Në shumë vende të botës përkujtohet më 1 maji, dita e punëtorëve. Dita e Punës, ose Festa e Punëtorëve, kremtohet më 1 maj të çdo viti. Ajo synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe vështrimin ekonomik-social të punëtorëve.
Dita e Punëtorëve është e njohur në shumë vende të botës. Më saktësisht, ajo i referohet kujtimit të protestave të punëtorëve që synonin një të drejtë të madhe, e cila ë konsistonte ne orarin e punës 8 orë. Këto protesta çuan në nxjerrjen e një ligji që u miratua në 1866 në Illinois (SHBA). Ndërkohë, Kongresi i Internacionales së parë kërkoi që ligje të ngjashme të miratohen dhe në Evropë. Origjina e kësaj feste daton nga manifestimi i organizuar në Shtetet e Bashkuara nga Kalorësit e Punës (Knights of Labor), një shoqatë e themeluar në 1869 .
Dy vjet më vonë, më 1884, një manifestim i ngjashëm i Kavalierëve të Punës miratoi një rezolutë që ngjarja të kishte bazë vjetore. Gjithashtu organizatorët sindikalistë, afër lëvizjeve socialiste dhe anarkiste, sugjeruan si datë feste: 1 majin. Ndërkohë, incidente të rënda ndodhën në ditët e para të majit 1886 në Çikago (SHBA) dhe që njihet si kryengritja e Haymarket. Këto ngjarje arritën kulmin e tyre më 4 maj, kur policia qëlloi mbi demonstruesit duke shkaktuar shumë viktima. 1 maji është miratuar në Kanada në vitin 1894 edhe pse koncepti i festës së punëtorëve i referohej marshimeve të mëparshme të punëtorëve në Toronto dhe Otava në vitin 1872.
Në Evropë 1 maji, festa e punëtorëve është bërë zyrtare nga ana e delegatëve socialistë të kongresit të Internacionales së dytë në Paris në vitin 1889 dhe është ratifikuar në Itali dy vjet më vonë.
Besard Jacaj Gazetar në Klan News (burimi facebook)
CMG: Si do ta përkufizonit punën?
Besard Jacaj Gazetar në Klan News: “Një shprehje e vjetër thotë, edhe toka më pjellore po të mos punohet prodhon ferrat më të egra” . Mora këtë shprehje për të ilustruar se sa e rëndësishme është puna, apo një profesion a zanat aq më tepër në këtë kohë të vështirë me sfida të mëdha me të cilat po përballemi. Kam pasur fatin e mirë që të punoj në moshën 19-vjeçare menjëherë në profesionin që gjithnjë kam ënderruar. Gazetaria dhe media, ky medium për mua ka qënë synimi për të arritur.
Mendoj se i kam adhurar për t’i bërë ato që në momentinin që kuptova “Se çfarë dua të bëhem”. Sigurisht që puna ka lodhje e ndoshta si çdo punë tjetër nuk ka atë lodhjen fizike si në një profesion tjetër, por ka lodhjen dhe ngarkesën mendore. Profesioni në vetvete është që ti të kesh diçka që të merresh e të garantosh të ardhurat dhe figurën tënde.
Ndonjëherë ajo që ti bën është e rëndësihme jo vetëm për paratë, por dhe për faktin se puna të formon si njeri.
Gjithë këto vite në profesion arrij të dalloj se çfarë ka ndryshuar tek unë jo vetëm nga ana profesionale, por edhe personale që pas fillimit të punës dhe para fillimit të saj. Ti bëhesh më i përgjegjshëm, ke më shumë përgjegjësi e më shumë sfida, të cilat duhet t’i përballosh dhe të mos cënosh kënd.
Kur punon je një njeri që pas shumë vitesh sakrificë kupton se çfarë prindërit kanë bërë për ty, arrin të perceptosh mundin që kanë kaluar për të të sjellë deri ketu ku je sot.
Puna është mjaft e rëndësishme ndaj në kuadër të 1 Majit duhet ta kthejmë vëmendjen në këtë çështje më tepër.
CMG: Si e nis ditën një “taksist” në shërbim të qytetarëve?
Arizi taksist: Në këtë profesion unë kam shumë vite dhe e nis ditën me mendjen që duhe të ndryshojmë mentalitetin dhe ndërgjegjësimin për punën “Jo punon 1 dhe 100 të rrinë pa punë”.
