Shpëtim Zuna që në moshë fare të vogël ka qenë i pasionuar pas kulinarisë dhe pastiçerisë. Ai tashmë ka fituar titullin profesor i kulinarisë dhe prej disa vitesh jep mësim në Institutin Kulinar “Royal” duke mësuar të rinjtë që duan të bëhen pastiçierë dhe kuzhinierë. Shpëtimi është nga më të suksesshmit në këtë fushë, duke arritur të hapë dhe biznesin e tij të pastiçerisë në një nga zonat më të populluara të Tiranës. Në një intervistë për CMG ai tregon për fillimet e tij si dhe planet në të ardhmen.
CMG: Kur keni nisur të merreni me kulinarinë dhe pastiçerinë?
Shpëtim Zuna: Unë kam 13 vjet që punoj në profesionin e pastiçierit. E kam filluar punën te xhaxhai im, pastaj ndihmën e parë ma ka dhënë miku dhe profesori im, Vasil Terziu. Unë në moshën 10 vjeçare kam filluar punë si pastiçier, pastaj hap pas hapi kam ndjekur trajnime dhe specializime të ndryshme në këtë fushë.
CMG: Fusha e kulinarisë dhe pastiçerisë ka qenë një pasion i juaji?
Shpëtim Zuna: Unë që në moshë të vogël kisha parë programe të ndryshme televizive në lidhje me kulinarinë, por faktikisht kur e pashë vetë nga afër më është dukur mjaft interesante dhe tani këtë fushë e kam dhe pasion, por dhe dashuri. Sot e kësaj dite vazhdoj ta kem pasion të madh.
CMG: Keni disa vite që jepni dhe mësim për kulinarinë, duke fituar dhe konkursin për të qenë profesor kësaj dege. Si ndjeheni për këtë arritje tuajën?
Shpëtim Zuna: Unë në moshën 19 vjeçare konkurova te Instituti Kulinar “Royal” për profesor. Edhe pse në moshë shumë të re pata fatin dhe dëshirën për të mësuar shumë të rinj, duke shfaqur dhe talentin tim në atë shkollë. Jam vërtetë shumë i kënaqur për këtë arritje timen.
CMG: Sa të interesuar janë të rinjtë për të mësuar ?
Shpëtim Zuna: Faktikisht për pastiçerinë më të interesuara janë vajzat sesa djemtë, ndërsa për kuzhinën më të interesuar janë djemtë. Zonat brenda qytetit asnjëherë nuk i zgjedhin këto fusha, ndërsa periferitë preferojnë më shumë të bëjnë kursin e pastiçerisë dhe të kuzhinës.
CMG: Sa zgjat një kurs për pastiçier dhe kuzhinier?
Shpëtim Zuna: Kurset janë të ndara në tre nivele, 3 mujore, 6 mujore dhe 9 mujore, por kohët e fundit është kthyer edhe si shkollë 1 vjeçare, 2 dhe 3 vjeçare.
CMG: Programi i këryre kurseve përmban më shumë teori apo dhe praktikë?
Shpëtim Zuna: Shkolla jonë operon në këtë mënyrë. Dita e hënë është teori dhe ditët e tjera të javës janë praktikë. Kurset janë 85 për qind praktikë dhe 15 për qind teori. Ndërlidhja e teorisë me praktikën del në konkluzion të një pastiçieri të mirë në fushën e kulinarisë.
CMG: Jeni vetëm 23 vjeç dhe keni hapur biznesin tuaj të pastiçerisë. Si ndjeheni me këtë arritje tuajën?
Shpëtim Zuna: Unë nuk mund të them se e quaj veten pronar, sepse jam i njëjtë me të gjithë dhe me stafin që punoj i quaj kolegë dhe bashkëpunëtorët e mi. Unë nuk e pëlqej ta quaj veten pronar, sepse më duket diçka jo e këndshme dhe më pëlqen të jem gjithmonë modest.
CMG: Për të arritur deri këtu ku jeni sot ka dhe vështirësi. Ju keni hasur vështirësi gjatë rrugëtimit tuaj ?
Shpëtim Zuna: Puna e pastiçerisë bashkë dhe me kuzhinën ka shumë vështirësi. Kur fillon në këtë fushë e harron familjen, sepse ka orare të gjata dhe ditë që nuk mund të shkosh dot në shtëpi. Kuptohet që edhe porositë nga klientët nuk kanë orar të caktuar dhe këtu familja duhet të jetë shumë e durueshme. Në këtë aspekt mua më ka ndihmuar shumë familja ime dhe unë jam i qetë dhe dua ta falenderoj shumë familjen time.
CMG: Cilat janë produktet më të kërkuara nga klientët në pastiçerinë tuaj?
Shpëtim Zuna: Në pastiçerinë time unë i kam të gjitha, që nga tradicionalet, modernet si akulloret, pastat, tortat e vjetra dhe ato të reja, byrekun dhe bukën. Qytetarët janë të ndarë në dy pjesë. Ata që vijnë nga jashtë shtetit gjithmonë zgjedhin tradicionalen, ndërsa qytetarët që jetojnë në Shqipëri janë në kërkim të së resë. Gjërat tradicionale mund t’i përgatisin dhe vetë në shtëpitë e tyre dhe këtu janë gjithmonë në kërkim të një paste ose torte të re. Ata që vijnë nga emigrimi kërkojnë tradicionalen si bakllavanë, shëndetlinë, revaninë dhe kështu me radhë.
CMG: Edhe pak ditë na ndajnë nga festa tradicionale e ditës së verës, ku dhe ju besoj do të përgatisni ballokumet e kësaj feste.
Shpëtim Zuna: Normalisht që ballokumen si traditë më të madhe e ka qyteti i Elbasanit, por dhe ne kemi vazhduar me përgatitjet e tyre, por është pak herët. Këto ditë kemi pasur përgatitje për festat e 7-8 marsit sepse ka dhe shumë kërkesa. Pastaj do të kemi përgatitjet për ditën e verës dhe ëmbëlsirës tradicionale të ballokumes.
CMG: Si arrini ta menaxhoni kohën?
Shpëtim Zuna: Është pak e vështirë, por me ndihmën e familjes e cila është mbështetja ime më e madhe, arrij ta menaxhoj ditën. Është ditë shumë e ngarkuar dhe realisht nganjëherë ndjehem fajtor që nuk mund t’i jap kohën e duhur familjes ose shoqërisë. Prandaj është pak e lodhshme për mua, por ja kam dalë me sukses.
CMG: Shumë bashkëmoshatarë tuajt synojnë të largohen jashtë për një jetë më të mirë, ndërsa ju besoj doni të investoni këtu ?
Shpëtim Zuna: Unë nuk e kam menduar deri sot që të largohem jashtë shtetit, por shikoj shumë të rinj që ju hap dyert si tek shkolla ku jap mësim ashtu edhe këtu për të punuar, ndërkohë që prioriteti i tyre është që të largohen jashtë vendit. Ky fakt më dhemb sepse nuk ke mundësi as të investosh, sepse je me frikë edhe për pjesën e punëtorit. Unë shpresoj që kjo gjë të rregullohet me kalimin e kohës.
CMG: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen në fushën e kulinarisë dhe pastiçerisë në veçanti?
Shpëtim Zuna: Në fushën e pastiçerisë dhe kulinarisë një nga ëndrrat që dua të arrij është që të ndihmoj shumë familje dhe këtë e mendoj gjithmonë me familjarët e mi. Dëshiroj të hap një dyqan që të jetë vetëm për njerëzit në nevojë, që të kenë ushqim falas dhe t’i ndihmoj me aq mundësi sa kam. Kjo është ëndrra ime, pastaj se çfarë mund të ndodhë rrugës nuk e di, por ky është plani im për momentin dhe shpresoj që bashkë me familjarët e mi ta arrij këtë gjë. Falenderim të madh për mbështetjen e madhe në këtë fushë kam për familjen time sepse pa mbështetjen e tyre nuk do isha këtu ku jam sot.
CMG: Sa orë në ditë i kushtoni kësaj pune?
Shpëtim Zuna: Unë personalisht nuk kam orar dhe jam 24 orë në krye të punës, sepse çdo klient nuk njeh orar për tortën ose porosinë që jep. Ky lloj zanati që unë kam zgjedhur nuk ka orar.
CMG: Duke ju falenderuar për intervistën së fundi dhe një mesazh për brezin e ri si dhe miqtë tuaj.
Shpëtim Zuna: Mesazhi im për bashkëmoshatarët e mi është se duhet të punojnë sa më shumë, të ndjekin ëndrrat e tyre dhe mos të largohen jashtë shtetit. Faleminderit për këtë intervistë kaq të këndshme.
Intervistoi: Gazmend Agaj