Pandemia e COVID-19 nuk ka mbaruar. Kjo ishte deklarata e kreut të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) në ceremoninë e hapjes së sesionit të 75-të të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë javën e kaluar. Nga kjo organizatë mësohet se rastet e raportuara të infektimit janë duke u shtuar në afro 70 vende në mbarë rajonet e botës. Vihet re një ulje e vigjilencës në shumë vende të botës për shkak të variantit relativisht të butë “Omicron” dhe për rrjedhojë lehtësim i kufizimeve.

Foto:VCG

Foto:VCG

Kina vazhdon të zbatojë një politikë të rreptë e njohur si strategjia “zero-COVID dinamike” e cila përfshin një sërë masash, si testimi masiv, gjurmimi i gjerë i kontakteve dhe mbyllja e shpejtë për të shmangur sa më shpejt të jetë e mundur shpërthimet e reja kur ndodhin.

Një studim i fundit i kryer bashkërisht nga shkencëtarët në Kinë dhe në ShBA parashikon se Kina mund të kishte 1.5 milion të vdekur nga COVID-19 nëse do të hiqte dorë nga politika e saj “zero-COVID” pa asnjë mbrojtje, si shtimi i vaksinimeve dhe i mundësive për mjekim.

“Niveli i imunitetit i sjellë nga fushata e vaksinimit në mars 2022, nuk mjafton për parandalimin e një vale të ‘Omicron’-it”, shkruajnë autorët, duke parashikuar se kulmi i kërkesës për terapi intensive do të jetë 15.6 herë më shumë se kapaciteti ekzistues dhe do të shkaktojë afro 1.5 milion vdekje.

Njëkohësisht, studimi sugjeron që të vihet fokusi në garantimin e zotërueshmërisë së vaksinave dhe ilaçeve antikoronavirus, duke ruajtur zbatimin e ndërhyrjeve jofarmaceutike për të shmangur rrënimin e sistemit shëndetësor.

“Zero-COVID dinamike’ nuk do të të thotë ‘zero infektime” shpjegoi Liang Wannian, kreu i grupit të ekspertëve për përballimin dhe trajtimin e COVID-19 në Komisionin Kombëtar të Shëndetësisë, gjatë një konference shtypi.

Kyçi është ndërprerja e infektimeve të reja sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo heqja dorë nga përpjekjet dhe lënia e situatës jashtë kontrollit, theksoi ai.

Kjo politikë i krijoi Kinës një hapësirë të çmuar kohore, që duhet shfrytëzuar për të krijuar më shumë ilaçe dhe vaksina, tha Liang në një koment të publikuar në revistën zyrtare të Qendrës së Parandalimit e Kontrollit të Sëmundjeve të Kinës.

Pandemia Covid 19 vazhdon të mbetet një realitet botëror, por politikat për luftimin e saj në vende të ndryshme të botës janë të ndryshme. Kina, vendi me popullsinë më të madhe në botë, prej 1.4 miliard banorë, ka zbatuar një politikë unike në luftën kundër pandemisë. Edhe në momentin që flasim në Kinë po zbatohet Politika zero Covid dinamike. Çfarë është kjo strategji dhe si po zbatohet ajo?

Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës Dr. Marsela Musabelliu, Drejtore ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit flet për situatën pandemike në Kinë.

CMG: Përse qeveria kineze ka vendosur t’i përmbahet një politike kaq të rreptë në luftën e saj kundër Covid 19 ?

Dr. Marsela Musabelliu: Kjo është një pyetje që bëhet shpesh, por sidomos në këtë pjesë të botës. Për disa mund të duket e rreptë, intensive, por për njerëzit që kanë jetuar në Kinë dhe e njohin Kinën, kjo është brenda standardeve të normales. Kjo është një situatë e jashtëzakonëshme që kërkon një përgjigje të jashtëzakonëshme, ndaj dhe qeveria kineze ka marrë masat sipas situatës, në kohën e duhur dhe sipas vendeve ku ka patur problematikë.

CMG: Kina ka patur eksperiencë sa i përket luftës kundër viruseve, nëse i referohemi dhe luftës kundër SARS-it dhe kjo pandemi krijoi një gjendje emergjence për autoritetet kineze.

