Eda Maçi ka mbaruar gjimnazin “Ismail Qemali” në kryeqytetin shqiptar dhe ka vijuar studimet “Bachelor” për Informatikë Ekonomike në Universitetin e Tiranës dhe master profesional për Sisteme Informacioni në Ekonomi, në Universitetin e Tiranës. Po ashtu ka dhe një diplomë “MSC” Administrim Biznesi, profili Biznes Ndërkombëtar, në Institutin Kanadez të Teknologjisë.
Ajo punon si koordinarore projektesh pranë qendrës “Nur” dhe si koordinatore e projektit “Tradita në vija të vazhdueshme”. Përdorimi i vizatimit dhe teknikave të ngjyrosjes është parë si një element i fuqishëm në zhvillimin e kujtesës dhe përçimin e njohurive të ndryshme te fëmijët. Nisur nga kjo, është menduar të realizohet projekti “Tradita në vijë të vazhdueshme”, i cili synon të sjellë te fëmijët e Tiranës monumentet kryesore dhe veshjet tradicionale të zonës, të skicuara dhe gati për t’u ngjyrosur. Këto materiale do t’i ndihmojnë fëmijët të lidhen vizualisht me monumentet dhe traditat e veshjeve të kryeqytetit shqiptar dhe të shërbejnë si ngacmim për të marrë më tepër informacion mbi to. Duke u angazhuar në ngjyrosje dhe në punim, fëmijëve do t’u ngelen gjatë në kujtesën e tyre këto elemente të bukura të kulturës shqiptare.
Ky projekt është menduar të vijë në formë konkursi, ku të rinjtë, të cilët janë përdorues të teknikave të ndryshme digjitale, do të sjellin të skicuara në format foto ose “Pdf” monumentet e Tiranës dhe kostumet popullore të zonës së Shqipërisë së Mesme. Skicimet e realizuara më mirë dhe që përcjellin më së miri monumentin apo kostumin popullor, do të përzgjidhen dhe me to do të realizohet një broshurë, në format “Pdf”, e cila do të mund t’u shpërndahet lehtësisht shkollave apo personave të interesuar, për të motivuar fëmijët që t’i ngjyrosin ato. Kjo broshurë “online” do të jetë e realizuar nga punimet më të mira dhe nga skicimet e shtuara edhe nga grupi i punës në rast nevoje.
CMG: Si u themelua qendra “Nur”?
Eda Maçi: Qendra “Nur” është themeluar duke pasur parasysh dritën. Ka lindur si ide për t’iu ardhur në ndihmë grave në Tiranë, por jo vetëm. Tashmë synohet që të shtrihet edhe më gjerë.
Fokusi kryesor është fuqizimi i gruas në shoqëri në mënyrë aktive në ndërtimin e një shoqërie të drejtë me mundësi të barabarta për të gjithë.
CMG: Ku qëndron problemi me integrimin e figurës së gruas?
Eda Maçi: Institucionet po mundohen, por ka ende punë për të bërë, sepse ne jemi shoqëri disi e mbyllur dhe na duhet ende punë në këtë aspekt. Por, nuk do të dorëzohemi.
Përmes projekteve dhe trajnimeve përkatëse, u mësojmë grave të vlerësojnë aftësitë e tyre dhe theksojmë rëndësinë që ato kanë në jetë; atë çka duhet të kërkojnë nga vetja dhe si ta zhvillojnë jetën; çfarë identiteti kanë në shoqëri. Nëse një grua njeh pikat e saj të forta, ajo mund të jetë një nënë, një individ dhe një kontribuese shumë e mirë në shoqëri.
CMG: A janë fëmijët e tu po aq të lumtur sa ju në fëmijërinë tuaj?
Eda Maçi: Unë kam pasur një fëmijëri tepër të veçantë. Edhe pse luanim me baltë, në një shkollë afër shtëpisë, kjo na jepte kënaqësi dhe kam kaluar vitet më të bukura në atë periudhë. Çdo hap që kam hedhur mendoj se ka ndikuar për të ngritur bazën për të qenë kjo që jam sot. Fëmijëria është rruga për t’u bërë një njeri i mirë. Unë kam dy vajza dhe ato kanë një fëmijëri të bukur. Ndjesia e të qenit fëmijë është e njëjta gjë, çiltërsi dhe pastërti në çdo kohë.
