Anila Monka (RTSH)
Problemet me shikimin nuk duhen nënvlerësuar, sidomos te fëmijët e moshës shkollore. Fëmijët që nuk shohin mirë jo gjithmonë e dinë se ajo që ata shohin është e ndryshme nga ajo që shohin të tjerët. Pa diagnozë dhe ndërhyrje të shpejtë, problemet e shikimit të fëmijëve mund të sjellin vështirësi në të mësuar dhe të përkeqësohen në mënyrë të konsiderueshme me kalimin e kohës. Në një intervistë për “Radio Ejani”, mjekja okuliste Anila Monka tregon shkaqet dhe problemet e syve te fëmijët.
“Problemet më të shpeshta të shikimit që hasen te fëmijët ndahen në dy grupe madhore, problemet që lidhen me refraksionin dhe sëmundjet e tjera. Problemet që lidhen me refraksionin mund të përmendim, miopinë hiperopinë, dhe strabizmin. Miopia është dritëshkurtësia, kur fëmija ka probleme me shikimin larg. Hiperopia është kur fëmija sheh larg, por ka probleme me shikimin nga afër. Ambliopia është rasti kur ka pamje të ulët në njërin sy pa pasur dëmtime organike të tij. Strabizmi është shtrembërimi i njërit apo të dy syve. Mund të jetë e lindur ose të shfaqet në moshën 2 ose 3 vjeç”, -deklaron okulistja.
Shikimi i qartë është i rëndësishëm për fëmijët, që të lexojnë, të shkruajnë, të dallojnë informacionin në dërrasë ose kompjuter, madje edhe të luajnë.
“Ndikimi kryesor është ajo që quhet “computer vision syndrome”, sindroma e të qëndruarit gjatë në kompjuter që shfaqet me tharje, skuqke, dhembje të syve, dhembje koke, qafe apo shpine, që është e zakonshme te fëmijët që rrinë gjatë përpara kompjuterit. E dyta, janë pajisjet teknologjike, ato që quhen ekranet ku futen ekrani i kompjuterit, lojërat në celular për një kohë të gjatë, kanë një ndikim shumë të lartë në rritjen e miopisë. Sipas studimeve të fundit, miopia është shtuar shumë krahasuar me 30 vitet e fundit. Të gjithë studiuesit mendojnë se qëndrimi i gjatë përballë ekraneve ka një rol shumë të madh në shtimin e rasteve me miopi. Mënyra e tretë e ndikimit të teknologjisë është nëpërmjet dritës blu. Është vërtetuar që spektri blu i dritës është ai që jep më shumë dëmtime në retinën e syrit dhe gjithashtu fëmijët thithin më shumë dritën blu. Efektet nuk janë të menjëhershme, por shfaqen me dobësimin e qendrës së retinës, duke shtuar rastet me degjenerim okular”, -deklaroi Monka.
Sipas mjekes okuliste, qëndrimi i gjatë në aparaturat teknologjike sjell probeleme te shikimi, të cilat mund të jenë të parikuperueshme më vonë. Për të, koha e rekomandueshme për një fëmijë që të qëndrojë para ekranit është; për fëmijët 0-2 vjeç, zero. Kjo grupmoshë nuk duhet të qëndrojë në mënyrë absolute para ekraneve; Fëmijët mbi 2 vjeç deri në shkollën fillore rekomandohet një orë në ditë dhe mbi këtë moshë deri në dy orë në ditë maksimumi.
Problemet më të shpeshta të syve te fëmijët janë vizioni i paqartë. Sa më e gjatë koha pa trajtim, aq më shumë truri i fëmijës do të sforcohet për ta rregulluar problemin. Kjo mund të çojë në komplikacione të tjera, që mund të jenë më të vështira për t’u trajtuar. Ndërsa sa i përket vizitës te mjeku, sipas okulistes, fëmijët duhet të bëjnë kontrolle herë pas here.
“Sipas protokolleve mjekësore botërore vizita te fëmijët duhet të bëhet në këto grupmosha: Vizita e parë duhet të bëhet në gjashtë muajt e parë të jetës, ku mjeku okulist do të shohë nëse ka probleme të syrit të cilat do të ndikojnë në formimin e shikimit te fëmija. Vizita e dytë bëhet në moshën 3-vjeçare, vizita e tretë në moshën 5-6 vjeç dhe vizitat e tjera nga mosha 6-18 vjeç bëhen në interval kohe çdo një ose dy vjet. Sigurisht, për fëmijët që nuk janë në kontroll rutinë dhe mbajtjen e syzeve, sepse në këtë rast është mjeku okulist ai që përcakton kontrollet rutinë”, -thekson mjekja.
Në shkollat 9-vjeçare në Shqipëri ka nisur programi kombëtar i kontrollit të shikimit te nxënësit. Sipas të dhënave, tre javë pas nisjes së këtij programi, 1 në 7 fëmijë ka rezultuar me probleme. Mjekët thonë se shkak për shtimin e problemeve është bërë qëndrimi i tejzgjatur në internet në mjete të ndryshme teknologjike. Nxënësit pranojnë se rrinë gjatë në telefon dhe kompjuter, kjo edhe për shkak të disa proceseve mësimore që e diktojnë këtë qëndrim.
“Sipas statistikave botërore është vënë re që 15 për qind e fëmijëve të moshës parashkollore dhe 25 për qind e fëmijëve të moshës shkollore kanë probleme me shikimin. Kjo duhet të ndërgjegjësojë prindërit të cilët duhet t’i çojnë vetë fëmijët e tyre për vizitë, me qëllim që çdo problem shikimi të zbulohet sa më herët. Megjithatë vlen të përmendet fakti që janë shtuar shumë prindërit që i sjellin vetë për vizitë fëmijët që më moshë të vogël. Shumë i rëndësishëm është fakti që është e detyrueshme vizita tek okulisti, sidomos përpara se fëmija të fillojë shkollën. Vlen të përmendet projekti që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë për depistimet që po bëhen nëpër shkolla, për të zbuluar në kohë problemet e shikimit”, -bëri të ditur Monka.
Programi kombëtar i depistimit është shtrirë në të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe kontrollet do të jenë periodike. Të dhënat do të hidhen në një regjistër elektronik, për të krijuar një panoramë të plotë të problemeve dhe nevojave në shikim. Në jo pak raste ato kanë shkaktuar dembelizëm dhe boshllëqe të nxënësve në procesin mësimor. Mjekja okuliste Anila Monka thotë se nëse problemet e shikimit nuk zbulohen në kohë, atëherë mbetet rreziku që të mbeten të përhershme dhe të jetë tepër vonë. Sipas saj, shikimi mund të mbetet i dobët, nëse nuk korrigjohet në kohën e duhur.