Dr. Marsela Musabelliu: Jo vetëm Kina, por e gjithë Azia është disi e njohur me viruse, por për faktin që Covid 19 u shfaq në Kinë dhe u luftua në mënyrë të menjëherëshme i tregoi botës që Kina për 3 muaj rihapi qytetet e saj më në rrezik. Le të kujtojmë që në janar 2020 një spital në Kinë u ndërtua për 7 ditë. Për pjesën tjetër të botës kjo është një gjë e çuditëshme, por për ata që e njohin Kinën e dinë shumë mire që kur autoritetet dhe shoqëria kineze mobilizohet atëhere gjithçka është e mundur.

CMG: A ka rezultuar e suksesshme kjo politikë që qeveria kineze ka ndërmarrë në luftën kundër Covid 19?

Dr. Marsela Musabelliu: Përgjigja e gjithanëshme e Kinës ndaj kësaj pandemie ka prodhuar rezultate solide, sepse autoritetet kanë vendosur jetën e njerëzve në vend të pare. Në qendër të vëmendjes së tyre ka qenë jeta e njerëzve që ishin në zonat më në rrezik. Kjo pasqyron fuqinë e sistemit të Kinës për të frenuar jo vetëm shpërthime të këtij niveli, por edhe për të frenuar përhapjen në fshatra të vegjël.

Për mendimin tim kjo ka funksionuar sepse janë pyetur ekspertët, grupet e interesit dhe si përfundim janë autoritetet ata që vendosin. Nëse flasim për Zhang Nanshan që është një nga ekspertët më të njohur të Kinës në këtë fushë, ai ka thënë se kjo strategji është e vështirë, por është burimi i fundit dhe këtë duhet të bëjmë.

CMG: Është specifike sa i përket popullsisë së Kinës, dendësisë së popullsisë në megaqytete si Shangai e Pekini. Po bëhen më shumë se dy vjet pandemi dhe si mendoni se është vlerësuar ky administrim i pandemisë me tolerance zero?

Dr. Marsela Musabelliu: Në radhë të pare duhet të shpjegoj që politika zero Covid nuk do të thotë që nuk do të ketë përhapje, nuk do të thotë që nuk do të ketë infeksione.

CMG: Këtu është krijuar keqkuptimi nga mediat jashtë Kinës. Sepse mendojnë që me gjithë këto masa super të rrepta, si është e mundur që ka ende raste dhe bllokime ?

Dr. Marsela Musabelliu: Në radhë të pare Kina nuk mund të mbyllet me botën sepse kjo do të ishte tragjike jo vetëm për vendin, por për të gjithë pjesën tjetër të botës. Kina në qytetet e saj të mëdha është munduar që ta përmbajë përhapjen e epidemisë në nivel maksimal. Politika zero Covid dinamike ashtu si vetë fjala është sipas rastit. Sipas vendit, sipas përhapjes. Disa qytete e kanë menaxhuar shumë mire, disa të tjera disi më pak. Megjithatë, duhet patur parasysh se në këto dy vite po të shohim numrin e vdekshmërisë, të përhapjes në krahasim me pjesën tjetër të botës që fatkeqësisht në Europë ose në kontinente të tjera e kemi parë dhe ndryshimi është drastik. Kjo do të thotë që politika sa i përket jetës së njerëzve ka funksionuar. Unë kam disa statistika lidhur me këtë. Ne kemi pare shumë imazhe nga Shangai ditët e fundit edhe sepse është një qytet ndërkombëtar, i hapur me botën si dhe qendra financiare e Kinës.

Shangai ka një popullsi prej 25 milionë banorësh, të përqëndruar në 6300 km katrorë. Vetëm kjo mund të tregojë densitetin e popullsisë. Gjithë Australia nuk ka 25 milion banorë, në gjithë atë territor. Nëse shohim statistikat dendësia mesatare e popullsisë së Kinës në territorin e saj është 153 persona për km katror, ndërsa në Europë është 34 persona për km katror. Që këtu kuptohet se masat nuk mund të jenë asnjëherë të njejta. Nëse keni parasysh hartën e Kinës do të shikoni se zonat e gjelbra, ose më pjellore janë në pjesën lindore të saj dhe këtu janë fokusuar qytetet më të mëdha të vendit. Edhe për shkak të industrializimit të 4 dekadave të fundit dhe rritjes së shpejtë ekonomike shumë persona janë larguar nga zonat rurale në drejtim të atyre urbane. Në vitin 1978 zonat urbane në Kinë kishin 18 për qind të popullsisë, ndërsa në vitin 2020 janë 62 për qind.

