i martuar me Nini Kadian dhe baba i dy djemve Arbër dhe Besart Kadia, si dhe gjysh i Anuar, Amal dhe George Kadia.
CMG: Ilir, si është i mbushur sirtari juaj i kujtimeve?
Ilir Kadia: Një sirtar i kapërderdhur ka qenë tepër intestiv, jo vetëm sa i përket viteve në BBC, por në çdo kohë në fakt.
Çdo gjë ka rrjedhur me kohën dhe sirtari i kujtimeve është mbushur plot, por do të veçoja martesën e shpejtë dhe lindjen e djemve.
CMG: Si i kujtoni vitet e fëmijërisë suaj?
Ilir Kadia: Unë kam lindur në Ersekë. Nëna më rrëfen që ka qenë ditë e premte, ditë e mirë. Ashtu siç ishte edhe dita në fakt kam edhe një detaj për të treguar. Ndërsa pritej që babai im të kthehej nga një stërvitje, e cila zgjati plot 18 ditë për të më takuar dhe që e dinin të gjithë se mezi më priste, mua në spital me thërrisnin "Premti".
Patëm fat që fëmijërinë ta kalonin në Tiranë. Motra u sëmur dhe duhet të trajtohej këtu e një nga të afërmit t’i qëndronte pranë, kështu që ne u zhvendosëm të gjithë këtu.
Tirana është gjëja më e bukur që mund t'i ndodhë njeriut kur jeton në të.
CMG: Mësimet që gjyshërit të kanë dhënë, sot ua përcjell mbesave dhe nipit?
Ilir Kadia: Gjyshërit më kane lënë vërtet mësime të forta. Gjyshi nga babai vdiq herët, por më la mësime të forta, si përshembull atë të ndihmës. Merrte në duar prush të nxehtë me pak hi poshtë që mos digjej për të ndezur zjarrin.
Mbaj mend urtinë e tij, të cilën ia përcolli babait tim. Ishte një nga shqiptarët e parë që jetoi në Amerikë dhe kur u kthye këtu e solli me vete urtinë dhe prakticitetin. Një tjetër njeri që ka qenë shumë i rëndësishëm për mua, ka qenë edhe babai im.
CMG: Cilat ishin fjalët e fundit të babait tuaj?
Ilir Kadia: Babai nuk pati fjalë në momentin e fundit, por pati një veprim shumë të bukur. Sapo kishte lindur vajza e madhe e Besartit, djalit tim të vogël dhe ai pati një problem shëndetësor, që e pengonte të lëvizte. Sapo vajza futet në dhomë ai fillon t’i lëvizë krahët si krahët e një pëllumbi dhe ai imazh për mua është tepër i shtrenjtë. E mori vajzën, e mbajti në krahë dhe qau pak. Besi i ngjan për urtinë babait tim dhe uroj që edhe vajza e tij të ketë të njëjtat tipare.
CMG: Adoleshenca… a e keni programuar veten ndër ato vite?
Ilir Kadia: Kam përshtypjen se po, sepse unë isha me shkollë fillore dhe kur arritëm në klasë të katërt u bë një zgjerim dhe u bashkuam me klasën e pestë. Mësuese të gjuhës dhe të letërsisë pata Liri Dhrimën që pikasi tek unë një aftësi për të shkruar.
Dritëro Agolli ishte shok i ngushtë i babait tim dhe kujtoj që për të lëvizur nga një fshat tek tjetri babai hapte rrugën me dëborë. Kur fillova të shkruaj babai u bë krenar dhe ia dërgoi Dritëroit shkrimet dhe ai më motivoi dhe më orientoi për të vazhduar.
Këto angazhime më bënë të besoj dhe mbaj mend që shumë miq të asaj kohe më nxitën. E mendova shumë të lehtë punën e letërsisë dhe më thonin se isha aktor i mirë. Dëshiroja në fund të vazhdoja për letërsi edhe pse në lëndët ekzakte isha shumë mirë. Vendosa të aplikoj për letërsi, por në atë kohë qarkullonte një ligj jo tepër i mirë, fëmijës së dytë që t’i dilte shkolla e lartë duhet ta kishte mesataren 10-të të plotë, ndërsa unë kisha vetëm një 9-të në fiskulturë.
