Marsi njihet si muaji i grave dhe për shkak të ditës së tetë të tij, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Një nga veprimtaritë e veçanta të këtij 8 marsi ishte dhe ajo e organizuar nga Shoqata Bashkimi i Grave me Aftësi të Kufizuara të Shqipërisë, që mblodhi në Durrës anëtare të këtij grupimi, përfaqësues të mediave, të pushtetit vendor dhe mikesha e miq. I pranishëm në veprimtari ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding, dhuroi për anëtaret e Shoqatës 100 pako me ushqime për 100 gra me aftësi të kufizuara.
Ambasadori i Kinës Zhou Ding dhe Elsa Tasha (Facebook)
Ndonëse një shoqatë e re, ky grupim po përfaqëson me dinjitet gratë me aftësi të kufizuara, duke ngritur zërin në organet drejtuese shtetërore, media dhe shoqatat simotra. Kryetarja e Shoqatës, Elsa Tasha, një misionare e të drejtave të grave me aftësi të kufizuara na njeh me krijimin e kësaj organizate, veprimtarinë dhe synimet e saj.
CMG: Flasim për Shoqatën Bashkimi i Grave me Aftësi të Kufizuara të Shqipërisë. Kur është krijuar dhe cilat janë synimet e veprimtarisë së saj?
Elsa Tasha: Ju falenderoj nga zemra për mundësinë që na dhatë në këtë hapësirë të vlefshme për ne, për të folur për rrjedhën që nga themelimi i Shoqatës deri më sot. Shoqata Bashkimi i Grave me Aftësi të Kufizuara të Shqipërisë është themeluar më 1 korrik të vitit 2021 dhe me vendim gjykate më 2 shtator 2021.
Anëtare të Shoqatës në Radio Tirana (Foto nga Shoqata)
Synimet e Shoqatës janë mbrojtja e interesave të anëtareve të saj, në përputhje të plotë me statusin e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë si dhe të vendimeve të Këshillit të Ministrave, që rrjedhin nga këto statuse; rritjen e nivelit të përfaqësimit në organet e pushtetit vendor dhe qendror; ndikimin në institucionet shtetërore për trajtimin korrekt sipas legjislacionit për personat me aftësi të kufizuara nëpërmjet përfaqësuesit ligjor të Shoqatës; bashkërendimin e punës së organeve drejtuese të Shoqatës me pushtetin vendor dhe qendror, si dhe me ente private dhe shoqata të tjera humanitare për rritjen e nivelit arsimor dhe profesional të anëtareve; studimin në vijimësi të gjendjes social-ekonomike të pjesëtareve të Shoqatës sonë për të ndihmuar personat më në nevojë; organizimin e aktiviteteve të ndryshme social-kulturore të anëtarësisë, seminare për rritjen e nivelit të njohjes së ligjshmërisë për të drejtat dhe detyrat e personave me aftësi të kufizuara. Ne me Shoqatës tonë jemi të angazhuara që të jemi prezente në çdo qelizë të jetës, për të krijuar një atmosferë të vlerësueshme nga shoqëria, të shmangim çdo pengesë për personat me aftësi të kufizuara.
Në anëtarësinë tonë marrin pjesë rreth 300 persona me vullnet të lirë, që janë invelide pune, të verbra dhe persona paraplegjikë dhe tetraplegjikë, që kanë përfituar statusin nga shteti shqiptar nëpërmjet komisionimit nga Shërbimi Social Shtetëror.
Disa nga anëtaret e Shoqatës (Foto e Shoqatës)
CMG: Cilat janë sfidat e grave me aftësi të kufizuara në realitetin shqiptar?
Elsa Tasha:Kjo është pjesa më e vështirë e gjithë aktivitetit të Shoqatës sonë. Nuk është e lehtë që në një shoqëri me zhvillim ekonomik që le për të dëshiruar, ku dhe standardi i jetesës është në nivele të ulëta, të bëjmë të mundur që t’i gjendemi pranë kësaj shtrese në ditë të mira dhe të këqija. Të tre statuset e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë e kanë të detajuara të drejtat që u takojnë personave me aftësi të kufizuara, por aktualisht zbatohen aq pak, sa mund të thuhet se janë të papërfillshme. Këta persona kanë prioritet për strehimin, trajtimin shëndetësor, furnizimin falas me materiale shëndetësore, për qarkullimin urban dhe interurban, si dhe për të qenë pjesë e vendimmarrjes lidhur me sinjalistikën në qytet, për lëvizjet në semafor dhe në vijat e bardha. Apo dhe në trotuare për të tre kategoritë e personave me aftësi të kufizuara.
