Këto ditë të gjithë nxënësit në mbarë vendin janë përballur me stresin e provimeve të mbylljes së vitit shkollor. Këtë ndjenjë stresi e sheh në fytyrat e nxënësve, por edhe të maturantëve. Duket se nxënësit nëpër shkolla përballen me një ndjenjë tensioni dhe pasigurie që shfaqin në ditët e fundit në ambientet shkollore. Kjo varet nga mënyra e perceptimit të çdo nxënësi. Pasiguria është ndjenja që dominon në ditët e para të provimeve. Këtë pasiguri e sheh edhe tek nxënësit e mirë që presin rezultate maksimale, pasi ata kanë tendencën që të jenë “perfeksionistë” dhe gjithmonë duan të jenë të parët. Ka pasur raste që nxënës të shkëlqyer që përgatiten shumë në fazën para provimit, nuk arrijnë që t’ia dalin mbanë. Kjo ndodh për shkak se janë tepër të shqetësuar dhe kanë ankth në kohën që bëjnë provim. Por pasiguria mund të krijohet edhe nga mungesa e përgatitjes së duhur. Ankthi para provimit te fëmijët dhe jo vetëm, mund të jetë i lidhur me një sërë arsyesh të tjera si: Simptomat fizike të stresit si frymëmarrje të shkurtra, djersitja e duarve, rrahjet e shtuara zemrës etj,të cilat e vështirësojnë kuptueshmërinë e pyetjeve. Jo rrallë ndodh ajo që quhet, bllokimi i mendimeve ku pavarësisht përpjekjeve, informacioni që kemi mësuar nuk risillet në vëmendje në momentin e provimit.

Dr. Elona Dashi Psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë, jep opinion e saj në lidhje me këtë temë për Grupin Mediatik të Kinës.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

CMG: A kanë të gjithë fëmijët ankth përpara provimeve?

Dr. Elona Dashi: Ankthi përpara provimit është një dukuri mjaft e shpeshtë. Të gjithë fëmijët, në një mënyrë apo në një tjetër e kanë ankthin përpara provimit. Pavarësisht se të gjithë ne themi se fëmijët kanë simptomatika të ankthit përpara provimit, menaxhimi dhe manifestimi i këtyre simptomave është i ndryshëm, se varet edhe nga temperamenti i secilit fëmijë. Që do të thotë se, fëmijët më të ndjeshëm e përjetojnë më shumë dhe shpeshherë mund të kenë simptoma të ankthit para provimit edhe më të shprehura. Janë një sërë faktorësh që mund të ndikojnë se përse një një fëmijë ka simptoma më të shprehura të problemit të ankthit, e pse disa fëmijë të tjerë nuk i kanë, por është deri diku një ankth pozitiv apo një ankth i shëndetshëm, për sa kohë zhduket në momentin që fillon provimi dhe nuk bëhet pengesë për vazhdimin e pjesës tjetër të provimit. Gjë që do të thotë se, gjithë ata fëmijë që para provimit kanë frikë se si do dalin në provime, kanë frikë nëse do i kujtojnë të gjitha përgjigjet e pyetjeve, a do i kujtojnë ato që kanë mësuar, a do arrijnë ta përfundojnë provimin në kohë, janë shqetësime që gjithsecilit i kalojnë nëpër mend dhe janë mëse normale, për sa kohë që në momentin që fillon provimi vazhdon ecuria normalisht. Ky ankth provimi kthehet shqetësim në momentin që e pengon fëmijën që të realizojë në mënyrën e duhur provimin, nuk e lejon fëmijën që të shkruajë ato çfarë ka mësuar, nuk e lejon që të përfundojë provimin apo dhe ta fillojë provimin, çka bën shpesh që të kemi dhe braktisje të provimit. Prandaj në këtë moment kur kemi të bëjmë me këtë situatë dhe kur këto bëhen të shpeshta, është e rëndësishme që t’i kushtojmë rëndësi më shumë dhe të kërkojmë ndihmë. Kjo nuk ndodh vetëm tek fëmijët, por edhe kur kemi provimet e maturës apo provimet simestrale dhe tek dera e shkollës nuk shohim vetëm fëmijët, por edhe edhe prindër që në shumë raste mund të jenë të shqetësuar, prindër ankthioz, prindër që mezi presin që fëmija i tyre të dalë nga provimi, ashtu siç ka edhe prindër të tjerë, të cilët e marrin më me sportivitet këtë pjesë.

