Me rritjen e pandërprerë të nivelit të digjitalizimit, me synim shfrytëzimin maksimal të mundësive të industrisë së të Dhënave të Mëdha, po merr formë një megaprojekt, i cili do të plotësojë kërkesat në rritje e të vrullshme për fuqinë e trajtimit të informacionit. Në shkurtin e këtij viti, Kina nisi një projekt për të ndërtuar një sistem të integruar kombëtar të të dhënave të mëdha, duke përfshirë ndërtimin e 8 qendrave të trajtimit të sasive të mëdha të informacionit dhe 10 të tjerave të grupuara në nivel shtetëror.

Foto: Një punëtor po kontrollon pajisjet në një qendër të të dhënave të kompanisë China Mobile në provincën Guizhou të Kinës Jugperëndimore, 24 maj, 2022. (Foto: Xinhua)

Foto: Një punëtor po kontrollon pajisjet në një qendër të të dhënave të kompanisë China Mobile në provincën Guizhou të Kinës Jugperëndimore, 24 maj, 2022. (Foto: Xinhua)

E përgjithësuar si “Të dhënat Lindore trajtohen në Perëndim”, projekti përbën një rol kyç në infrastrukturën digjitale të Kinës. Ai synon bashkërendimin e kapaciteteve të trajtimit të të dhënave mes krahinave lindore të vendit (ku kërkesat për përpunimin e sasive të mëdha të informacionit janë të larta) dhe krahinave perëndimore, ku gjenden burimet e pasura e të ripërdorueshme për ndërtimin e qendrave të trajtimit të të dhënave. Thënë shkurt, përmes këtij projekti, të dhënat nga krahinat e zhvilluara ekonomikisht në lindje të Kinës do të transmetohen në krahinat në zhvillim në perëndim të vendit për rezervim dhe përpunim.

“Ndërtimi i këtij projekti është në zhvillim e sipër dhe ka një të ardhme të ndritur përdorimi”, - tha zëvendësdrejtori i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës, z. Lin Nianxiu në “Ekspozitën Ndërkombëtare të të Dhënave të Mëdha të Kinës 2022”, i cili u zhvillua ditët e fundit në kryeqendrën Guiyang të provincës Guizhou. Sipas tij, Kina do të përshpejtojë më tej transformimin digjital të infrastrukturave tradicionale.


Forcë për nxitjen e investimeve

Operatorët e industrisë së të Dhënave të Mëdha parashikojnë se zbatimi i këtij projekti do të nxisë rritjen ekonomike përmes shtimit të investimeve në “rrymën e sipërme” dhe atë të “poshtme” të zinxhirit industrial. Të dhënat statistikore tregojnë se që nga fillimi i këtij viti, gjatë ndërtimit të 10 qendrave grupore të të dhënave të mëdha, janë nisur 25 projekte të reja, kapaciteti i përpunimit të të cilave është sa ai i 27 milionë kompjuterëve privatë. Ndërkohë këto projekte kanë tërhequr mbi 28.2 miliardë dollarë amerikanë investime. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vëllimi i investimeve në krahinat perëndimore është rritur 6 herë.

Foto: Qendra e të dhënave “Huawei Cloud” (djathtas) dhe qendra e dhënave të Tencentit “Qixing” (majtas) në Zonën e Re Gui’an të provincës Guizhou, 24 maj, 2022 (Xinhua)

Foto: Qendra e të dhënave “Huawei Cloud” (djathtas) dhe qendra e dhënave të Tencentit “Qixing” (majtas) në Zonën e Re Gui’an të provincës Guizhou, 24 maj, 2022 (Xinhua)

Si një ndër 8 qendrat kombëtare të trajtimit të të dhënave, provinca Guizhou ka marrë vendimin që të përshkallëzojë infrastrukturat e saj digjitale dhe të shpenzojë brenda këtij viti rreth 17 miliardë juanë (ose 2.55 miliardë dollarë amerikanë) në industrinë e të Dhënave të Mëdha. Provinca synon të ndërtojë një “korridor informativ” që e lidh atë me Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong-Hong Kong-Makao dhe qarkun ekonomik Chengdu-Chongqing, duke plotësuar kërkesat e këtyre dy zonave në përpunimin e sasive të mëdha të informacionit.

Studimet akademike zbulojnë se shtimi i investimeve në këtë sektor do të ketë një ndikim afatgjatë dhe të forcuar në rritjen e ekonomisë së vendit. Por jo vetëm kaq, pasi kjo do të favorizojë zvogëlimin e nivelit të zhvillimit mes lindjes dhe perëndimit të vendit. Për shembull, një ndër gjigantët e telekomunikacionit të vendit, China Unicom, deklaroi se do të shtojë 1.5 miliardë juanë të tjerë në zgjerimin e qendrave të të dhënave të kompanisë në Guiyang, duke shtuar 7 mijë serverë të tjerë, përveç 3 mijë njësive aktuale.


Nxitja e shfrytëzimit komercial

Që nga viti 2016, kur siguroi miratimin e ndërtimit të zonës së parë pilot të vendit për teknologjinë e të dhënave të mëdha, provinca Guizhou është bërë kryesuese e kësaj industrie të vendit. Pas zhvillimit prej disa vitesh, shumë qendra të informacionit atje tashmë kanë nisur ta prekin suksesin komercial. Qendra e Superkompjuterimit Gui’an filloi operimin në vitin 2020. Me 537 serverë dhe 1 mijë përpunues grafikë të performancës së lartë, Qendra tani ka përvetësuar aftësinë e llogaritjes sa 13.4 kuadrilionë herë në sekondë, duke u radhitur në vendin e tretë ndër qendrat e të dhënave në perëndim të vendit.

Foto: Parku i Informacionit i China Telecom-it në Zonën e Re Gui’an, provinca Guizhou, 24 maj, 2022 (Foto: Xinhua)

Foto: Parku i Informacionit i China Telecom-it në Zonën e Re Gui’an, provinca Guizhou, 24 maj, 2022 (Foto: Xinhua)

Duke plotësuar kërkesat e studimeve shkencore kombëtare, Qendra ka realizuar përdorimin komercial të fuqisë së saj në përpunimin dhe rezervimin e të dhënave. Në janarin e vitit 2021 Shenzhen Rayvision Technology, një kompani e specializuar në ofrimin e shërbimeve kompjuterike për industrinë e arteve pamore, u bë klientja e parë e blerjes së fuqisë së kësaj qendre në trajtimin e të dhënave masive. Pas kësaj Qendra ka ofruar shërbimet për shumë filma dhe telenovela të njohura në punën e pasqyrimit (rendering). Sipas Dai Kaiguo, një inxhinier i Rayvision, me anën e përdorimit të fuqisë së superkompjuterimit, puna e pasqyrimit që kushtonte mbi 100 orë në të kaluarën, tani mund të kryhet brenda pesë minutash.