Në qytetin e Durrësit mungojnë rampat, që janë baza e lëvizjes për personat me aftësi të kufizuara. Si të gjitha gratë në shoqëri dhe ato me aftësi të kufizuara përballen me pengesa artificiale në plotësimin e dokumenteve për komisionet në rrethe dhe në mënyrë të veçantë në kempin pranë Shërbimit Social Shtetëror në Tiranë. Këto komisione lokale dhe qendrore jo në pak raste i sorollasin personat me aftësi të kufizuara, duke i ndëshkuar kështu me vendime spekulative, ata që meritojnë të trajtohen financiarisht.
Logo e Shoqatës (Foto nga Shoqata)
CMG: Me sa kuptuam ju e keni nisur aktivitetin e Shoqatës në kohën e pandemisë. Si lindi nevoja e krijimit të këtij grupimi dhe sa ka ndikuar pandemia në jetën e personave me aftësi të kufizuara dhe veçanërisht të grave ?
Elsa Tasha: Për personat me aftësi të kufizuara situata e pandemisë, ashtu si për të gjithë botën na bëri që të kemi situata shumë të kufizuara për jetën. Një indicie shumë e rëndësishme që na çoi në vendimin për themelimin e Shoqatës Bashkimi i Grave me Aftësi të Kufizuara ishte situata shumë e vështirë që përjetuam që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit 2020 deri në mesin e vitit 2021. Gjatë kësaj kohe lindi nevoja imediate që ne personat me aftësi të kufizuara të ishim më të bashkuar për t’iu gjendur njeri-tjetrit, por dhe për të bërë trysni në organet e pushtetit vendor dhe qendror për të suportuar gjendjen emocionale të kësaj situate sa më lehtë dhe për të shmangur premisat për gjendje të rënduar depresive shpirtërore, nëpërmjet takimeve dhe aktiviteteve argëtuese. Periudha e pandemisë që nga fillimi e deri tani ka qenë dhe është shumë e vështirë për të gjithë personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri dhe veçanërisht për gratë.
Veprimtari e Shoqatës (Foto nga Shoqata)
CMG: Më 8 mars në një veprimtari me rastin e kësaj dite Shoqata përfitoi një ndihmë materiale nga Ambasada kineze në Tiranë. Ne kemi pasqyruar këtë veprimtari. Në vijimësi cilat janë planet e veprimtarive që do të organizojë kjo Shoqatë?
Elsa Tasha: Gjej rastin të falënderoj zotin ambasador. Ishte kënaqësi e veçantë të festonim 8 marsin me mikun tonë ambasadorin Zhou Ding. Ndjehemi thellësisht të mirënjohur për kontributin dhe ndihmën e madhe që na u ofrua nga ambasadori i Kinës, i cili me shumë dashamirësi vendosi të dhuronte 100 pako ushqimore për familjet që kanë anëtarë me aftësi të kufizuara.
CMG: Në fakt kjo veprimtari përkoi dhe me Lojërat Paralimpike Dimërore që u zhvilluan në Pekin, ku u përshfaq nëpërmjet sportit një realitet tjetër i personave me aftësi të kufizuara. Në Kinë është bërë një punë e lavdërueshme për mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara.
Elsa Tasha: E vlerësojmë shumë ndihmën dhe ju jemi shumë mirënjohës. Për personat e Shoqatës sonë ishte një ndihmë shumë e madhe.
CMG: Çfarë do të presim në vijim nga Shoqata juaj?
Elsa Tasha: Shoqata jonë është dhe do të jetë gjithmonë një derë e hapur, por dhe një mbështetje e fuqishme për mbrojtjen e grave me aftësi të kufizuara. Ne do të jemi një zë i fuqishëm në pushtetin vendor për rolin, prestigjin dhe autoritetin e gruas në shoqëri. Një nga synimet themelore të Shoqatës do të jetë thithja e investimeve dhe projekteve për krijimin e Qendrës për Rehabilitimin e Grave me Aftësi të kufizuara. Jo vetëm aktivitete argëtuese, por dhe për trajtimin e tyre psikologjik me specialistë të fushës për lehtësimin e gjendjes shpirtërore të tyre.
Intervistoi Eda Merepeza