Në Shqipëri jetojnë dhe fëmijë me një status të veçantë, pjesë e të cilëve janë fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët e atyre të cilët kanë dhënë jetën në shërbim të tjetrit, kanë sakrifikuar jetën e tyre për ata të cilët kanë pasur afër dhe për t’i shpëtuar ata. Ashtu sikurse janë policët, mjekët, infermierët dhe të gjithë ata të cilët kanë marrë apo kanë përfituar statusin “Dëshmor i Atdheut”. Deri tani kjo kategori fëmijësh ka patur përfitime, por ato kanë qenë të kufizuara.

Ditët e fundit është konstituar Komisioni Qendror për dhënien e statusit “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”, duke i hapur rrugë zbatimit të ligjit për mbështetjen me paketën e plotë për fëmijët të “Dëshmorëve të Atdheut”.

Takim me ministren Manastirliu (ATSH)

Takim me ministren Manastirliu (ATSH)

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një deklaratë lidhur me këtë status është shprehur se përbën një tjetër dëshmi e angazhimeve të qeverisë shqiptare për ta bërë këtë vit, vitin e fëmijëve.

Ky ligj garanton një paketë të plotë përfitimesh duke nisur nga mbështetja financiare me pagën e prindit që ka humbur jetën në krye të detyrës pikërisht duke e përfituar deri në moshën 25 vjeçare, nëse vazhdon edhe shkollën e lartë.

Manastirliu bëri me dije që në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të dalë njoftimi për thirrje për aplikim për të gjithë ata të cilët janë përfitues nga ky ligj, duke theksuar se aplikimi do të jetë i hapur gjatë gjithë vitit.

“Menjëherë pas këtij Komisioni në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të dalë ky njoftim për thirrje për aplikim për të gjithë ata të cilët janë përfitues nga ky ligj, duke plotësuar një set dokumentash por edhe duke i lehtësuar nga Sekretariati Teknik për të gjitha to vërtetime apo dokumenta që vetë ne, shtet me shtet mund t’i marrim duke e bërë dhe më të lehtë pjesën e aplikimin në këtë proces të përfitimit të statusit. Ashtu sikurse ne e kemi vendosur do të jetë i hapur përgjatë gjithë vitit aplikimi. Pra ne do të presim përgjatë gjithë vitit aplikime të ardhura nga vetë ata të cilët do të përfitojnë këtë status, pra personat e familjes, familjarë të fëmijëve, kujdestarë të tyre, prindi i cili është kujdestar i fëmijës por gjithashtu edhe institucione apo organizata jo fitim prurëse që kanë tagrin me prokurë të posaçme për aplikuar fëmijët në këtë përfitim të statusit”, bëri me dije Manastirliu.

Komisioni (ATSH)

Komisioni (ATSH)

Komisioni Qendror është i përbërë nga përfaqësues të disa ministrive dhe shoqatave që mbrojnë të drejtat e fëmijëve.

“Fëmijët në përkujdesje të Republikës” do të mbështeten me pagën e plotë të prindit që ka humbur jetën në detyrë. Pas miratimit të ligjit për mbështetjen e tyre, qeveria miratoi edhe vendimin për ngritjen e një komisioni të posaçëm që do të miratojë kërkesat për përfitimin e statusit të ‘Fëmijëve në përkujdesje të Republikës.

Përfitimet sipas ligjit

‘Fëmijët në Përkujdesje të Republikës’ do të përfitojnë:

-Pagën e plotë mujore e prindit për fëmijën e vetëm;

-140% e pagës kur prindi ka lënë pas dy fëmijë;

-150% e pagës kur fëmijët jetimë janë tre;

-160% e pagës së prindit kur në familje janë katër fëmijë që kanë humbur prindin, e me radhë.

-Përveç trajtimit financiar, këta fëmijë do të kenë mbështetje për edukim e arsimim, punësim, mbrojtje sociale dhe në shërbimin shëndetësor publik e privat.

-Do të garantohet plotësisht shërbimi shëndetësor falas jo vetëm në strukturat publike, por edhe në strukturat private apo dhe jashtë vendit, kur të jetë e nevojshme.

Aplikimet për statusin (Ministria e Shëndetësisë)

Aplikimet për statusin (Ministria e Shëndetësisë)

-“Fëmijët në përkujdesje të Republikës” do të përfitojnë gjithashtu bursën për ndjekjen e arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike dhe tekste shkollore falas.

Tashmë ka filluar procesi për shqyrtimin e aplikimeve të para për dhënien e Statusit “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës” nga Komisioni Qendror i ngritur për këtë qëllim.

Ligji për “Fëmijët në Përkujdesje të Republikës” garanton mirëqenien dhe zhvillimin e jetës së fëmijës, nëpërmjet ndihmës dhe përkujdesjes efektive të shtetit. Paga e prindit do të jepet 100 për qind atëherë kur qytetari i rënë në krye të detyrës ka pasur një fëmijë. Pra fëmija do të ketë mbështetje të përmuajshme me pagën e plotë të prindit.

Statusi “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” përfitohet deri në moshën 18 vjeç dhe i siguron personit një trajtim të veçantë material e moral, deri në moshën 25 vjeç, nëse ndjek arsimin e lartë.

Eda Merepeza