Parukierët u ofrojnë pacientëve me kancer një shans për t'u dukur më mirë, thonë Yuan Quan (Juan Çuan) dhe Yin Pingping (Jin Pin pin). Mo Hongying (Mo Hon jin) (një pseudonim) hoqi parukën e saj ngjyrë gështenjë, deri te supet, dhe u zhyt në një divan. Gruaja në moshë të mesme shkoi te parukeria “Shuting”(Shutin) për të kërkuar ndihmë për parukën e saj. Dukej e rraskapitur. Ajo nuk u ngrit, derisa një grua tjetër, e ulur para një pasqyre, me flokë kaçurrelë të kuqe të errët, filloi t'i priste flokët.
Mo është tullace. “I kisha flokët njësoj si ajo”, mërmëriti Mo, ndërsa nxori celularin, duke kërkuar për një foto të saj të bërë para se të fillonte trajtimin për kancerin. “Gjatësia, ngjyra e flokut, kaçurrelat... ishin njësoj”.
Wang Feng (djathtas), pronar i sallonit të flokëve Shuting, bën një parukë për një pacient me kancer, në mars 2021.Foto nga Xinhua
“Për shumë gra, është një goditje tepër e madhe të bëhen tullace. Disa kliente qajnë kur u rruhet koka, disa i mbajnë sytë mbyllur gjatë gjithë kohës, nga frika të shohin veten në pasqyrë, ndërsa të tjera e shohin veten me një shikim bosh, dhe mezi marrin guximin të dalin nga parukeria”, -thotë Wang Feng (Uan Fen), 58 vjeç, pronar i parukerisë, që ndodhet në një rrugicë pranë Spitalit të Kancerit të Pekinit.
Përveç banorëve të zonës, shumë nga klientët, si Mo, janë pacientë me kancer që kanë humbur flokët për shkak të kimioterapisë dhe duan të rruajnë kokën përpara se të gjithë flokët të bien vetë. Mo e bleu parukën e saj në fillim të këtij viti, në prag të Vitit të Ri Kinez, pasi nuk donte që e ëma e saj, 80 vjeçe, të mësonte që ajo ishte me kancer.
“Pacientët me kancer zakonisht duan një parukë që të duket si flokët e tyre natyralë. Nuk duan të dallohen”, -thotë ai. Kur Wang Xue (Uan Shue), një parukiere e “Shuting”, rruajti kokën e një pacienteje me kancer për herë të parë, duart e saj u drodhën dhe nuk guxoi të fliste, nga frika se mos thoshte ndonjë gjë të papërshtatshme që do ta lëndonte klienten.
“Ndryshe nga klientët e zakonshëm, pacientët me kancer duken fizikisht dhe mendërisht të prekshëm”, -tha Wang (Uan). Shefi i saj, Wang Feng, dikur bëri një parukë për një vajzë 10-vjeçare të diagnostikuar me kancer në vezore. Në atë kohë, ajo ishte shumë e dobët për ta vënë vetë parukën, për shkak të përzierjeve dhe të vjellave, të shkaktuara nga kimioterapia. Kur Wang i vuri një parukë të bërë me porosi, një parukier tjetër e ndihmoi ta mbante shpinën drejt, ndërsa nëna e saj i mbante mjekrën.
Wang i vendos një paruke një klienti. Foto nga Xinhua
Wang Feng (Uan Fen) filloi t'u shërbejë klientëve me paruke të bëra me porosi në dyqanin e tij në vitin 2010, pasi një kliente i tha se njerëzit donin t’ia mbathnin kur panë kokën e saj tullace. Ai u trishtua shumë nga ajo që dëgjoi. Si një profesionist, detyra e tij është të ndihmojë njerëzit të duken sa më mirë, por për pacientët me kancer, ai mendoi se mund të bënte më shumë për të ndihmuar egon e tyre të prekur. Ai mësoi të dizajnonte paruke dhe kaloi vite duke gjetur një burim të besueshëm për të blerë flokët e njerëzve dhe fabrika për të bashkëpunuar.
Biznesi i Wang Feng është zgjeruar me 10 sallone rreth spitaleve të mëdha në Pekin dhe qytete të tjera si Hangzhou (Hanxhou) dhe Changsha (Çansha), duke shitur qindra paruke, vitet e fundit. Në sallonin e tij, Wang Feng ka parë se si flokët që bien të klientëve të tij mund të prekin zemrat e familjarëve të tyre. Ai kujton një grua, që u paraqit e shoqëruar nga bashkëshorti dhe vajza e saj. Kur nisi t’i rruante kokën, vuri re se si burri i saj kafshonte buzën gjatë gjithë kohës, ndërsa e bija shpërtheu në lot.
Vitin e kaluar, një vajzë 13-vjeçare i kërkoi Wang Feng-ut të përdorte flokët e saj të zinj e të derdhur, për të bërë një parukë për nënën e saj të sëmurë. Ndërsa nëna i lutej që mos t’ia priste shumë, vajza këmbënguli që të ishin sa më të shkurtër. Ajo tha se të ëmës i kishin rënë flokët, ndërsa të sajat mund të rriteshin prapë.
Parukat nuk janë të lira në sallonin e Wang Feng (Uan Fen). Një parukë e mirë e bërë me porosi mund të kushtojë mijëra juanë. Shumë nga klientët e tij janë burra që vijnë vetëm, për të blerë parukë për të dashurit e tyre. Ata thonë pa asnjë dyshim: “Nuk më intereson çmimi, për sa kohë që gruaja ime ndihet rehat dhe duket mirë”.
Çdo parukë ka një histori pas saj. Wang shpesh është prekur nga këto histori dhe ka kërkuar të bëjë më shumë për klientët e tij. Ai ofron shërbime falas për kujdesin e parukeve, zbritje dhe madje edhe punë. Një herë ai punësoi një paciente me kancer në të 20-at e saj, e cila nuk kishte para për të vazhduar mirëmbajtjen. Ajo kishte për detyrë të pastronte parukat dhe të këshillonte klientët, pasi ajo mund t’i kuptonte më mirë ata dhe të ofronte mbështetje.
Wang rregullon një copë flokësh.Foto nga Xinhua
Wang Feng pësoi një goditje të madhe për shkak të pandemisë Covid-19. Disa sugjeruan shitjet në internet, por ai nuk është i shqetësuar nga konkurrenca “online”. “Parukat dhe kapelet janë të ndryshme. Nuk ka rëndësi sa bukur duket një parukë te një modele, duhet ta provosh vetë. Është e nevojshme që parukieri ta shkurtojë parukën në varësi të formës së kokës dhe të fytyrës”, -thotë Wang Feng.
Ai beson se shërbimi profesional i stilimit të parukave mund t'u ofrojnë pacientëve me kancer një shpërqendrim të përkohshëm nga shqetësimet e tyre. “Për pacientët me kancer, këto paruka nuk mund të ofrojnë një kurë. Megjithatë, kur vënë një të tillë, ndihen më të fuqishëm, të lumtur dhe dinjitozë. Kjo është fuqia e parukave”, -thekson Wang.
Sp. Të nderuar dëgjues, nga “China Daily” ndoqët artikullin me temë: “Mbështetja e duhur në momente të vështira”