Konflikti aktual në Evropë ka shkaktuar probleme në tregjet në mbarë botën, madje edhe në ato shumë të largëta, në një efekt domino me përmasa globale, duke qenë se Ukraina dhe Rusia janë ndër pesë prodhuesit kryesorë të grurit në botë. E gjithë kjo ndodh në një sistem ushqimor shumë të ndërlidhur, i varur nga pak burime në rrezik zhdukje, të parikthyer ende mirë nga pandemia dhe tashmë duke vuajtur nga pasojat.
Ukraina dhe Rusia mbajnë peshën e rreth 12% të kalorive globale në tregtinë ushqimore. Shumica e tyre vijnë nga gruri. Të dyja vendet kultivojnë dhe eksportojnë 30% të të gjithë sasisë që konsumohet në botë. Konflikti dhe sanksionet i kanë çuar çmimet e grurit në nivelet më të larta që nga viti 2010, gjë që do të ketë pasoja jo vetëm në të ardhmen e afërt.
Dymbëdhjetë vjet më parë, efektet e ndryshimeve klimaterike kishin goditur rëndë disa prodhues të mëdhenj të grurit, si Australia, Ukraina dhe SHBA-në, dhe kjo, së bashku me faktorë të tjerë, shkaktoi rritjen e mprehtë të çmimeve që ishte origjina e tensioneve sociale që rezultuan në trazirat e bukës në Lindjen e Mesme, protestat e Pranverës Arabe dhe, në planin afatgjatë, lufta në Siri.
Vende të tilla si Kameruni, Republika Demokratike e Kongos, Libia, Nigeria, Sudani dhe Jemeni varen shumë nga drithërat e blera nga Ukraina dhe Rusia. Egjipti merr më shumë se gjysmën e sasisë kombëtare të importuara nga këto dy vende. Por pasojat ekonomike të kësaj krize do të ndihen, nëpërmjet rritjeve, edhe në ekonomitë më solide, të cilat do të përpiqen që në fillim të diversifikojnë tregun dhe të blejnë gjetkë. Rreth 30% e elbit botëror vjen gjithashtu nga Rusia dhe Ukraina. Shpesh përdoret për ushqimin e kafshëve. Vetëm Rusia prodhon 15% të plehut të përdorur në bujqësi.
Prodhimi i ushqimeve bazë nuk është destinacioni i vetëm i drithit të eksportuar, pasi ai përbën një nga elementët kryesorë të foragjereve të fermës. Mungesa e këtij produkti thelbësor është e rrënjosur thellë në prodhimin global të ushqimit, me rrezikun e uljes së efikasitetit të tij në shkallë të gjerë dhe për periudha të gjata. Çmimet në rritje dhe mungesa, e kombinuar me shkatërrimin territorial që rrënon dhe do të godasë Ukrainën, së bashku me reduktimin e pashmangshëm të punës, do të ndikojë në prodhimin në afat të gjatë.
Nëse konflikti vazhdon për një kohë të gjatë, rreziku është të ketë një krizë ushqimore që zgjat me vite, e cila do të godasë vendet tashmë të brishta me autonomi të kufizuar prodhimi ose importi. Një krizë që rrezikon të sjellë me vete paqëndrueshmëri dhe konflikte në shumë zona të botës, duke rritur edhe më shumë numrin e refugjatëve dhe të zhvendosurve, të cilët tashmë kanë arritur numrin maksimal në historinë e njerëzimit.
Kjo tronditje godet një sistem global ushqimor, i cili, sipas Raportit të Gjashtë të Vlerësimit të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, tashmë po ndjen dhe tronditjen e krizës klimaterike.
Temperaturat e larta po përkeqësojnë tashmë cilësinë dhe rendimentin e ekosistemeve që na ushqejnë, pra toka e kultivuar dhe detet. Efekti është veçanërisht i dukshëm në rajonet jugore dhe ekuatoriale të botës, të cilat janë minimalisht përgjegjëse për emetimet e dëmshme dhe megjithatë të prekura rëndë nga pasojat e rritjes së gazeve serrë.
