Vitet e fundit është vënë re se ndryshimi i klimës ka çuar në lulëzimin e hershëm të bimëve, duke prishur ekuilibrin e brishtë dhe duke rrezikuar dëmtimin e ekosistemeve të tëra.

Ndryshimi i klimës vazhdon të marrë viktima të pafajshme. Një studim i kryer nga një ekip ndërkombëtar studiuesish ka treguar në fakt se në 70 vitet e fundit lulëzimi i bimëve është përshpejtuar në mënyrë progresive, më shumë se sa ka ndodhur me fenomenin e ndërlidhur të përhapjes së gjetheve. Këto dy ngjarje fenologjike, që kanë lidhje me zhvillimin e bimëve, janë të lidhura ngushtë me ndryshimin sezonal të temperaturave.

“Bimët e ekspozuara ndaj temperaturave të ulëta, gjatë dimrit, pushojnë para se të shpërthejnë sythat e gjetheve të reja”, -shpjegon Qianqian Ma, autori kryesor i studimit. Sipas tij, ato kanë nevojë për temperatura të buta që të mund të lulëzojnë në pranverë. Ndryshimet klimaterike po komprometojnë ekuilibrin midis fazave dhe klimës dhe rrezikojnë të dëmtojnë ekosistemet e tëra.

Studiuesit analizuan katër lloje bimësh evropiane; gështenjën, pishën, verrin dhe frashërin, duke marrë parasysh vitet 1950 deri më 2013-n. Sipas gjetjeve, intervali kohor ndërmjet zgjerimit çdo dhjetë vjet të gjetheve dhe lulëzimit do të ishte rritur nga 0.6 në 1.3 ditë, me intervalin më të gjatë të regjistruar në zonat më të ngrohta të Evropës. Zgjatja e gjetheve dhe lulëzimi korrespondojnë përkatësisht me rritjen dhe riprodhimin e bimëve dhe një ndryshim në pasojat e këtyre dy ngjarjeve mund të ketë rezultate shkatërruese.

“Pemët mund t'i shpërndajnë burimet në mënyra të ndryshme midis rritjes dhe riprodhimit”, -shpjegon Jian-Guo Huang, një nga autorët e studimit. Ai theksoi se nëse ato do të shfaqen shumë herët, do të lihen në mëshirën e ngricave të pranverës së vonë.

Llojet që prodhojnë lule para gjetheve të tyre, si frashëri, mund të pësojnë humbje në prodhimin e farës nëse lulet dëmtohen nga ngrica e pranverës. Bimët që, nga ana tjetër, prodhojnë gjethe përpara luleve, si p.sh. gështenja, mund të vonojnë rritjen e tyre dhe të thithin më pak dyoksid karboni.

“Ndryshimet do të kishin pasoja serioze në ekosistem, ciklet ushqyese dhe thithjen e CO2”, -shpjegon Qianqian Ma. Një çekuilibër në kohën e lulëzimit mund të dëmtojë gjithashtu ndërveprimet me pjalmuesit, duke vënë në rrezik mbijetesën e të dy specieve, me pasoja të drejtpërdrejta edhe për njerëzit.

Pse duhet të mbjellim më shumë pemë në qytet? Pemët janë të domosdoshme për jetën në Tokë. Ekspertët japin disa arsye të mira pse duhet të kemi më shumë pemë edhe në qendrat urbane. Qytetet e gjelbra janë ëndrra e të gjithëve. Parqet nuk mjaftojnë. Ka nevojë për rrugë me pemë, kopshte ku fëmijët mund të luajnë, kopshte të vogla urbane, bimë në tarraca dhe ballkone.

Përveç dhurimit të oksigjenit, çdo pemë vepron si një akumulues karboni, duke qenë në gjendje, në vetëm një vit, të thithë dhjetëra kilogramë dyoksid karboni, duke ndihmuar kështu në reduktimin e efektit famëkeq serrë.

Degët e pemëve përbëjnë një filtër të çmuar për grimcat e imta të pluhurit, të cilat, kryesisht të ardhura nga motorët me djegie të brendshme, ngrohja shtëpiake dhe shkarkimet industriale, janë jashtëzakonisht të dëmshme për shëndetin e njerëzve.

Pemët janë thelbësore për prodhimin e oksigjenit, për shkak të fotosintezës së klorofilit, një element themelor për ekzistencën tonë. Në një sezon të vetëm, një pemë mund të prodhojë oksigjen të mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e dhjetë njerëzve.

Rrjeti i formuar nga rrënjët e pemëve është i çmuar për ta bërë tokën më të qëndrueshme, për rrjedhojë duke kufizuar rrezikun e rrëshqitjeve dhe zbutjen e efekteve të përmbytjeve dhe erozionit. Me fjalë të tjera, prania e pemëve ul ndjeshëm rrezikun e paqëndrueshmërisë hidrogjeologjike.

Pemët janë habitati ideal për shumë kafshë, duke u bërë veçanërisht një strehë e çmuar për zogjtë e shumtë që popullojnë qytetet tona.

Falë vetive të tyre të shumta dhe bukurisë së tyre, pemët përmirësojnë ndërtesat pranë të cilave rriten. Me të njëjtat karakteristika, një ndërtesë e rrethuar me pemë dhe jeshillëk ka më shumë mundësi të shitet sesa një tjetër e njëjtë e rrethuar vetëm nga betoni.

Tashmë dihet se pemët ndihmojnë psikikën tonë të relaksohet duke ulur nivelet e kortizolit, një hormon që kontribuon në rritjen e ndjenjave të ankthit dhe stresit. Gjithashtu për shkak se stimulohet aktiviteti fizik, çiklizmi ose vrapimi në natyrë është padyshim më i mirë.

Me gjethet e tyre, pemët janë në gjendje të mbytin një pjesë të mirë të zhurmave kaotike që pllakosin çdo ditë qytetet tona dhe që janë ndër shkaqet më të rëndësishme të stresit për qytetarët.

Përtej përfitimeve biologjike, pemët kanë qenë gjithmonë një kujtesë historike të çmuar. Në fakt, shumë lloje jetojnë për qindra vjet, duke u bërë një pjesë integrale e peizazhit dhe shpesh duke siguruar sfondin për ngjarje të rëndësishme historike. Studimi i trungut të tyre mund të zbulojë informacione të vlefshme për të kaluarën.

Psikologët thonë se pemët ndihmojnë në rritjen e krijimtarisë te fëmijët dhe gjithashtu mund të bëhen një vend për lojëra nëse është e nevojshme. Jo vetëm kaq, por aftësia e tyre për t'i rezistuar fatkeqësive dhe për t'iu përshtatur kushteve shpesh armiqësore përbën një lloj shembulli moral, i dobishëm edhe për më të mëdhenjtë.

Falë aftësisë së tyre për të freskuar ajrin, pemët, veçanërisht nëse vendosen pranë ndërtesave, lejojnë uljen e konsumit të ajrit të kondicionuar, në disa raste deri në 30%, duke sjellë si pasojë kursime ekonomike dhe në energji.

Ndër virtytet e pemëve është aftësia për të pastruar ujin e shiut, duke mbajtur hidrokarbure, metale të rënda dhe shumë komponime organike të dëmshme. Pra, prania e tyre siguron një cilësi më të mirë të tokave dhe akuiferëve.

Përgatiti: Irma Paloli