Pirja e duhanit kohët e fundit nuk po dëmton rëndë vetëm shëndetin e të rriturve, por gjithashtu po prek edhe fëmijët e adoleshentët. Më të rrezikuarit janë fëmijët e shtresave të ulëta, të cilët e kalojnë pjesën më të madhe të kohës nëpër rrugë, pa kujdesin e duhur prindëror. Mungesa e kulturës familjare, mungesa e këshillave, ambienti i rrugës, shoqërimi me njerëz apo fëmijë të tjerë të të njëjtës shtresë i shtyn këta minorenë të veprojnë njësoj. Me kalimin e viteve, ata janë të predispozuar të përdorin edhe lëndë narkotike. Por, jo vetëm fëmijët e shtresave të ulëta mund të bëhen duhanpirës të rregullt dhe kjo vjen prej ndikimit të ambientit rrethues.
Disa nga shenjat paralajmëruese për të dalluar nëse fëmija bëhet konsumator i duhanit janë; kollitja, irritimi i fytit, zëri i ngjirur, era e keqe e gojës, ngjyrosja e dhëmbëve, frymëmarrja e shkurtuar. Këto klasifikohen nga specialistët e shëndetit publik si shenjat karakteristike që duhet të orientojnë prindërit për të kuptuar se fëmijët e tyre kanë nisur të pinë duhan.
(Foto nga OBSH)
Studimet e kryera së fundmi nga autoritet shëndetësore po vënë në dukje rritje të numrit të duhanpirësve, ku në radhët e tyre po listohen edhe fëmijët e moshave shkollore. Ata shtojnë se ndër shkaqet më të shpeshta që e orientojnë fëmijën drejt duhanit janë: mendimi se duhani i bën ata më të pjekur dhe më të rritur, fëmijët mund të pinë duhan si shenjë revolte ndaj prindërve ose arsimtarëve, mendojnë se lirohen nga stresi, apo pinë për shkak të presionit nga rrethi me të cilët shoqërohen. Adoleshentët bëhen pre e duhanit pa i menduar rreziqet që mund të kenë më pas.
Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik në Shqipëri tregojnë se 8 në 10 nxënës jetojnë në shtëpi ku të tjerët pijnë duhan në praninë e tyre, 9 në 10 janë të ekspozuar nga duhanpirja në vendet publike, ndërsa pothuajse gjysma e nxënësve kanë prindër duhanpirës.
Sipas të dhënave të OBSH-së, në Shqipëri në çdo katër persona duhanpirës, në tre prej tyre prindi (babai) ka pirë duhan, gjë që tregon se një adoleshent është shumë i prirë për t’u bërë duhanpirës në qoftë se prindërit e tij janë përdorues të rregullt të duhanit.
Daniela Qato -Psikologe shkollore
Psikologia Daniela Qato ka folur rreth kësaj teme në një intervistë për Radio Ejani.
CMG: Cila kategori e fëmijëve apo adoleshentëve janë konsumues të duhanit?
Daniela Qato: Fenomeni i duhanpirjes është gjithmonë e më në rritje sidomos kur flasim për moshën e adoleshencës apo fëmijët në pubertet. Konsumimi i duhanit nga adoleshentët, prej kuriozitetit që ata kanë për të panjohurën, nga presioni shoqëror që ata kanë nga bashkëmoshatarët për të provuar dhe konsumuar duhanin, prej modelimit që mund të kenë nga familjarët, kur një nga prindërit apo të dy konsumojnë duhan, bën që ata të nisin të provojnë duhanin si një gjë të re për ta eksploruar, duke mos ditur risqet apo dëmin që shkakton te shëndeti i tyre.
Duhanpirja (Foto Portali shkollor)
CMG: Çfarë masash marrin shkollat kur evidentojnë që një nxënës ka konsumuar duhan?
Daniela Qato: Së pari shkolla ka një rol kyç duke bashkëpunuar gjithashtu me shërbimin psiko-social. Ata duhet që të ndërgjegjësojnë fëmijët dhe adoleshentët me fushata sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese, me ëorkshp-e të ndryshme, me këshillim individual që psikologia e shkollës mund të bëjë me një fëmijë që ka nisur të konsumojë duhan. Një rol kyç luan gjithashtu edhe familja, pasi është hallka kryesore në këtë fenomen. Familja duhet që të komunikojë me fëmijën për aspektet negative që ka konsumimi dhe ato pozitive nga moskonsumimi i duhanit. Pra, fëmijës i duhen shpjeguar pasojash, por dhe të mirat, një prej të cilave mund të jetë dhe modeli për vëllanë apo motrën më të vogël, të cilët duke e parë atë mund ta imitojnë.
CMG: A mund të jenë ata duhanpirës të rregullt?
Daniela Qato: Sipas statistikave, por edhe informacioneve në shkollat në Shqipëri, fëmija e nis duhanin kryesisht në moshën 12-vjeçare. Dhe nëse e nisin duhanin në këtë moshë ka shumë gjasa që të jetë një konsumues i rregullt në të ardhmen. Prandaj ka shumë rëndësi që fëmijët në këtë moshë të jenë në monitorim nga familja, shkolla, si dhe shërbimi psiko-social që kanë në institucionet arsimore.
Një rol kryesor ka edhe komuniteti, pasi duhet të ndalohet shitja e duhanit, e lëndëve narkotike, alkoolit, në ambietet afër shkollës, si dhe në mënyrë kategorike nuk duhet që ato t’u shiten fëmijëve apo minorenëve, ashtu siç parashikon edhe ligji.
Duhanpirja nga adoleshentet (Foto Google)
CMG: Si mund të bashkëpunojë familja për këtë problematikë?
Daniela Qato: Famija gjithashtu mund të shërbejë si faktori kyç i këtij fenomeni, duke qenë edhe vetë model duke mos e konsumuar duhanin përpara fëmijës. Gjithashtu në rritje është edhe konsumimi i cigareve elektronike, i cili është gjithashtu njëlloj i dëmshëm sa përdorimi i duhanit. Prandaj prindi dhe shkolla duhet ta monitorojnë fëmijën edhe për këtë. Ndërkohë prindi duhet ta ndërgjegjësojë fëmijën nëpërmjet komunikimit edhe duke qenë model për ta. Gjithashtu, fëmijëve nuk u duhen lënë para në dorë, që mos të kenë akses në blerjen e tyre.
Sipas gjykimit tim dhe eksperiencës që kam, prindi duhet të ndjekë një stil autoritar, pra që të mund të monitorojë dhe të kontrollojë çdo aktivitet të fëmijës. Ai duhet të jetë autoritar në disa aspekte duke ia shpjeguar përse duhet kështu, por edhe duke i dhënë gjithashtu lirinë e nevojshme që fëmija të njohë e të eksplorojë fenomenin, por jo fenomenet që e dëmtojnë atë.
Disa këshilla që mund të jenë të vlefshme për të parandaluar duhanpirjen nga moshat e reja: