Donika Mustafaj skenariste dhe realizuese e rreth 20 dokumentarëve, prodhim i Radiotelevizionit shqiptar është një autore e njohur e këtij zhanri. Ndër dokumentarët e saj “Jetë pezull”, “Magjia klarinetë”, “Ustai i fundit”, “Fëmijëria peng”, “Marramendja”, “Kur kënga nuk ishte Pazar” apo “Kush është “dibranët”. Donika Mustafaj prek tema sociale, kulturore, promovon traditën, emigracionin, artistët shqiptarë, pa lënë mënjanë identitetin kombëtar. Në një intervistë telefonike për Grupin Mediatik të Kinës dokumentaristja Donika Mustafaj flet për krijimtarinë e saj.

Dokumentaristja Donika Mustafaj

Dokumentaristja Donika Mustafaj

CMG: Mund t’ju quaj “Donika e dokumentarëve”? Si nisi kjo lidhje me filmin dokumentar?

Donika Mustafaj: Unë mendoj se po sepse përderisa karrierën time profesionale ia kam kushtuar dokumentarit dhe kam tashmë 18 dokumentarë të zhanreve të ndryshëm, them se mund të quhem “Donika e dokumentarëve”.

Sa i përket nisjes, ka lindur krejt rastësisht sepse unë mendoj që secili nga ne ka një talent të fshehur brenda vetes, por duhen mundësitë dhe kushtet që të shpërthejë. Unë u ktheva nga Parisi, ku shoqërova bashkëshortin tim që ishte atje ambasador dhe po kërkoja punë. Rastësisht një mik i imi që punonte në Televizionin Shqiptar më tha se pse nuk vjen të punosh në këtë institucion. Të them të drejtën nuk më kishte shkuar ndonjëherë mendja se një ditë mund të punoja në televizion, por thashë “pse jo?”.

Unë vija nga një background si mësuese dhe pedadoge në Fakultetin e Mjekësisë, ku kisha dhënë lëndën e sociologjisë. Fillova punë në Radio, e cila më ndihmoi shumë që të hidhja hapat drejt filmit.

Donika në Bibliotekën Kombetare

Donika në Bibliotekën Kombetare

Na u kërkua të prezantonim disa tema, midis të cilave u zgjodh “Fëmijëria peng”, që është dhe dokumentari i parë që trajton temën e gjakmarrjes. Të them të drejtën më pëlqeu shumë sepse familja ime kishte një histori gjakmarrjeje, për të kuptuar më shumë për veten, familjen, por dhe më gjerë mu desh ta bëja këtë film. Si filmi i parë, ndonëse nuk kisha mbaruar shkollën për regjizurë, por kisha shkollën e jetës, sepse kisha dhënë mësim nëpër shkolla të ndryshme. Ky është filmi im i parë dokumentar që pati jehonë sepse vetë tema është e tillë. Unë trajtova temën e fëmijëve të nguruar, duke u ndalur tek aspekti i faljes. Doja të tërhiqja vëmendjen e shtetit dhe shoqërisë rreth këtij problemi kaq të mprehtë.

CMG: Thatë se keni në autorësinë tuaj 18 dokumentarë. A kanë lindur ato, çdi vit një dokumentar, si lindja e një fëmije ?

Donika Mustafaj: Jo. Kam pasur raste kur kam bërë dhe dy dokumentarë në vit. Kjo varet nga ngacmimet që kisha unë si autore. Për shembull kur fillova të punoj për filmin dokumentar “Magjia klarinetë”, doja të tregoja se vetëm në Shqipëri klarineta thërritet me dy emra, sepse i thonë dhe gërnetë. Unë doja të tregoja si u fut kjo vegël kaq e mrekullueshme në vendin tonë, kush e solli dhe pse thirret me dy emra ndërkohë që instrumenti ndërtimin e ka të njejtë. Kjo është e vetmja vegël muzikore, që përdoret në gëzime, dasma, por dhe në vdekje. Unë doja të tregoja si u bë dhe nga kush u bë e lavdishme klarineta. Gjithashtu nga vendi i origjinës, me kulturë të kultivuar, klarineta arriti të përshtatet në vendin tonë me kulturën tradicionale. Ne kemi kabatë dhe sazet e famshme me klarinetë.

Donika Mustafaj në Orosh me xhirime

Donika Mustafaj në Orosh me xhirime

Duke punuar për klarinetën pashë që një klarinetist i jashtëzakonshëm ishte Laver Bariu. Kështu pasoi dokumentari “Ustai i fundit”, që i kushtohet Laver Bariut, si usta i fundit në llojin e tij.

CMG: Përveç shfaqjes në ekranin e TVSH-së apo promovimit në ekranin e madh, dokumentarët tuaj kanë konkurruar në festivale filmash?

Donika Mustafaj:Ky nuk ka qenë qëllimi im. Unë nuk kam bërë dokumentarë për të parë se sa çmime marr, apo sa duartrokitje do të marr në sallë. Madje dhe në filmin e fundit dokumentar “Kush është dibranët?”, unë nuk bëra asnjë ftesë, por thjesht e njoftova në rrjetet sociale. Për mua rëndësi ka që ai që vjen të shohë filmin, se sa të vijë për t’u gjendur në sallë. Qëllimi im ka qenë që nëpërmjet promovimeve në televizione dhe radio ta çoj filmin tek shikuesit

CMG: Para disa ditësh ishte premiera e dokumentarit tuaj më të ri “Kush është “dibranët”. Me siguri të gjithë ju pyesin për titullin dhe këtë përkushtim që i bëni vendlindjes.

Donika Mustafaj: Unë e kam vënë në thonjëza, sepse ka një mospërputhje morfologjike, që është bërë me shkas nga ana ime. Gjithmonë, sa herë që jam ndodhur mes miqsh apo njerëz që nuk më njihnin dhe më kanë pyetur nga jeni, për të ditur origjinën. Kur u kam thënë që jam nga Dibra kanë reaguar menjëherë “Ah, dibranët!”

Gjatë xhirimit të një dokumentari

Gjatë xhirimit të një dokumentari

Ne dibranët shikohemi në grup, si një entitet homogjen. Nëse hedhim një vështrim në Dibër ajo përbëhet nga personalitete të shumta, nga kultura dhe fe të ndryshme. Gjithashtu ka evoluar kultura e Dibrës. Unë me këtë doja të tërhiqja vëmendjen që tradita dhe kultura trashëgohen nga një brez në tjetrin, por këto duhen interpretuar vazhdimisht.

CMG: Po punoni për dokumentarin e radhës?

Donika Mustafaj: Unë tani kam në dorë një dokumentar tjetër. E kam quajtur “Gjiganti i penelit” dhe bëhet fjalë për piktorin e mirënjohur Fatmir Haxhiu, për mënyrën se si ai e ka parë historinë dhe respekti që ka treguar për të është i paparë. Gjithashtu një tjetër film kushtuar Justin Godard, që është një kërkesë nga Franca dhe kemi të bëjmë me një bashkëpunim franko-shqiptar. Ai është një personalitet i njohur në Francë, që ka një kontribut të jashtëzakonshëm në vendin tonë.

Intervistoi Eda Merepeza