CMG: Studimet tuaja a përputhen me profesionin që ushtroni aktualisht?
Eda Maçi: Unë kam mbaruar gjimnazin “Ismail Qemali”, në kryeqytetin shqiptar dhe kam vijuar studimet “Bachelor” për Informatikë Ekonomike në Universitetin e Tiranës dhe master profesional për Sisteme Informacioni në Ekonomi, në Universitetin e Tiranës. Po ashtu kam dhe një diplomë “MSC” Administrim Biznesi, profili Biznes Ndërkombëtar, në Institutin Kanadez të Teknologjisë. Aktualisht jam koordinarore projektesh pranë qendrës “Nur”. Gjithmonë kam dashur që të jem në funksion të shoqërisë dhe jam aktivizuar me shoqërinë civile. Profesionin për të cilin studiova nuk arrita që ta ushtroj prej dëshirës. Mund të them se kam reflektimet për të pasur një logjikë të ftohtë. Në fund të fundit, këtë më ka mësuar arsimimi im, që të kem logjikë të freskët për çdo gjë.
CMG: Pse lindi projekti “Tradita në vija të vazhdueshme”?
Eda Maçi: Fëmijët i fiksojnë shumë gjërat duke ngjyrosur dhe ne menduam që t’i japim shansin që ta njohin vendin nëpërmjet kësaj forme. Ka shumë objekte në Tiranë të cilat nuk i njohin të rinjtë dhe në këtë formë intregohen, duke njohur vendin dhe vlerat e tij.
Ndryshimi me këtë projekt është se vjen në formën e një konkursi, me të rinjtë që sjellin skicimin e monumentit dhe të vegjlit që më pas i ngjyrosin. Kjo ndërthurje sjell për ata një mundësi të mirë që të bashkëpunojnë dhe të njohin kulturën.
Në datën 10 maj u mbyll faza e parë dhe eksperët po shohin punimet më të mira. Deri tani kemi kuptuar që të rinjtë kanë një imagjinatë të bukur. Ky konkurs ka qenë sfidues për ta dhe natyrshëm i ka ndihmuar që të marrin më shumë informacione për monumentet.
CMG: Sa sfiduese dhe me përgjegjësi është të punosh me fëmijët dhe sa lumturi sjell në të njëjtën kohë?
Eda Maçi: Ne marrim më shumë kënaqësi prej tyre. Nuk ka të krahasuar kënaqësia e të punuarit me fëmijët. Kanë një energji që na ndihmon edhe ne të jemi më të lumtur.
Gjatë festës së fundvitit, u futa në një dhomë dhe u thashë fëmijëve që të pikturonin të gjitha muret. Ata u habitën, në fakt, por kjo i lumturoi pa masë. Sot, ajo dhomë është më relaksuesja.
Fakti që kam zgjedhur lojërat për të punuar me fëmijët na afron më shumë me njëri-tjetrin, edhe pse ata s’e kuptojnë që po punojnë ndërsa luajnë.
CMG: A mund të bëhen pjesë fëmijë të ndryshëm në qendrën “Nur”?
Eda Maçi: Qendra “Nur” është e hapur për këdo që ka interes. Dyert tona janë të hapura për regjistrimin e fëmijëve për çdo event që kemi.
CMG: A mund të rekomandoni një libër për të rinjtë?
Eda Maçi: Unë përfshihem ndaj çdo libri që lexoj. Së fundi kam lexuar “Factfulness”, nga Hans Rosling, një libër që na mëson të jemi më optimist për gjërat. Ndoshta nuk jemi në ditën tonë më të mirë, por gjithçka kalon dhe kjo falë energjisë.
CMG: Çfarë do të thotë për ju lumturi?
Eda Maçi: Për mua është vetëm një fjalë, familje!
CMG: Cilët janë personat që ju kanë mbështetur në udhën tuaj?
Eda Maçi: Në vogëli, mendoja se vetëm im atë më kuptonte. Në adoleshencë, mendoja që ime ëmë ishte ajo që më kuptonte më tepër. Kur u rrita, kuptova vendin që zinte bashkëshorti në jetë. Në çdo etapë të jetës jam rrethuar nga njerëz që më kanë qëndruar shumë pranë.
Përgatiti: Megi Latifi