Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), në drejtimin e Sekretares së Përgjithshme Majlinda Bregu prezantoi më 11 mars në Tiranë krijimin e Rrjetit të Grave Sipërmarrëse të Ballkanit Perëndimor. Ky rrjet synon fuqizimin ekonomik të grave, si një mision i rëndësishëm në rimëkëmbjen e Ballkanit Perëndimor. Gratë në rajon përfaqësojnë gjysmën e popullsisë, por një në dy gra në Ballkanin Perëndimor janë jashtë tregut të punës. Vetëm një në 4 pronarë biznesesh janë gra ndërkohë 38% e grave janë të papuna.
Flora Xhamani Baba (Facebook)
Gazetarja Flora Xhamani Baba, pjesëmarrëse në takimin themelues të Rrjetit të Grave Sipërmarrëse të Ballkanit Perëndimor, flet për Grupin Mediatik të Kinës lidhur me këtë nismë dhe synimet në të ardhmen e këtij organizmi, në dobi të grave.
CMG: Sapo është krijuar në Tiranë Rrjeti i Grave Sipërmarrëse të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Si pjesëmarrëse, çfarë do të na thoni lidhur me këtë organizëm të ri, një ndihmë më shumë në promovimin e grave.
Flora Xhamani Baba: Po patjetër që shtrirja e këtij Rrjeti është shumë më e gjerë se sa e çdo organizmi tjetër në Shqipëri në ndihmë të grave, sepse ka një sërë organizmash të tillë që veprojnë në vendin tonë. Synimi i kësaj organizate të re është pikërisht ky, që të zgjerojë më shumë bashkëpunimin e grave sipërmarrëse të Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet njëra-tjetrës. Dihet që kur sipërmarrëse janë gratë aktivitetet janë të llojeve të ndryshme, që variojnë nga aktivitete individuale në fushën e artizanatit, që janë kryesisht biznese të grave e deri te aktivitetet me natyrë digjitale ose teknologjike me të cilat mund të lidhesh me të gjithë botën.
Majlinda Bregu Sekretare e Përgjithëshme e RCC (Lexo.al)
CMG: Duke krijuar një network
Flora Xhamani Baba: Po, duke krijuar një net tëndin. Në fakt shembujt që u sollën në këtë takim të parë, i cili ishte dhe takimi themelues i drejtuar nga Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, që është shqiptare, zonja Majlinda Bregu. Besoj se ajo ka lobuar fort, duke qenë se takimi i parë i grave sipërmarrëse të mbahej pikërisht në Shqipëri. Ishte një takim mbresëlënës i mbushur me histori interesante i grave të forta, përpjekjeve të tyre për të qenë triumfuese përmes vështirësive që gratë i kanë të dyfishta, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për mbajtjen e një sipërmarrjeje, por dhe të terrenit.
CMG: Në Shqipëri ekziston një Union i Grave Sipërmarrëse dhe besoj se simotra të tij ka dhe në vendet e rajonit. A ishin të pranishme në këtë takim këto organizma, apo në të morën pjesë individualisht gra sipërmarrëse të Ballkanit Perëndimor?
Flora Xhamani Baba: Jo, përkundrazi. Ishin disa organizma të tillë, si për shembull Rrjeti i Grave Sipërmarrëse të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, të Bosnjës si dhe përfaqësuese të unioneve të ndryshme të këtyre vendeve, që erdhën si pjesë e këtyre rrjeteve në takim për t’u bërë pjesë e një rrjeti më të madh.
CMG: Ku do të ndodhet selia e këtij Rrjeti?
Flora Xhamani Baba: Kjo nuk u cilësia, por kam përshtypjen që ky takim vjetor do të mbahet në vende të ndryshme të rajonit tonë.
CMG: Pra me rotacion
Flora Xhamani Baba: Mendoj se duke qenë Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal me seli në Sarajevë, do të jetë dhe një përfaqësim i këtij Rrjeti atje.
Takimi themelues i Rrjetit të Grave Sipërmarëse të Ballkanit Perëndimor (Foto RCC)
CMG: Cilat lloje sipërmarrjeje përfshin Rrjeti i Grave Sipërmarrëse të Ballkanit Perëndimor?
Flora Xhamani Baba: Ishte interesante se natyra e sipërmarrjeve që u bënë pjesë e rrjetit në mënyrë individuale apo dhe nëpërmjet organizmave, ishte aq i larmishëm saqë nuk mund të përjashtosh asnjë profesion dhe nuk mund të përfaqësosh nëpërmjet profesioneve të ndryshme natyrën e kësaj organizate.
CMG: Ekziston një stereotip që gratë mund të organizojnë artizanatin, apo të tjera sipërmarrje të kësaj natyre.
Flora Xhamani Baba: Jo. Madje mund të sjellë një shembull nga takimi, ku njëra nga të ftuarat që e mori fjalën tregoi se në fillim të pandemisë kur iu desh të hiqte dorë nga puna e saj në zyrë ku drejtonte një kompani teknologjike, megjithëse drejtonte punën online koha fizike i tepronte ndaj kishte hapur një fermë derrash. Gratë sipërmarrëse të kësaj organizate të madhe mund të merren me çdo lloj biznesi.
CMG: Një nga “ të mirat” të izolimit social për shkak të pandemisë Covid 19 ishte dhe nxitja e ideve në fushën e sipërmarrjes dhe me sa duket gratë kanë patur ide të shumta biznesi.
Flora Xhamani Baba: Në takim u dhanë shembuj të mrekullueshëm se si gratë kishin mbështetur situata të ndryshme përgjatë gjithë pandemisë, apo kthimin e sipërmarrjeve të ndryshme në natyra të tjera, si rasti që theksuam më sipër. Fakti që izolimi social solli detyrimisht drejtimin e sipërmarrjeve nga shtëpia ka bërë të lindin shumë sipërmarrje dhe ne kemi shembuj të shumtë dhe në Shqipëri. Këto sipërmarrje nuk janë të lidhura vetëm me punë artizanale, por dhe me natyrë teknologjike dhe digjitale. Ka patur me mijëra start-up në Shqipëri dhe po ashtu në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnje, që ishin pjesëmarrëse dhe në këtë takim.
Flora Xhamani Baba në takimin e Rrjetit të Grave Sipërmarëse (Facebook)
CMG: Në vijim të veprimtarisë së këtij Rrjeti do të ketë dhe ekspo, panaire apo aktivitete të tjera, duke iu referuar biznesit prodhues ?
Flora Xhamani Baba: Për këtë u fol në takim dhe u sigurua që do të ndodhte në të ardhmen. Nuk do të ketë vetëm panaire të shkëputur, të vendeve të rajonit, por të jenë të përgjithshme të të gjitha sipërmarrjeve të drejtuara nga gratë. Grave në takim, profesioniste të produktit premtuan se shumë shpejt do të realizohej një ekspo e tillë.
Intervistoi: Eda Merepeza