Nga ana tjetër duhet të shohim dhe një fenomen, të cilin nuk e njohim shumë në Europë. Bëhet fjalë për megaqytetet. Sipas emërtimit ndërkombëtar koncepti i megaqyteteve është një qytet që ka më shumë se 10 milion banorë. Kina ka 15 megaqytete, si Shangai me 25 milion banorë, Pekini 22 milion, Chengdu me 20 milion, Shenzhen që pati të njejtën problematikë të rikthimit të rasteve të infektimeve ka 18 milion banorë që janë të përqendruar në 2 mijë km katrorë.

Kam nxjerrë disa të dhëna nga EUROSTAT ku shohim se në Bashkimin Europian ka dy megaqytete, që janë Parisi dhe Londra. Parisi ka 12.8 milion banorë dhe Londra 12.1 milion dhe pastaj vijnë Madridi me 6.6 milion banorë, Berlini me 5.1 milion banorë e Milano etj.

Nëse ne krahasojmë megaqytetet midis Kinës dhe pjesës tjetër të botës mund të mendohet se dhe logistika brenda këtyre qyteteve është shumë e vështirë.

CMG: Informacionin që ju dhatë rrallë here mund ta gjesh në mediat ndërkombëtare jokineze që ka të bëjë me strukturën e qyteteve, dendësisnë e popullsisë së tyre dhe për rrjedhojë i detyron autoritetet të marrin masa specifike, që nuk kanë të ngjashme në vende të tjera. Kjo politikë e tolerances zero dinamike sa ka ndikuar në ekonominë e vendit, por dhe në jetën sociale të individëve ?

Dr. Marsela Musabelliu: Çdo politikë që aplikohet në një vend të caktuar ka avantazhet dhe disavantazhet e saj. Në çdo politikë që aplikohet ka humbës dhe fitues. Fatkeqësisht ekonomia si në të gjithë botën për shkak të Covid 19 ka patur regres, por mbaj mend që para një viti kam qenë në një konferencë në Budapest dhe një nga ekonomistët e Akademisë së Shkencave të Kinës e mbylli fjalimin e tij duke thënë “Ekonominë e rekuperojmë, kurse jetët e njerëzve nuk i rekuperojmë dot”.

Sa i përket ekonomisë kineze duhet thënë se me gjithë këto shtrëngime në vitin 2021 ekonomia kineze u rrit me 8.5%, ndërsa mesatarja e botës ishte 3.4%. Këtë vit projeksionet e Kinës për rritjen ekonomike janë me 5.5%, ndërsa mesatarja botërore mund të shkojë dhe në regres për shkak të situatës aktuale. Në vështirësi të tilla ekonomia rekuperohet sepse biznesmenët dhe tregu kinez dhe patjetër autoritetet dhe ekspertët në kohëra dhe momente të ndryshme kanë gjetur zgjidhje për problem edhe më të mëdha.

CMG: Politika zero dinamike ndaj Covid 19 e ndjekur nga Kina ka shkaktuar dezinformime, komente tendencioze në shumicën e mediave ndërkombëtare. Si një analiste dhe njohëse e mire e Kinës si e vlerësoni ju këtë prirje për dezinformim?

Është e trishtë sepse fatkeqësisht çdo event dhe lajm nga Kina në disa media, jo në të gjitha, politizohet, sepse i vihen nuanca të zymta. Kjo nuk është e drejtë në kohëra normale që një vend të paragjykohet, ndërsa në kohë krizash shëndetësore si kjo është dashakeqëse. Nuk duhet gjykuar një vend për mënyrat se si i aplikon politikat në territorin e vet. Në momentin që vijnë vetëm të tilla komente, imazhe frustrimi duhet treguar që ka dhe një anë tjetër të medaljes.

Shumica e njerëzve në Kinë kanë një raport shumë ndryshe nga sa ne mund ta kuptojmë me autoritetet, po kështu një raport me njeri-tjetrin, komunitetin dhe familjen të rrënjosur në historinë e tyre mijëravjeçare. Qasjen ndaj këtij problemi e kanë ndryshe. Patjetër që ka njerëz që u frustruan në fillimet e tyre, apo qytetarë në Shangai që në momentet që duhet të rrinin në shtëpi u mërzitën, por më vonë ata e kuptuan që kjo ishte për të mirën e të gjithëve.

Kjo politikë ishte për të mirën e komunitetit dhe sot gati po shuhen rastet, si në Pekin ku po fashiten rastet. Jam e bindur që Kina do ja dale dhe kjo do kalojë. Si shumë herë më pare mobilizimi i të gjitha forcave qeveritare, shoqërore do të bëjë të mundur që edhe kjo krizë do të kalojë dhe do të shohim rezultatet dhe realitete të reja.

Intervistoi Eda Merepeza