Lodrat e fëmijëve janë një ndër elementët thelbësorë që ndikojnë në rritjen, personalitetin dhe zhvillimin e tyre. Loja vlerësohet nga ekspertët si pjesë thelbësore e rritjes së fëmijëve, pasi lodrat ndikojnë në zhvillimin psikomotor të tyre. Ato duhet të jenë në përputhje me moshën dhe zhvillimin e tyre mendor. Të rriturit kanë tendenca të blejnë lodra të ndryshme, shpeshherë të pa certifikuara, pa ambalazhimin e duhur, pa sinjalet e rrezikut dhe që nuk përshtaten me moshën fizike të fëmijës. Po a janë të gjitha lodrat në përputhje me standardet e kërkuara?
(Foto Ilustruese Lodra, burimi Forbes)
Xhensika Bezati nga Qëndra Konsumatori Shqiptar shprehet për Radio Ejani se lodrat janë shumë të rëndësishme dhe duhet të përshtaten me moshën e fëmijëve.
"Lodrat janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e një fëmijë, pasi edhe janë cilësuar nga ekspertët si një pjesë shumë e rëndësishme që shërbejnë për zhvillimin psikomotor të një fëmije, ç'ka do të nënkuptojë që ato janë të lidhura drejtpërdrejtë me zhvillimin e imagjinatës dhe të trurit të një fëmije. Si të tilla ato ndikojnë në një përqindje shumë të madhe dhe prandaj është shumë e rëndësishme që lodrat të përshtaten qoftë me moshën fillimisht të një fëmije në momentin që ato iu serviren dhe më pas edhe me kërkesat e sigurisë referuar edhe materialeve përbërëse të tyre”, shprehet ajo.
Studiues të ndryshëm theksojnë se fëmijët mësojnë duke luajtur dhe lodrat janë instrumentat, që i lejojnë ata të zbulojnë dhe eksplorojnë botën në të cilën jetojnë. Në këtë mënyrë, ata bashkëveprojnë me mjedisin dhe sigurojnë kënaqësi e lumturi, që i ndihmon në ndërtimin e vetëvlerësimit të tyre. Por jo vetëm kaq, përfitimet prej tyre janë të shumta, ato zhvillojnë aftësitë motorike, sociale, emocionale, njohëse etj. Gjithashtu, lodrat rritin kreativitetin e fëmijëve dhe i ndihmojnë të shprehin emocionet e tyre. Nëpërmjet lodrave që zgjedhin për të luajtur, fëmijët mund të imagjinojnë dhe krijojnë situata të ndryshme duke luajtur në shtëpi, etj. Gjithashtu, ata mund të zgjedhin role dhe personazhe të ndryshme për të provuar dhe kjo i ndihmon në marrjen e përgjegjësive dhe shprehjen e emocioneve.
(Foto Illustruese, fëmijë duke luajtur, burimi healthychildren.org)
“Përfitimi kryesor që një lodër sjell për një fëmijë lidhet me zhvillimin e tyre mendor. Lodrat janë shumë të rëndësihme pasi ndikojnë në zhvillimin mendor të një fëmije, duke i bërë atij qasjen e parë kundrejt imagjinatave të para që ai mund të krijojë, kundrejt ideve të reja. Sigurisht në përputhje me zhvillimn e tyre në lidhje me moshën. Por duke dashur ta bëjmë të lumtur, thënë ndryshe në gjuhën popullore ta gënjejmë atë, duke i dhënë një lodër harrojmë çfarë i japim në dorë. Pasi ky produkt mund të rezultojë të jetë i rrezikshëm. Pasojat negative që mund të sjellë variojnë që nga përbërja që mund të ketë ai produkt, i kimikateve duke u ndalur nga një rrezik i thjeshtë si alergji apo pasoja të tjera”, shpjegon ajo.
Në lodra mund të gjenden edhe lëndë të dëmshme që sjellin pasoja negative tek fëmijët. Këto rreziqe sipas psikologes Xhensika mund të jenë fizike, por edhe psikologjike.
