Kriza botërore e rritjes së çmimeve të karburantit dhe të produkteve të tjera ka prekur prej ditësh Shqipërinë.
Karburantet (Top Channel)
Duke reaguar ndaj shqetësimit qytetar shfaqur prej disa ditësh nëpërmjet protestave paqësore, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash. Ndër këto është dhe krijimi i një bordi të posaçëm për kontrollin e karburanteve që parashikon çmime tavan për karburantet deri me 15 mars 2022. Sipas vendimit nafta e benzina nuk mund të tregtohen më shumë se 217 lekë për litër. Ndërkohë, gazi nuk mund të tregtohet më shumë se 93 lekë për litër.
Bordi i Transparencës pritet të mblidhet përsëri më 15 mars pë të pasqyruar çmimin e shitjes me pakicë e për të bërë ndryshimet e mundshme që reflektohen nga tregjet ndërkombëtare.
Nga ana tjetër Autoriteti i Konkurrencës ka deklaruar në fundjavë se, po monitoron të gjitha kompanitë e tregtimit të karburanteve dhe ka filluar hetimin paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzinë, pas marrjes së sinjaleve të para dhe konstatimeve për rritjen e çmimeve të karburanteve naftë dhe benzinë.
Kryeministri Rama dhe ministret Balluku dhe Ibrahimaj (ATSH)
Në një takim me furnizuesit e naftës kryeministri Edi Rama u shpreh se:
“Nuk është absolutisht as qëllimi dhe as prirja e qeverisë që të imponojë çmime, por qeveria do të garantojë transparencën e plotë të çmimit. Qeveria do të dëgjojë të gjitha argumentimet për strukturën e çmimit dhe pastaj do të thotë fjalën e fundit. Me objektivin që furnizimi të jetë i garantuar dhe me një çmim ku të ardhurat e furnizuesve të jenë për të rezistuar pa humbje por jo për të fituar”
Ndërsa ministrja e Energjisë Belinda Balluku u kërkoi furnizuesve të naftës të kontrollojnë nëse kanë gjendje rezervën e sigurisë së naftës, siç e parashikon ligji. Rafineritë e naftës janë të detyruara të mbajnë rezerva sa 90 ditë konsum, tha Balluku.
” Rafineritë e naftës dhe shoqëritë e tregtimit duhet të mbajnë rezerva sigurie të barabarta me 90 ditë sigurie shitje”, tha ministrja.
Kryeministri Rama (ATSH)
Lufta në Ukrainë ka ndikuar në rritjen e çmimit të hidrokarbureve në shumë vende të botës, përfshirë Shqipërinë. Ndërkohë me shqetësim shihet dhe kriza e energjisë, të cilën kreu i qeverisë shqiptare e konsideroi si pandemia e re. Sipas tij, vendet e tjera nuk i kanë lehtësirat fiskale që ka Shqipëria: “Vendet e tjera nuk paguajnë 45 milionë dollarë në vit çdo vit për të kompensuar faturën e energjisë të familjeve në nevojë, pensionistëve të vetmuar, si ne. Shifër që sot është shumë më e lartë se aq, për shkak të krizës”, tha Rama.
Duke iu përgjigjur shqetësimit qytetar për rritjen e çmimeve të ushqimeve Rama deklaroi se do të ketë kompensim me lekë në dorë për rritjen e çmimeve të shportës për gati 500 mijë qytetarë për përballimin e situatës nga efektet e krizës ndërkombëtare të prodhuar nga lufta në Ukrainë.
“Kemi vijuar me kalkulimet dhe do të kalojmë shifrën e 500 mijë përfituesve. Janë gjysmë milioni njerëz që do të marrin për 3 muajt e ardhshëm 30 mijë lekëshin që kompenson rritjen e çmimeve. Mbi 400 mijë pensionistë, të cilët do të marrin këtë bonus nga Paketa e Rezistencës. Pastaj kemi të gjitha familjet me ndihmë ekonomike, të gjitha kategoritë e invalidëve, të paraplegjikëve, tetraplegjikëve, të verbërve.”, tha kryeministri Rama
Rritja e çmimeve të karburanteve (A2)
Ai prezantoi Paketën e Rezistencës Sociale, ndaj pasojave të krizës globale energjetike, si edhe të luftës në Ukrainë, mbi çmimet. Përmes masave konkrete me veprim të menjëhershëm, paketa kompenson rritjen e çmimeve të shportës për pensionistët sipas kategorive të përcaktuara, familjet në skemën e ndihmës ekonomike, personat me aftësi të kufizuar; ofron mbështetje për fermerët dhe bizneset e vogla, si dhe financon mburojën e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla. Kryeministri vuri në dukje se po ashtu janë pezulluar të gjitha tenderët për blerje pajisjesh dhe janë bllokuar disa investime. “Të gjithë funksionarët e shtetit do të paguajnë nga xhepi i tyre mbi 50 % të shpenzimeve për naftë“, tha Rama.
Nga ana tjetër do të ketë mbështetje për fermerët me naftë pa taksa. Mbështetja sipas Ramës, do të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë dollarë, me një shtesë plus prej 5 milionë dollarë, e cila do të derdhet menjëherë. Po ashtu nga 1 prilli do të hyjë në fuqi ligji për pagën minimale, e cila do bëhet 32 mijë lekë.
Çmimet ndërkombëtare të ushqimit të njerëzve dhe kafshëve mund të rriten nga 8% në 20% si rezultat i konfliktit në Ukrainë, bën të ditur agjencia e ushqimit e OKB-së.
Në një vlerësim paraprak mbi konfliktin në Ukrainë, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë njofton se nuk është e qartë nëse Ukraina do të jetë në gjendje të mbledhë të korrat gjatë një konflikti potencialisht të zgjatur, me pasiguri që rrethon edhe eksportet e ushqimeve ruse, raporton “Reuters”.
Vlerësimi sugjeron se 20-30% e drithërave të zakonshme të dimrit, misrit dhe farave të lulediellit në Ukrainë nuk do të mbillen ose nuk të mblidhen. Rusia është eksportuesi më i madh në botë i grurit, ndërsa Ukraina është në vendin e pestë. Së bashku, dy vendet sigurojnë 19% të furnizimit botëror të elbit, 14% të grurit dhe 4% të misrit, duke përbërë më shumë se një të tretën e eksporteve globale të drithërave.
Agjencia e OKB-së pret që konflikti të shkaktojë një rritje të numrit të njerëzve të kequshqyer në mbarë botën me 8 deri në 12 milionë njerëz në 2022-2023
Eda Merepeza