Bullizmi në Shqipëri ka prekur mbi 20% të nxënësve. Këshilli i Europës dhe Bashkimi Europian, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, publikuan pak kohë më parë studimin e parë kombëtar mbi bullizmin dhe ekstremizmin në shkollat e Shqipërisë. Studiuesit shqiptarë dhe europianë intervistuan disa mijëra nxënës, mësues dhe prindër në 141 shkolla publike e private në të gjithë qarqet e vendit për të matur shpeshtësinë e kësaj dukurie dhe tiparet e saj në realitetin shqiptar. Studimi zbuloi që 1 në 5 nxënës nga klasa 4 deri në klasën e 12 pohuan se janë prekur nga dukuria e bullizmit në shkollë. Afro gjysma e të prekurve vuajnë nga bullizmi psikologjik, rreth 35 % nga ai verbal dhe dhe pjesa tjetër nga bullizmi fizik.

Bullizmi ne shkolla (Portali shkollor)

Bullizmi ne shkolla (Portali shkollor)

Pjesa më e madhe e nxënësve të prekur nga bullizmi janë vajzat.

Gjithashtu sipas studimit 1 në 5 nxënës dhe 1 në 8 mësues përdorin terma ekstremiste dhe gjuhën e urrejtjes. Bullizmi është më shumë i pranishëm në klasat e 5 dhe të 11 dhe vendi ku ndodhin më shumë sjellje të tilla është klasa, kur mungon mësuesja gati në 40 % të rasteve, oborri i shkollës 40%, madje rreth 20 % edhe në prani të mësuesve. Mësuesit e anketuar mendojnë se mendojnë që nxënësit bien pre e bullizmit mbi 70 për qind prej pamjes së jashtme, mbipesha, të dytët nxënësit me vështirësi në të folur dhe të tretët janë ata që janë më të dobët se sa të tjerët. Gjysma e mësuesve të marrë në studim pohuan se nuk ekziston një politikë specifike kundër bullizmit në shkolla dhe pjesa dërrmuese e tyre mbi 70 % e tyre nuk kanë marrë ndonjë trajnim se si të sillen me këtë dukuri.

Sipas studimit kombëtar mbi bullizmin, djemtë janë më të prirur për të qenë agresorë. Mbi fenomenin e bullizmit dhe ekstremizmit në sistemin arsimor shqiptar reflektojnë të dhënat e pyetësorëve të kryer në 144 shkollave nga 12 qarqet e Shqipërisë.

Pikat kryesore të përgjigjeve kanë treguar se: Afërsisht 19.4 % e nxënësve pohuan se janë të përfshirë në fenomenin e bullizmit 2-3 herë në muaj ose më shumë, ku 9.7 % e tyre pohojnë se janë viktima, 5.2 % janë agresorë dhe 4.3% janë edhe agresorë edhe viktima njëkohësisht.

Bullizmi në shkollë (Portali shkollor)

Bullizmi në shkollë (Portali shkollor)

Një përqindje e lartë nxënësish, rreth 29 %, pohojnë se kjo gjë i ka ndodhur një ose dy herë në muajt e fundit. Ndërsa në anën tjetër 60 % e mësuesve pohuan se në shkollat e tyre ngjarje të tilla janë të pranishme. Për prindërit, fenomeni është gjithashtu i njohur, duke qenë se 23 % e tyre pranuan se fëmija i tyre kishte qenë viktimë e bullizmit.

Djemtë janë më shumë të përfshirë në dukurinë e bullizmit se vajzat. Por, djemtë pranojnë që janë më shumë agresorë në masën (68%), sesa viktima (52%), ndërsa vajzat pranojnë që janë më shumë viktima (48%) sesa agresore (32%).

Duke iu referuar mësuesve dhe prindërve, mënyra më e mirë për të parandaluar fenomenin e bullizmit është një politikë kundërbulliste në shkolla që të bëhet e njohur për të gjithë nxënësit, stafin shkollor dhe prindërit. Nevojiten gjithashtu fushata dhe trajnime të vazhdueshme për rritjen e vetëdijes, për t’u mundësuar atyre që preken të njohin praktikën dhe të raportojnë, si dhe të mundësojnë mësuesit që të merren me fenomenin dhe ta adresojnë atë në mënyrë efektive.

Bullizmi te femijet dhe adoleshentet (Portali shkollor)

Bullizmi te femijet dhe adoleshentet (Portali shkollor)

Bullizmi tek individët me autizëm

Bullizmi vërehet tek individët me çrregullime të spektrit autik që kanë aftësinë dhe inteligjencën që të ndjekin shkollat tipike. Gjithashtu sipas ligjit shqiptar nr. 69/2012 për arsimin parauniversitar specifikohet që çdo institucion arsimor publik duhet të intergrojë fëmijët me aftësi ndryshe ku bëjnë pjesë dhe fëmijët me Çrregullime të Spektrit Autik. Kur bëhet fjalë për individët me autizëm gjendja rëndohet. Bullizmi mund të jetë i formave të ndryshme, por i cilësdo formë qoftë, ngacmimi përfshin disbalancën e fuqisë midis aktorëve të këtij fenomeni. Individët me autizëm kanë defiçite gjuhësore si dhe shpesh nuk kanë njohuri sociale dhe aftësi të mbizotërojnë situatat mbi personat e tjerë, gjë që i bën ata shpesh viktima të fenomenit të bullizmit, veçanërisht në adoleshencën e hershme. Impakti i bullizmit mund të jetë i thellë ose i dobët. Ky fenomen vjen gjithnjë e në rritje dhe si i tillë kërkon ndërhyrjen e të rriturve.