U ndjeva i fyer që nuk më doli kjo degë dhe më doli shkolla ushtarake, por u tregova pak i zgjuar sepse ai që do të na bënte dokumentat për në shkollën ushtarake e dëgjoi me vëmendje ankesën time. Ditën që u takuam unë i thashë që jam i vetmi me këtë mesatare kaq të lartë dhe i tregova notat. Ai u ankua në komitetin ekzekutiv dhe më vendosi për të studjuar në Ekonomi kontabël bujqësor. Nuk ja kisha tepër idenë se çfarë ishte, por vajta sepse edhe në familjen time kishte anëtarë që kishin ndjekur këto studime.
CMG: Gjatë kësaj kohe hoqët dorë nga letërsia?
Ilir Kadia: Absolutisht jo. Botimin tim të parë serioz e kam bërë tek revista “Nëntori”, më e mira për botime letrare me një cikël poezish. Kam 5 libra me tregime të shkurtra. I kam botuar librat si një sfidë, sepse djali im një ditë më tha nëse di apo nuk di të bëj gjë tjetër veçse të flas në mikrofon, dhe unë i tregova që di të bëj diçka tjetër, botova libër.
Libri i parë u prit shumë mirë dhe i dhashë vetes një premtim që në 50-vjetor t’i dhuroj vetes 100 tregimet e Kadisë. Aktualisht jam duke shkruar kujtimet e babait tim, që i kam shumë të shenjta.
CMG: Cili është kujtimi më i bukur nga babai juaj?
Ilir Kadia : Nëna më rrëfen se në të kaluarën unë isha shumë i sëmurë. Tentativat për t’u ndjekur me mjek, por dhe alternativa të tjera nuk munguan. Po tretesha dhe lajmëruan babain tim. Ashtu sikur ju thashë sapo babai erdhi në shtepi më mbërtheu në krahë dhe unë e mora veten. Aroma e tij kishte qenë ilaçi që më duhej, tregon nëna ime.
CMG: Cilat jane kthesat me të rëndësishme të jetës suaj?
Ilir Kadia : Për pak kohë bëj 40-vite i martuar vetëm me një grua. Kjo është kthesa ime me e rëndësishme në jetë.
Nini është fati im në jetë. Ishim në një fakultet dhe unë sapo e pashë u dashurova me të. Ajo ishte shumë vajzë e bukur dhe patjetër që do dashurohesha me të.
Më lodhi pak se më bëri të prisja 1 vit, sepse nuk besonte tek djemtë e Tiranës, por pas një viti më tha po. Pasi më tha po u fejuam dhe unë ditën tjetër shpërndava llokume me arra në shkollë, ndërsa asaj i vinte turp. Dashurinë e ka mbajtur të gjallë magjia e saj. Zoti na bëri dhuratë menjëherë djalin tonë të parë Arbrin dhe Besi erdhi në një kohë rekord.
CMG: Si ka qenë emocioni kur lindi Arbri, fëmija i parë?
CMG: Kur lindi Arbri punoja larg dhe atë mëngjes Nini më tha më hidh diçka tek këmbët sepse kam ftohtë. (Përlotje)
Kur u ktheva prej andej nuk e gjeta në shtëpi dhe u bëra merak shumë. Motra më tregoi që e dërguam në maternitet dhe kishin tre orë që prisnin, pa asnjë lajm.
E marr në telefon maminë që quhej Merushe dhe më pyeti se kush jam. Kur i thashë që jam bashkëshorti, babai i djalit më tha ajo. Djalë, brohorita me të madhe! Më prit aty i thashë, dhe i çova një 250 lekësh nga gëzimi. Pastaj ardhja e Besit shumë shpejt dhe gjatë gjithë kohës Nini pas dy lindjeve vetëm këndonte, fluturonte nëpër shtëpi. Patëm fat të madh veçanërisht kur njoha miq shumë të mirë në BBC dhe ata më ndihmuan që të siguroja shkollën e fëmijëve, e cila ishte absulotisht shumë e kushtueshme.
CMG: Jeni ju më tepër krenar për Arbrin dhe Besin, apo ata për ju?