Vlen për t’u përmendur që në shumicën e rasteve sa më ankthioz të jetë natyra e prindit, aq më ankthioz është fëmija sepse dashur pa dashur prindi e përcjell ankthin e vet edhe tek fëmija. Prandaj rekomandohet që prindërit të jenë më të qetë në rradhë të parë, të përpiqen t’i japin suportin emocional fëmijës së tyre dhe jo t’i përcjellin ndjesitë e tyre të ankthit.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]


CMG: Si mund ta menaxhojmë ankthin?

Dr. Elona Dashi: Është e rëndësishme që në momentin që ndodhemi përpara fletës së provimit, është e rëndësishme për disa sekonda të bëjmë një frymëmarrje të thellë, të përpiqemi të qetësohemi, të pimë pak ujë dhe të përqëndrohemi tek fleta e provimit, duke minimizuar ngacmuesit e jashtëm, duke shmanguar shpërqëndrimet, kthimin mbrapa, pyetjen e shokut, duke u siguruar që paraprakisht i kemi të gjitha ato që na duhen në bankë siç mund të jenë, fletorja, lapsi, stilolapsi, apo të gjitha mjetet e nevojshme, në varësi të provimit që do të zhvillohet, duke i dhënë pak sekonda vetes deri në momentin që të fillojë provimi dhe pastaj mund të vazhdojnë me nisjen. Këto janë simptomatikat e ankthit të shëndetshëm, ndërsa në momentin që problematikat e ankthit bëhen pengesë për të vazhduar provimin disa herë, jo vetëm një herë dhe fëmija e ka të pamundur të realizojë provimin, bllokohet , nuk e vazhdon dot, e refuzon, qan, merr rezultate të pakënaqme, pavarësisht punës që ka bërë, është me rëndësi t’i kushtohet një vëmendje më e madhe gjithë simptomatikës së fëmijës sepse ndoshta kemi të bëjmë me probleme të tjera ankthioze të cilat bëhet shkak për shfaqjen e këtij ankthi të provimit. Në praktikën e përditshme shumica e situatave përballohen brënda klasave me psikologen e shkollës dhe nuk janë të shpeshta rastet kur i drejtohen drejtpërsëdrejti psikitatrit, por në situata të tjera kur problematika bëhet shumë e shprehur dhe kemi mbivendosje në situata të tjera, keni situata të tjera ankthioze edhe jashtë provimit, jashtë orës së mësimit, atëherë padyshim që rastet referohen te psikiatri i fëmijëve për të bërë një vlerësim klinik të gjithë tablosë së fëmijës.

CMG: Çfarë u sugjeroni nxënësve, maturantëve, por dhe familjarëve të tyre që po përballen me këtë ankth sot?

Dr. Elona Dashi: Jemi në këtë periudhën e provimeve të rëndësishme të klasës së 9-të, të provimeve të maturës dhe gjej rastin t’i uroj të gjithëve, suksese. Është shumë e rëndësishme që të paktën natën përpara provimeve nxënësit të gjejnë kohën për të fjetur 7-8 orë gjumë të qetë, të shmangim përsëritjet në orët e vona, të shmangim përdorimin e pijeve energjike, apo kafeve, ndonëse nuk rekomandohen nën moshën 18 vjeç. Në fakt gjejmë plot raste të abuzimit dhe përdorimit të tyre, pasi përdorimi i tyre rrit shpërqëndrimin ndaj provimit, dhe bën që gjumi mos jetë i qetë, duke rritur problemin me ankthin tek fëmijët. Po ashtu rekomandohet që prindërit të jenë të kujdesshëm në dhënien e suportit emocional ndaj fëmijëve të tyre dhe dhënien e atij risigurimi që fëmijët e kanë të nevojshme, që gjithçka do shkojë mirë.

Intervistoi: Sava Lena