Nuk duhet menduar vetëm për ngjarjet ekstreme të motit, si thatësirat ose ngricat e papërshtatshme, që shkatërrojnë të korrat. Ne gjithashtu përballemi me dëmtime më të heshtura, të vazhdueshme dhe përfundimtare: e njëjta tepricë e CO2 i bën të korrat të rriten më shpejt dhe i privon ato nga vitaminat dhe mineralet thelbësore. Ndërkohë, stresi i nxehtësisë ka ulur tashmë rendimentet globale të të korrave të misrit, grurit dhe orizit me 5.3%, nga viti 1961 e deri më sot, dhe për çdo shkallë shtesë të ngrohjes globale mbi 1.1°C aktuale, pritet një reduktim i mëtejshëm me 10-25%.
Sipas raportit, për më tepër, 30% e tokës së kultivuar ose kullotave në botë mund të bëhet joproduktive deri në fund të shekullit, për shkak të thatësirës dhe tashmë e privuar nga shtresa më e jashtme e tokës, ajo me përqendrimin më të lartë të materialit organik, ku shfaqet shumica e aseteve biologjike.
Situata nuk shfaqet më mirë në dete. Ngrohja e oqeaneve është përgjegjëse për kolapsin e popullatave të peshqve dhe për më shumë ekosisteme ujore biodiversale, siç janë shkëmbinjtë koralorë. Nga viti 1930 deri në vitin 2010, sasia e peshkut të nxjerrë nga detet në mënyrë të qëndrueshme u ul me 4.1%, ndërkohë që numri i popullsisë në tokë për t'u ushqyer është trefishuar. Ngordhja e specieve detare ka të ngjarë të dyfishohen në 30 vitet e fundit dhe mund të rriten katërfish në të ardhmen, edhe nëse reduktojmë emetimet e dëmshme, pasi dyoksidi i karbonit mbetet në atmosferë për qindra vjet.
Bota është gjithnjë e më e uritur. Konfliktet e armatosura, pandemia dhe ndryshimet klimaterike kanë pasur një ndikim vendimtar në rritjen e përqindjes së popullsisë së paushqyer në botë në vitin 2020, pas vitesh në të cilat, megjithatë, ishte shënuar progres i ngadaltë. Sipas studimeve, sot janë rreth 155 milionë njerëz në gjendje të pasigurisë akute ushqimore, rreth 20 milionë më shumë se në vitin 2019.
Këto janë të dhënat që përmban raporti i Fondacionit për Bashkëpunim dhe Zhvillim “Cesvi”, i cili ngre alarmin. Sipas Indeksit Global të Urisë 2021, në fakt, në 47 vende veçanërisht uria mbetet e lartë dhe mundësia për ta ulur apo për t'i dhënë fund, siç parashikohet nga objektivi “zero uri” i vendosur nga Kombet e Bashkuara deri në vitin 2030, janë të pakta.
Prandaj, transformimi i sistemeve ushqimore është i nevojshëm për të kundërshtuar efektet e konflikteve dhe ndryshimet klimaterike dhe njëkohësisht garanton sigurinë ushqimore.
“Përshkallëzimi i konflikteve është një nga shkaktarët që përcaktojnë urinë dhe pasigurinë ushqimore. Konfliktet dhe uria përforcojnë njëra-tjetrën, ne duhet t'i trajtojmë së bashku për t'i dhënë fund këtij rrethi vicioz, përmes ndërhyrjeve humanitare dhe projekteve zhvillimore të mirëkoordinuara dhe plotësuese”, -thuhet në raport.
“Ndërhyrjet që rrisin qëndrueshmërinë dhe gjithëpërfshirjen e jetesës së bazuar në bujqësi dhe mbështesin sigurinë ushqimore luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e paqes, pasi trajtojnë jo vetëm simptomat, por edhe shkaqet rrënjësore të konfliktit”, -deklaron Maurizio Martina, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i FAO-s.
Në raportin e “Cesvi”-t thuhet se është e mundur të ndryshohet kursi. Edhe në një mjedis global armiqësor, është e mundur të thyhen lidhjet midis konfliktit dhe urisë dhe të shfrytëzohet potenciali i plotë i sistemeve ushqimore për të çuar përpara paqen. Po ashtu, sipas raportit, në të njëjtën kohë, është i domosdoshëm adresimi i konflikteve në nivel politik dhe zbatimi i ligjit ndërkombëtar humanitar.(Foto:VCG)
Përgatiti: Irma Paloli