Unë kam nisur punë që para 32 viteve në këtë profesion dhe mund të them me bindje që “Puna është jeta”.
Bajame Cenollari Mjeke në QSUT (burimi facebook)
CMG:Kur keni filluar punë si mjeke?
Bajame Cenollari Mjeke në QSUT: Kam filluar punë në vitin 1972 gjithësej 43 vite punë, kam punuar në shërbim të popullit, të fëmijëve, grave shtatzëna e të gjithë pacientëve nga e gjithë Shqipëria.
Jam shumë e lumtur që kam zgjedhur këtë profeison sepse shërbimi ndaj njeriut është një virtyt i veçantë, sidomos për mjekësinë që duhet të jetë humane. Për festën e punëtorëve njerezit duhet të luftojnë për të drejtat e tyrë në punë.
Suela Kocibellinj drejtuese e Vision OJF (burimi facebook)
CMG: A është puna sifidë?
Suela Kocibellinj, drejtuese e “Vision OJF”: Puna me të rinjtë dhe të rejat ka qënë sfidë, por edhe frymëzim për mua. Ata janë vlera që i duhet vendit tonë. Data 1 maj është dita kur duhet të reflektojmë mbi marëdhënien që kemi me punën. Të drejtat dhe detyrimet që kanë. Unë besoj fort që formula e vetme e suksesit është puna.
CMG: Puna për të rinjtë a ka sfida?
Julian Hurdha, aktor teatri: Në radhë të parë unë dua të uroj që të gjithë “Qofshi me punë!”. Duhet që çdo i ri të ketë atë lloj pune që kur të zgjohet në mëngjes mos të thotë: “Kush ikën në punë tani!”. Të rinjtë duhet të ndjekin zemrën dhe trurin njëkohësisht për të mos dështuar .
CMG: A ka kuptim jeta për ju pa profesion?
Anisa Mete, estetiste: Unë mendoj që pa profesion jeta nuk do ishte e bukur, siç është për mua dhe pa të do ishte evakët. Unë zgjohem prej 7 vitesh çdo mëngjes dhe kjo më jep sadisfaksionin që më duhet.
Anila Busho drejtuese e EIPASS Albania (burimi facebook)
CMG:Sa vite ju është dashur të kuptoni çfarë është puna?
Anila Busho drejtuese e EIPASS Albania: Profesioni është jeta. Kalojnë vite të tëra për t’u përgatitur për profesionin që duam të kemi dhe është ai pastaj që na tregon se sa mirë ja kemi dalë. Më pas e vendosim ne nëse jeta do ketë lule, tinguj apo çfarë tjetër. Ne jemi profesioni që zgjedhim të jemi.
Arlindi kuzhinier në Mado Fusion Tirana (Burimi facebook)
CMG: Profesioni i kuzhinierit, sa i vështirë dhe i bukur është?
Arlindi, kuzhinier në “Mado Fusion” Tirana: Ky është profesion i bukur dhe frytdhënës. Madje është shumë i rëndësishëm në sektorin e tregtisë shqiptare. Një kuzhinë japoneze gërshetuar me atë braziliane e bën shumë të parapëlqyer këtë lloj ushqimi. Unë jam tepër i përkushtuar për ta realizuar këtë lloj gatimi të vecantë si sushi, por mbetet një profesion që e kam zgjedhur me shumë dëshirë.
Dea Fekaj Gazetare Tv Klan (burimi facebook)
CMG: Sa e vështirë është të punosh në media?
Dea Fekaj, gazetare Tv Klan: Puna është sukses për të gjithë ata që e ushtrojnë dhe ushqim pikant për ata që e duan të marrin prej saj. Është një punë që më ka bërë të njoh aftësitë e mia. Punë do të thotë të mos lodhesh duke bërë gjëra të reja.
Xhesi Çobanaj Krijuese e Esto Fashion (burimi facebook)
CMG: Sa e vështirë është të hapësh biznes kur je i ri?
Xhesi Çobanaj, krijuese e Esto Fashion: 1 maji është festë, por edhe protestë. Në Shqipëri është shumë e vështirë të ndërtosh biznes, por jo e pamundur. Me punë ja dal. Ndaj mesazhi im shkon për të gjithë të rinjtë që duan të hapin një biznes, ata duhet ta provojnë.
Megi Latifi