“Ato ndikojnë negativisht duke sjellë pasoja fizike dhe psikologjike. Në momentin që ne kemi pohuar që lodrat duhet të jenë në përputhje me moshën e një fëmije, duhet të kemi parasysh se kur ndodh e kundërta jemi përpara një rreziku psikologjik. Nëse një fëmije i cili nuk e ka kuptuar se çfarë është një armë, apo nuk ka marrë një informacion të duhur, në momentin që ti i jep një lodër të tillë ke ndikuar automatikisht në zhvillimin e këtij fëmije. Nga ana tjetër lodrat qasin tek fëmijët dhe rrezik të madh, duke shkuar dhe në raste fatale, pasi duhet të plotësojnë një standard. Nga një raport i kryer nga Qendra Konsumatori Shqiptar është vënë re që në vendin tonë nuk i përshtaten nivelit të kimikateve. Pra niveli i kimikateve e kalon përputhshmërinë që caktojnë direktiva që ne kemi pjesë të legjislacionit shqiptar”, thotë ajo.
(Fushata e konusmatorit Shqiptar, burimi facebook)
Legjislacioni i Bashkimit Europian kërkon që lodrat të plotësojnë kërkesat e sigurisë, kryesisht referuar nivelit të kimikateve në përbërjen e tyre. Sfida e vendosjes së lodrave të sigurta në tregun europian vazhdon të jetë një nga objektivat e Komisionit Europian, për vetë sasinë e madhe, shumëllojshmërinë dhe rrezikun e këtyre produkteve. Në lëndët e para që përdoren për të prodhuar lodra mbizotëron plastika, duke krijuar risqe të shtuara për prezencë elementësh të ndaluar tek konsumatori, i cili në rastin e lodrave përfshin kategorinë e fëmijëve nga 0 - 14 vjeç.
“Një lodër në përbërjen e vet duhet të mos ketë kimikate që bien ndesh me nivele të caktuara të sigurisë që janë shpallur në pjesën e legjislacionit qoftë të BE-së, por edhe në legjislacionin shqiptar. Që një lodër të jetë e shëndetshme për fëmijën ajo nuk duhet të ketë materiale me përbërje të madhe të hekurit apo materiale që ndikojnë drejtpërdrejtë në shëndetin e një fëmije. Pra materiali duhet të jetë i tillë, që nuk paraqet rrezik për fëmijën dhe të mos ketë elementë që sjellin rrezik tek konsumatori fundor, i cili në këtë rast është një fëmijë”, thotë ekspertja.
Vitin e kaluar u bllokuan me shume se 10 mijë lodra nga Inspektoriati i Mbikqyrjes së Tregut pasi rezultuan të kishin përmbajtje kimike më të lartë se norma. Prodhuesit, importuesit dhe tregtarët, të cilët vendosin lodra në tregun europian duhet të provojnë se ato janë të sigurta. Higjena ka një rol shumë të rëndësishëm, prandaj sipas ekspertes Bezati është i rëndësishëm pastrimi i tyre herë pas here në mënyrë që të shmangim çdo bakter, i cili mund të përbëj rrezik për jetën e një fëmije.
“Një element shumë i rëndësishëm është higjena dhe kujdesi që ne duhet të tregojmë kundrejt tyre, kjo lidhet edhe me pjesën e përbërjes që një lodër duhet të ketë. Pasi ato lodra që kanë në përbërje të tyre plastikën janë në një nivel më të lartë sa i përket higjenës dhe duhet të jenë të pastruara. Kjo vlen edhe për lodrat si arusha dhe është shumë e rëndësishme që prindërit të tregojnë kujdes në pastrimin e tyre dhe me shkëmbimin që fëmijët bëjnë në kopshte mund të jenë më të rrezikuar nga papastërtitë, prandaj duhet kryer higjenizimi”, thotë Bezati.
(Xhensika Bezati, Qëndra Konsumatori, burimi facebook)
Një fëmijë mund të mësojë dhe eksplorojë shumë gjëra vetëm duke luajtur, por janë disa lloj lodrash që më shumë i dëmtojnë fëmijët. Përveç rasteve të tilla një lodër sjell mjaft përfitime, prandaj fëmijët duhet të luajnë me sa më shumë lodra. Kjo është edhe një mënyrë e mirë për të shmangur telefonin, tabletin apo pajisje të tjera elektronike.
“Duke qenë se konsumatorët janë më pak të informuar, prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe duhet t’i kushtojnë rëndësi markimit të tyre. Pra duhet të kemi parasysh që lodrat të cilat janë nga 0-6 muaj mund të kenë elementë që sjellin rrezik për jetën e një fëmije”, thotë ajo
Ndërsa së fundmi Komisioni Europian, duke vlerësuar në vazhdimësi të dhënat e ardhura nga autoritetet e mbikqyrjes së tregut të vendeve anëtare, ka ndërmarrë një sërë aksionesh të përbashkëta për heqjen nga tregu të mallrave të rrezikshëm në kategorinë lodra.