ESD Albania (Empowerment through Self-Defense Albania) është një nga programet e dedikuar për të rritur aksesin e kursit të “Fuqizimit nëpërmjet vetëmbrojetjes” në Shqipëri dhe rajon. ESD është një sistem për parandalimin e dhunës, i cili bazohet në studime. Programi i mëson individëve se si të ndërpresin dhunën, duke dëgjuar intuitën e tyre, duke shprehur opinionet që kanë, duke vendosur kufij dhe duke përdorur strategji për uljen e nivelit të konfliktit. Metodologjia ESD ofron mjete për një sërë përgjigjesh verbale dhe fizike.

Livia Tice, instruktore e fuqizimit shprehet për CMG se çfarë ofron kjo teknikë dhe sesi i vjen në mbrojtje target grupeve të caktuara.

“Metodologjia ESD ofron teknika të vetëmbrojtes fizike, stragjeti të vetëmbrojtjes, formula dhe strategji për mbrojtjen verbale dhe atë fizike, identifikimin e shenjave të rrezikut, mënyra sesi ne të jemi të vetëdijshëm për të krijuar marrëdhënie me kufij të shëndetshëm dhe raport të mirë me veten”, shprehet instruktorja Tice

Metodologjia është gjithëpërfshirëse, me ndjeshmëri për individë që kanë kaluar trauma, duke aplikuar aktivitete dhe dinamika aktive dhe argëtuese. ESD është e ndërtuar mbi 5 parime, të cilat janë baza e të gjitha aktiviteteve që ajo përmban në një klasë.

Këto parime janë: Mendo, Bërtit, Vrapo, Lufto, Trego.

“Fuqizimi nëpërmjet vetëmbrojtjes është ngritur përmes 5 parimeve kryesore, mendo, bërtit, vrapo, lufto dhe trego. Parimi mendo ka të bëjë me dëgjimin dhe ndjekjen e intuitës si dhe vlerësimin e situatës ku ne ndodhemi për të përcaktuar mënyrën sesi do të reagojmë. Parimi bërtit ka të bëjë me ngritjen e zërit tonë, të flasim kundrejt padrejtësive të themi se çfarë nuk na pëlqen apo çfarë na bezdis, çfarë na bën të ndjehemi të cënuar, që ka të bëjë me të bërtiturën kur dikush na sulmon apo na duhet që të bëjmë vetëmbrojtje fizike. Parimi vrapo ka të bëjë me formulën më të rëndësishme në vetë-mbrojtje, pra nëse ke mundësi të mos jesh në një konflikt atëherë bëje, pra gjithmonë duhet të largohesh dhe të mos rrisësh nivelin e agresionit. Gjithsesi kjo ka të bëjë me secilin prej nesh, ku ai ose ajo në një situatë ndjehet i cënuar. Parimi lufto ka të bëjë me luftën dhe teknikat fizike të vetë-mbrojtjes, përdorimin e pikave tona të forta kundrejt pikave të dobëta të personit tjetër. Parimi trego ka të bëj me të marrurit mbështeje, ka të bëjë me të drejtën tonë për të marrë mbështetjen që na takon. Ka njerëz që na dëgjojnë pa na gjykuar dhe fajësuar, pa na bërë të ndjehemi më keq. Dhe mënyra sesi ne mund të dëgjojmë të tjerët dhe t’i mbështetesim ata në mënyrën më të shëndetshme, saktëson trajnuesja.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë që prej verës së vitit 2021, ESD Albania po punon për integrimin e metodologjisë së ESD-ës në kurrikulën mësimore. Në muajt e fundit të vitit 2021 ka ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësimi mbi çështjet e barazisë gjinore si dhe një tur në 12 qarqet e Shqipërisë. (E Fortë si Grua) me zhvillimin e trajnimeve të cilat ishin fuqizuese dhe unike. Por si reagojnë qytetarët përballë kësaj mënyre trajnimi dhe sa të interesuar janë ata prej kohës kur kjo metodologji u implementua në vendin tone?

“Duke qenë se në botë është një metodologji mjaft e re prej disa dekadash, në Shqipëri është prej tre vitesh dhe është një risi shumë e madhe për vendin tonë, për mentalitetin tonë dhe në fillim ka pasur një surprizim shumë të madh nga të gjithë personat që e provojnë për herë të parë. Entuziazmi është shumë i lartë, reagimet janë shumë pozitive, ka shumë interes dhe një ndjenjë të bërit pjesë në komunitet, pra krijon një lloj afrimiteti mes pjesëmarrësve dhe trajnerëve, pasi ka vënd për reflektim, lojra dhe ndërveprim përveç se të mësuarti fizik dhe teorik të teknikave. Reagimet janë aq pozitive dhe kërkesat janë të shtuara si në numrin e qyteteve dhe tek nejrëzit që duan ta bëjnë përsëri kursin dhe të sjellin njerëz të tjerë dhe t’i prezantojnë me të”, thekson trajnuesja.

Inspektorja Livia Tice na tregon se prej sa kohësh operon kjo teknikë vetëmbrojtjeje në botë dhe si është parë nga studiues të ndryshëm.

‘Metodologjia e vetëmbrojtjes është krijuar para rreth 40 vitesh dhe duke qenë se përfshin strategji dhe teknika për vetëmbrojtjen fizike, verbale dhe psikologiike është ndërtuar nga një sërë profesionistësh të fushave të ndrysme si psikologë, punonjës socialë, studiues të çështjeve gjinore, artistë marcialë, të cilët kanë parë cilat janë aspektet apo pikat më të përshtashme për të realizuar një metodologji, e cila mer në konsideratë dhe kushtet sociale që çojnë në pabarazi ignore”, bën të ditur ajo.

Qëllimi është rritja e përdorimit të metodologjisë së vetëmbrojtjes si mjet kryesor për parandalimin e rasteve të dhunës, për edukimin mbi çështjet e pabarazisë gjinore dhe për fuqizimin e individëve me fokus vajzat dhe gratë.

‘Target grupi më në fokus i fuqizimit janë vajzat dhe gratë, lufta kundrejt dhunës me bazë gjinore, por edhe grupet e margjinalizuara të cilët vuajnë nga diskriminimi, komuniteti rom, egjiptian, lgbt+, të gjithë njerëzit që janë një minoritet në shoqëri. Gjithashtu kjo metodologji është gjithëpërfshirëse dhe nuk është vetëm për vajzat dhe gratë, por edhe për djem e burra.’, thotë Tice

Rastet e dhunës, qoftë psikologjike apo fizike janë të pranishme dhe për të menaxhuar më mirë një situatë dhe për të mos rënë pre e rasteve të dhunës. Individëve i ofrohet ky kurs vetëmbrojtjeje, i cili ka në fokus eleminimin e dhunës në të gjitha format.

‘Dhuna psikologjike dhe dhuna fizike janë të lidhura të dyja kështu që nuk mund të ndahen nga njëra- tjetra se kush është më e rëndësishme. Ka raste kur dhuna psikologjike shkakton më shumë dëme sesa ajo fizike, e rëndësishme është që dhuna të ndalohet në hapat e pare, pa kaluar në faza më të rënda dhe kjo mund të bëhet nëpërmjet strategjive, njohurisë së duhur se kur mund t’i dallojmë shenjat e rrezikut dhe çfarë mund të bëjmë për të mbrojtur veten tonë’ shprehet trajnuesja Tice për CMG.