Ilir Kadia: Kjo pyetje vlen dhe për ata, por unë di të them që jam shumë krenar.
E dyanshme është kjo, por di të them që patën një përkushtim të madh për dijen dhe jam krenar që ata formuan emrin e tyre dhe nuk njihen si djemtë e Ilirit, por unë si babai i Besit dhe Arbrit.
CMG: Vite të tëra në BBC. Na rrëfeni për momentin e parë kur filluat dhe të fundit kur u larguat?
Ilir Kadia: Kujtoj transmetimin e parë kur Londra na kërkoi për emisionin e darkës një speciale. Unë ndiqja shumë median italiane dhe befas dëgjoj një lajm që më bëri përshtypje. Pasi dëgjoj lajmin kur më pyeti shefi nga Londra ja them dhe më tha që do jetë lajmi i ditës. Mirëpo personat që do të bënim intervistën nuk ma dhanë. Më thanë po, po, por nuk ma dhanë versionin shqiptar. Drejtori më tha që do ta japësh intervistën dhe faktin që premtuan dhe nuk na dhanë, kjo quhet palë (ky ishte leksioni i parë nga BBC).
Pas 11 vitesh ne takohemi në Durrës, kemi një takim me të gjithë kolegët e BBC anë e mbanë botës do të festojmë kujtimet tona të jashtëzakonshme.
CMG: Ju kishit mundësi të jetonit në Londër por nuk e bëtë. Treguat atdhedashuri, a është kështu?
Ilir Kadia: Po unë kam pasur mundësi të mëdha që të jetoj e punoj atje. Kam pasur oferta pune të jashtëzakonshme edhe në vende të tjera, por nuk e pranova.
Në vitet 97 kur Shqipëria u shkatërrua, Londra u shqetësua shumë për ne dhe erdhi të na merrte. Dy kolegët e mi ikën, ndërsa unë jo. Nuk doja që vendit t’i ikte elita.
Asnjë nuk më kuptonte, por ika. Pas shumë tentativave më bindën, djali im i madh kishte pasaportë, ndërsa Besi jo. Ishte fati ynë që të qëndronim në Shqipëri.
Unë e dua Shqipërinë sepse më lidh me nënën, babain, gjyshërit. Këtu janë rrënjët.
CMG: Në cilin kapitull të jetës jeni aktualisht?
Ilir Kadia: Unë jam në fazën më të bukur të jetës. Jam i lumtur që kam dy mbesat e mia dhe një nip, që janë fatet e bukura të jetës sime.
Gjyshi i do shumë dhe ma shpërblejnë me ecuri të vogla. Nipi im ka lindur në datën 11 korrik, kur unë dhe Nini, gruaja ime jemi martuar.
Këta pra më bëjnë me krahë. Nuk ka si mjalti i mjaltit.
CMG: Cilat janë impresionet e kësaj epoke që jeni duke jetuar?
Ilir Kadia: Unë për 3 muaj bëj 65-ç dhe kam vendosur që të dal në pension, pa asnjë diskutim. Deri në këtë moment kam pasur një periudhë më angazhime dhe besoj që me këtë lloj angazhimi do më shkojë jeta, deri sa Zoti te kete caktuar për mua ditët. Dëshira ime është të jem i vlefshëm për shoqërinë.
CMG: Ndikimi që ka nëna në jetën tuaj?
Ilir Kadia : Ku ka si nëna! Ajo është dielli i familjes. Një zonjë me të gjitha kuptimet. Ajo ka notën 10-te në gjithçka sepse bën gjithçka siç duhet. Më ka këshilluar në momente decisive. Ajo do të jetë pranë nesh në çdo kohë dhe këshilltarja ime e vetme, dhe më e mira në jetë. Rrjedh nga një familje e fisme dhe i ka trashëguar edhe te ne.
Gjëja e parë që më ka thënë ka qenë të jem i dashur me miqtë.
CMG: Cila është aroma që ju sjell kujtime?
Ilir Kadia : Aroma e nënës, kur më sjell terhan në mëngjes.Ajo më zgjon çdo shqisë dhe më bën ta dua jetën.
CMG: Definicioni i jetës suaj, cili është ?
Ilir Kadia: Ç'jetë e bukur!
Intervistoi Megi Latifi