Aneta Mihali Xhiku e lindur në qytetin e Sarandës. Para një dekade, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë ajo emigroi në SHBA, ku ka drejtuar shkollën e parë Shqipe në Washington si dhe ka përkthyer blogun e famshëm “Humans of NewYork”. Pas 20 vitesh jete në këtë vend u kthye sërish në Sarandë dhe vendosi t’i përkushtohej qytetit të saj të lindjes. Aneta është shprehur lidhur me kthimin në atdhe me fjalët:“Pas 20 vjet emigrimi, diç kam mësuar për dhimbjet e shpirtit nga vetmia dhe çrrënjosja. Shqiptarët ëndërrojnë Amerikën, pa ditur çmimin emocional, shëndetësor, familjar, profesional e shoqëror që duhet paguar për komoditetin ekonomik”.

Në profesion Aneta është gazetare dhe prej disa vitesh ka themeluar edhe blowgun “Saranda Via Neta”, në të cilin flet shpesh për Sarandën, duke i bërë një pasqyrë të plotë kulturore.

CMG: Aneta si ka nisur dita juaj?

Aneta Mihali Xhiku: Ndodhem në Sarandën e bukur dhe kam nisur një ditë me shi, por e bukur. Qielli po pastrohet dhe kjo më gëzon tej mase. Për ata që e duan plazhin jam e bindur që duan të dëgjojnë një kohë më të ngrohtë sepse do të shijojnë bregdetin e bukur të Sarandës.

CMG: Kush ua hapi rrugën drejt SHBA-së?

Aneta Mihali Xhiku: Duhet të theksoj që rrugën për në Amerikë e hapi gjyshi im dhe familja prindërore, e cila u vendos pranë tyre. Pra si të thuash kisha një derë të hapur për të emigruar lehtësisht. Unë në fakt nuk e kisha në plan që të emigroja. Kisha vendosur të qëndroja në Tiranë, por në vitin 1996 fitova një konkurs për një trajnim në Amerikë, prej nga u ktheva me bindjen që do zhvendosesha nga këtu. Aq më tepër që ngjarjet e vitit ‘97 më nxitën edhe më shumë.

CMG: A ishte një rrugëtim i lehtë, kur flasim për shkëputjen tuaj nga vendlindja?

Aneta Mihali Xhiku: Për mua ka qënë shumë e lehtë sepse kam qënë e përshtatur me teknologjinë, e cila ishte një plus shumë i madh, si dhe isha njohëse e gjuhës angleze. Nga ana tjetër bashkëshorti im mund të them që përjetoi sfidën e emigirmit të plotë. Unë shkova në Amerikë pa dëshirë, por u habita nga pritja e mirë e njerëzve dhe ofertat e punës që më erdhën.

CMG: Cilat janë arsyet që mendoni se u pritët mirë nga të tjerët?

Aneta Mihali Xhiku: Kjo mendoj që lidhet me aftësitë e mia komunikuese sepse unë kisha ruajtuar lidhje me njerëz që vinin këtu për pushime gjatë sezonit veror, por sapo mbërrita atje më besuan që të drejtoja shkollën e parë shqipe në Washington. Unë nuk pushova kurrë punën me komunitetin shqiptar. Ndër të tjera para se të kthehesha përktheva “Humans of New York”. Nga maji deri në nëntor përktheva qindra histori të amerikanëve, që intervistoheshin në rrugë.

Ishte ky hapi që më bëri që kur u ktheva në Tiranë të merrja shumë oferta pune. Ishte shansi im i jetës. Vendosa ta lë përfundimisht Amerikën dhe të ndjek ëndrrat e mia, të rri me njerëz, t’i shijoj njerëzit, kohën, të fotografoj, përkthej e gjithçka tjetër.

CMG: Ku ndryshon stili i jetes së një emigranti me një vendas?

Aneta Mihali Xhiku: Niveli i jetëses patjetër që ndryshon sepse mënyra se si janë rritur janë të ndryshme. Më pas çdo eksperiencë tjetër varet nga niveli personal, por ajo që duhet të pranojmë ne europianët është që niveli amerikan i jetesës është shumë i shpejtë në krahasim me të tjerët.

Së pari hapësira fizike na bën të ndryshëm, sepse në Amerikë të shkon jeta në makinë e më pas mundësitë e punësimit.

CMG: Çfarë ka në Shqipëri që ti nuk e gjete në Amerikë?

Aneta Mihali Xhiku: Në Amerikë nuk e gjen kurrë këtë atmosferë komunitare që gjen në Shqipëri. Ti ke mundësi që të njohësh njerëz të rinj, të të njohin me breza të largët dhe të të trajtojnë siç duhet.

Klima gjithashtu është shumë e mirë në Shqipëri, relievi sepse në një hapësirë të shkurtër të rrok syri malin, detin, lumin etj.

CMG: A ju ndjek aroma e fëmijësirë në çdo cep të Sarandës?

Aneta Mihali Xhiku: Aroma e fëmijërisë është shumë e rëndësishme dhe njerëzit bëjnë mirë që ta kuptojnë këtë. Do doja që të ishit këtu dhe ta shihnit edhe ju se sa e bukur është Saranda.

Kur isha këtu nuk pata mundësi që të vizitoja asnjë vend në Shqipëri, ndaj kur u ktheva e ndjeva të nevojshme që të vizitoja çdo fshat apo vend turistik, sa nuk ndiej të kënaqur me vendin tim të bukur.

CMG: Çfarë mësuat nga gjithë rrugëtimi juaj në emigrim?

Aneta Mihali Xhiku: Kuptova që nëse nuk ju pëlqejnë rrethanat thyejini ato. Në emigrim duhet dije e fortë dhe penel i mirë për të ndërtuar jetën dhe kjo arrihet vetëm nëpermjet arsimimit të mirë.

I huaji është e pamundur të të kuptojë, por mos të paragjykojmë sepse jo të gjithë janë njësoj ndaj le ta rrethojmë veten me njerëz të mirë.

Duhet t’i lësh fëmijët të ndërtojnë jetën e tyre të pavarur dhe mos harrojmë që jeta është shumë e shkurtër dhe kur të kemi para s’do të kemi mundësi për t’i shijuar ndaj sytë duhet t’i kthejmë nga vetja. Një pasion i fshehur mund të kthehet në një pasion të dytë në një moment që ti ke menduar që gjithçka mund të ketë mbaruar.

CMG: A pati pasoja kthimi juaj në atdhe?

Aneta Mihali Xhiku: Po. Unë humba karrierën, të cilën m’u deshën mbi 19-vite për ta fituar dhe për të qënë aty ku unë kam pas ënderruar. Humba pensionin, të cilin mund ta fitoja të plotë, por e ndërpreva në mes dhe më e rëndësishmja, unë lashë pas gjithë familjen time atje. Nuk është e thjeshtë të mos i vizitosh në çdo moment që ata kanë nevojë, por nuk jam pishman sepse në vendin tim të lindjes kam gjetur vetveten.

Intervistoi Megi Latifi