I shohim në çati, në tokë, në fusha e kudo. Panelet fotovoltaike janë module speciale që përdorin energjinë diellore për të prodhuar energji elektrike dhe luajnë një rol kyç midis burimeve të rinovueshme të disponueshme në tranzicionin ekologjik evropian. Sot në treg ekzistojnë tre lloje panelesh fotovoltaike: në silikon monokristalor, në silikon polikristalor dhe ato në silikon amorf, të quajtur edhe "film i hollë".
Panelet fotovoltaike konsiderohen si një nga opsionet më miqësore me mjedisin për marrjen e energjisë elektrike. Pasi të instalohen atyre u nevojitet vetëm rrezet e diellit për të funksionuar. Megjithatë, kjo teknologji mund të provojë të jetë një bumerang ndotjeje.
Në artikullin në “The Conversation”, Matthew Davies, profesor i asociuar në Fakultetin e Shkencave të Materialeve në Universitetin “Swansea”, në Uells, të Mbretërisë së Bashkuar, paralajmëron për rreziqet e mosriciklimit të paneleve diellore, të cilat duhet të zëvendësohen pas një jetëgjatësie mesatare prej rreth 25 vjetësh.
Bazuar në një studim të vitit 2020, mbi vlerësimin e ciklit jetësor (LCA) të kësaj teknologjie, Davies vlerëson se deri në vitin 2050 do të ketë afërsisht 78 miliardë tonë mbetje që rrjedhin nga asgjësimi i paneleve fotovoltaike, një problem që do të kapërcehej lehtësisht nëse materialet e përdorura mund të nxirren dhe të ripërdoren, por për fat të keq për momentin riciklimi nuk duket të jetë një zgjidhje e zbatueshme.
Një nga problemet kryesore është se elektronika e një paneli fotovoltaik përbëhet nga komponentë të ngjitur ose salduar së bashku, duke e bërë thyerjen dhe copëzimin e materialeve të pashmangshme gjatë asgjësimit.
Për më tepër, materialet më interesante për t'u rikuperuar janë të shpërndara në sasi të vogla për të gjithë bordin elektronik dhe për këtë arsye janë shumë problematike për t'u rikuperuar, nëse nuk përdoren metoda shumë ndotëse dhe padyshim joetike.
Zgjidhja do të ishte një dizajn dhe infrastrukturë më funksionale e aftë për të përpunuar dhe ricikluar produktin në fund të jetës së tij. Nëse do të mund të nxirrnim materialet e ripërdorshme nga panelet diellore, do të rikuperoheshin rreth 15 miliardë dollarë dhe mund të prodhoheshin dy miliardë panele të reja diellore.
Përfitimit ekonomik do t'i shtohej edhe ai mjedisor. Rreth 70% e emetimeve të gazeve serrë lidhen në fakt me nxjerrjen, prodhimin dhe përdorimin e mallrave. “Nëse nuk ndalojmë nxjerrjen e materialeve nga Toka, nuk do të jemi në gjendje të ndalojmë ndryshimin e klimës”, -paralajmëron Davis.
Ndalimi i vështirë i aktiviteteve të prodhimit për shkak të pandemisë përfaqësoi një mundësi të paprecedentë për shkencëtarët për të studiuar se çfarë ndodh në kushtet e zhurmës së reduktuar, pranisë njerëzore dhe ndotjes. Operatorët e energjisë ishin në gjendje të vëzhgonin, në javët midis marsit dhe prillit 2020, se sa ndotja e ajrit ndikon në rendimentin e paneleve diellore. Shumë më tepër sesa pritej, sipas një studimi të kryer në Nju Delhi dhe të botuar në revistën shkencore “Joule”.
Nju Delhi është një nga kryeqytetet e smogut në botë, si dhe një nga vendet ku bllokimi u vendos më ashpër dhe befasisht në fillim të pandemisë. Prandaj, ulja e ndotjes ishte e papritur dhe qartësisht e dukshme. Niveli i grimcave të imëta dhe grimcave të theksuara nga Indeksi i Cilësisë së Ajrit u përgjysmua.
Ian Marius Peters, studiues në Institutin gjerman për Energjitë e Rinovueshme, i cili studion efektet e smogut në prodhimin e energjisë diellore, përfitoi nga situata për disa krahasime, duke përdorur si të dhëna fillestare ato të paneleve diellore të Ambasadës së SHBA-së në Nju Delhi.
Me ndihmën e një piranometri, një instrument që mat intensitetin e rrezatimit diellor, Peters zbuloi se në ditët pa re të fund marsit 2020, në një bllokim të plotë, sasia e energjisë diellore që arrinte në panelet fotovoltaike në Nju Delhi ishte 950 Vat për metër katror. Në të njëjtën periudhë midis viteve 2017 dhe 2019, ajo ishte mesatarisht 880 Va për metër katror.
Ka një ndryshim prej 8% midis vitit të Covid-it dhe atyre të mëparshëm, dhe kjo nuk është pak, duke pasur parasysh se është ekuivalenti midis prodhimit të një paneli diellor të instaluar në Hjuston dhe të njëjtit panel në funksionim shumë në veri, në Toronto.
Të dhënat janë veçanërisht interesante, sepse smogu në Nju Delhi nuk është zhdukur brenda natës, por është përgjysmuar. Bllokimi praktikisht ka dhënë një paraqitje të shkurtër se si do të shkonin gjërat nëse do të angazhoheshim seriozisht për të reduktuar ndotjen e ajrit.
Grimcat atmosferike depozitohen kudo, madje edhe në qelizat fotovoltaike, dhe sigurisht pluhuri vepron si një ekran, si xhami i ndotur i një dritareje. E gjithë kjo shkakton një rreth vicioz në të cilin prodhimi i energjisë elektrike diellore reduktohet dhe kompensohet nga djegia e lëndëve djegëse fosile, të cilat lëshojnë më shumë grimca në atmosferë, etj. Por kjo do të thotë gjithashtu se duke reduktuar ndotjen e ajrit, mund të përfitojë edhe prodhimi i energjisë elektro-solare.
“Prisja të shihja një ndryshim, por u befasova se sa efekti ishte qartësisht i dukshëm”, -deklaroi Peters. Edhe në Evropë, muajt e fundit ka pasur një kulm të prodhimit të energjisë elektrike nga dielli, por nuk është e qartë nëse fenomeni lidhet me reduktimin e smogut apo me një pranverë jashtëzakonisht me diell.
E ashtuquajtura ekonomi qarkulluese, e cila siguron, ndër të tjera, riciklimin dhe ripërdorimin e mallrave dhe materialeve, është thelbësore për garantimin e një të ardhmeje në këtë planet. Vazhdimi i nxjerrjes dhe konsumit, eliminimi total i asaj që kemi përfunduar duke përdorur, nuk është një zgjidhje praktike.
Sipas ekspertit gjerman, në vitin 2020, u nxorën 100 miliardë tonë materiale të ndryshme dhe vetëm 8.6% u ricikluan. Është e kotë të mendosh për teknologji të qëndrueshme, si ato të paneleve diellore, nëse në fund të jetës së tyre këto produkte hidhen në landfill. Për mos të përmendur faktin se, me këtë ritëm, mineralet bazë do të kushtojnë më shumë sesa mund të përballojnë shumica e njerëzve.(Foto:VCG)
Përgatiti: Irma Paloli