Por cila është Arsyeja që të çon në bullizëm?

Agresori i cili ka aftësi më të mira sociale dhe të gjuhës e komunikimit ka më shumë përparësi për të mbizotëruar situatën dhe për të ushtruar dhunë psikologjike e fizike mbi një individ, i cili ka defiçite në marrrëdhëniet me të tjerët e komunikim. Fëmijët me autizëm kanë një rrisk të lartë për të rënë pre e fenometit të bullizmit për shkak të fushave të zhvillimit të afektuara.

Për CMG, mësuesja Gilberta Simoni shprehet se “Bullizmi është një fenomen i përhapur në shkollat tona. Në një klasë ku unë jap mësim, dy vajza të një mësueseje të asaj shkolle, nuk pranohen nga kolektivi i klasës sepse janë fëmijë të një mësuesi. Një një klasë tjetër, një nxënës ofendon me emra të prindërve nxënësit e tjerë, duke e bërë këtë në mënyrë të vazhdueshme, aq sa nxënësit kanë fillur të shqetësohen. Në një tjetër klasë një nxënësi i ishte hapur një adresë fallco në rrjetin social Instagram, ku me anë të asaj adrese ofendohen dhe nxënësit e tjerë. Mënyrat ku bullizohen fëmijët janë të shumta, por target i bullizimit janë zakonisht fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët që vijnë nga familje të varfëra, fëmijët obezë, fëmijët jo të zhvilluar fizikisht si dhe nga ana e inteligjencës, por gjithashtu edhe fëmijët që janë më të mirët e klasës. Është fatkeqësi kur e mendon që fëmijët që janë të pafajshëm, janë këta që ofendojnë të tjerët, lëndohesh. Kjo bëhet me qëllim për të lënduar fëmijët e tjerë”.

Mësuesja Gilberta Simoni na tregoi se këto probleme i trajtojnë nëpër klasa duke biseduar, duke marrë mendimin e psikologut sepse ai është bërë një element kyç tashmë në zgjidhjen e problemeve emocionale të fëmijëve.

Mesuese Gilberta Simoni (Foto Personale)

Mesuese Gilberta Simoni (Foto Personale)

“Gjithashtu edhe familja luan rolin kryesor, të tre së bashku; mësues, psikolog dhe familje duhet t’i përgatisim fëmijët për këto fenomene të cilat ekzistojnë, si në shkolla ashtu edhe në jetë. Në familje ata ngacmohen me vëllain, motrën, por ngel brenda shakasë, ndërsa në shkollë ajo bëhet me tendencë, dhe kjo i lëndon ata së tepërmi”, thotë mësuesja Simoni.

Duke iu referuar mendimit të psikologes, Ardita Demaj mësojmë se:

“Të flasësh për bullizmin është një temë e gjerë, pasi shfaqet në disa forma. Kryesisht është përkufizuar si një dhunë psikologjike dhe fizike. Në këtë fenomen kryesojnë dy aktorë kryesorë; janë ata të cilët bullizojnë, bullistët, të cilët kërkojnë të fitojnë ndjesi pushteti, qëllimi dhe kontrolli mbi të tjerët dhe aktori i dytë janë ata persona që vuajnë pasojat e bullizmit, ku kryesisht pasojat janë; ndjenjë frike, stres të vazhdueshëm dhe kur kjo periudhë është shumë e gjatë, përjetojnë depresion. Bullistët kryesisht janë fëmijë ose adoleshent të cilët kanë konflikte në shtëpi, nuk kanë mbështetjen e prindërve dhe këtë lloj stresi që ata përjetojnë e shprehin në këtë mënyrë. E rëndësishme është që kjo situatë të ndiqet nga prindërit, por edhe nga shkolla. Vetëm një menaxhim i mirë i kësaj situate ndërmjet prindërve, shkollës, por edhe shoqërisë në tërësi mund të ishte zgjidhja e këtij fenomeni i cili ka marrë forma të mëdha”, theksoi psikologia.

Ndërsa duke folur për bullizmin te individët e aftësi ndryshe psikologia Ardita Demaj, thotë “ Bullizmi tek individët me aftësi ndryshe është një temë edhe më delikate. Kujtoj këtu se shumë individë me aftësi ndryshe kanë koeficient të lartë inteligjence dhe frekuentojnë rregullisht shkollat publike. Mund të them se në disa fusha si, matematika kanë rezultate të larta. Këta të fundit kanë kryesisht vështirësi apo defiçenca në aspektin gjuhësor dhe atë social, kjo gjë i bën ata të jenë të bullizuar nga të tjerët. Jam në dijeni se në shkollat e vendit po punohet fort që këta individë të pranohen nga të gjithë, jo vetëm nga bashkëmoshatarët, por edhe nga prindërit e tyre”.

Psikologe Ardita Demaj (Foto personale)

Psikologe Ardita Demaj (Foto personale)

Sava Lena